Izet Haxhia: Ja ç’ndodhi në zyrat e PD natën e krimit. Berisha i tha, Azem zgjidhe këtë problem! Ai doli, mori një ‘Zastava’ dhe një silenciator…

– Izet, sot (më 12 shtator 2015) u përkujtua si zakonisht dita e vrasjes së Azemit. Në vendin ku ai u vra bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule krerët më të lartë të PD-së, përfshi Berishën. Çfarë mendon ti kur sheh këtë ritual të përvitshëm?

– Ritual të përvitshëm të hipokrizisë…. Unë me veten time mendoj dhe pyes çfarë ndjen Hjeksi i Hajdarit, Sali Berisha kur ven ato lule e përkulet përpara atij që në të gjallë e përdori dhe poshtëroi siç din vetëm ai. Edhe vdekjen ia përdori për qëllimet e tij antishtet e antishqiptare, edhe pasvdekjen ia përdori.

Berisha nuk e ka dashur kurrë Azemin dhe e kundërta. Por Berisha në periudha të caktuara është munduar dhe e ka përdorur Hajdarin që në afrimin e tij në lëvizjen studentore të dhjetorit dhe themelimin e PD-së dhe më pas uzurpimin e saj dhe të PD-së. E ka hedhur poshtë kur nuk i është dashur më. E ka poshtëruar duke i hequr imunitetin. Nuk i ka dhënë asnjëherë ndonjë post që Azemi e dëshironte shumë. Me të gjitha këto zullume që rëndonin mbi Hajdarin, Berisha e dinte që një ditë hakmarrja e Azemit do binte mbi të.

Fakt është se para vrasjes së Azemit autoriteti i Berishës në PD ishte në nivele të ulta dhe ai i Hajdarit po rritej dita-ditës, falë manovrave të tij dhe heroizmave të rreme. Berisha e kuptonte që Hajdari ishte rreziku më i madh për postin e tij në PD, sepse ata të dy vinin nga e njëjta dorë apo derë: ajo e Ramiz Alisë dhe Sigurimit.

Hajdari për Berishën vlente vetëm si “i vdekur heroikisht” që t’i shërbente atij pas vdekjes. Me këtë shpjegohet përse në rreth tetë vite i vetmi program elektoral i Berishës dhe e vetmja propagandë fitimprurëse për të ishte vrasja e Hajdarit dhe zbulimi i saj.

Me këtë kuptohet përse ndodhi 14 shtatori dhe përse zgjati shumë pak ëndrrra e Berishës për pushtet, përse u sulmua shteti i lodhur më 14 shtator, kush e ideoi dhe kush e zbatoi atë skenar të grushtit të shtetit.

– Kush? Dje e lamë bisedën te momenti i vrasjes së Azem Hajdarit, rreth orës 21 e 10 minuta të datës 12 shtator…

– Ja si kanë rrjedhur ngjarjet. Pasi është thirrur Azemi në zyrën e Berishës, sepse në atë moment ka qenë tek zyra e Linda Ihsanit për të treguar për vizitat e takimet e tij në Fier, në këtë moment në zyrën e Azemit bëhet një telefon nga Bujar Daja, i cili përdorte një telefon portativ, ky person ka qenë një punonjës i SHIK-ut të Gazidedes mesa e di unë në anën tjetër të telefonit.

Në zyrën e Azemit, i cili në këtë moment ishte thirrur në zyrën e Berishës, del Fisnik Sina që kryente detyrën e këshilltarit të Azemit dhe nga ana e Bujar Dajës i thuhet se thuaj Azemit që është një makinë e dyshimtë me targa Vlore para PD që ka pothuajse një orë që rrin e parkuar aty. Fisnik Sina shkon në zyrën e Berishës ku ishte dhe Azemi dhe thotë për telefonatën që kishte ardhur. Berisha i drejtohet Azemit: Shko e zgjidhe këtë problem Azem.

Azemi, edhe për t’u dukur para Berishës si një kompentent për sigurinë dhe trim del menjëherë nga zyra e Berishës dhe shkon tek zyra e vet ku nga sirtari i tavolinës nxjerr pistoletën ‘Zastava’ dhe monton silenciatorin. Duke dalë nga zyra e tij komunikon me Sali Lushën që po bisedonte në korridorin e katit të dytë me Genc Pollon për çështjen e një makine të humbur të një mikut të Gencit. Azemi i drejtohet Saliut (Lushes) që merr kallashnikovin se ka një makinë bombë përpara PD.

Këtu duhet të bëjmë një sqarim të vogël: Azemi, pavarësisht se zbatonte urdhrat e Berishës, nuk besonte tek ai dhe pasi ka dalë nga zyra e tij, duke zbritur shkallët ka marrë në telefon një person të regjistruar me emrin “Jovanoviç” nga Fieri, me emrin Ismet Jovani.

Ismeti ishte mik me Nehat Kullën, por edhe përdorej nga Azemi për të marrë të dhëna nga Nehati, pasi Nehati ishte mik me Feriz Kërnajën, i cili ishte njeri i besuar i Haklajve. Azemi mund ta ketë pyetur këtë person që a kanë ardhur Haklajt në Tiranë apo jo. Akuza ndaj meje ka qenë që gjoja unë e kam marrë në telefon Hajdarin dhe e kam nxjerrë në prite. Kjo është arsyeja e zhdukjes së telefonit celular të Azemit nga aleancat e përjetshme të klanit të krimeve e të mosndëshkimit të tyre në Shqipëri.

Ky telefon është marrë nga punonjës të policisë e prokurorisë që ka bërë këqyrjen e vendngjarjes dhe i është dorëzuar ministrit qe ka ardhur pas Perikli Tetës dhe ky eshte Petro Koçi. Unë i bëj thirrje Petro Koçit që të tregojë të vërtetën në lidhje me celularin e Azemit.

– Ju kini theksuar vazhdimisht se nuk kini qenë i interesuar për vrasjen e Azemit…

– Po unë nuk kam menduar të kem ndonjëherë post as të bëhem kryetar i PD-së. As Eduard Selami nuk mendoj se ka qene i interesuar për këtë vrasje, sepse në atë kohë ishte në Amerikë. As Tritani nuk kishte këllqe për këtë punë… E kush ishte i interesuar për therorë e heronj që t’i përdorte pastaj për interesat e veta? Kush ishte në pikën zero të karrierës së tij politike, kush rrezikonte postin e tij të përjetshëm në krye të çiflikut të tij, PD-së, përveç Berishës?

 – Vetë Berisha e ka akuzuar Hajdarin në të gjallë si “njeri të sigurimit” packa se pas vdekjes e quajti “hero të demokracisë”. A është i tillë për ju?

– Nuk ka nevojë të argumentoj se kush ishte Hajdari. Emri i tij është identifikuar se mbreti i kaosit në Shqipëri. A është Azemi “hero i demokracisë”? Pyetje me vend.

Le të kthehemi pak në retrospektivë dhe tek njofja ime për Hajdarin. Dihet që me Hajdarin jemi nga e njëjta krahinë. Kur ka qenë në Tropojë Azemi ka qenë i njohur si një njeri me probleme, por që gjithmonë i shpëtonte ndëshkimit nga organet e pushtetit socialist qe nuk të falnin për asgjë. Çuditërisht Azemi falej e ndihej i sigurt në prapësitë e tij të shumta, që fillonin me vjedhjet e të gjithë kotecëve të pulave në qytetin Bajram Curri e fshatrat përreth tij, në zënkat e dallaveret e shumta që ai bënte në vijimësi, deri te shkuarja e tij në fakultet nga shkolla e natës, që ishte një shpërblim nga organet e atëhershme të partisë. Në vitin e tretë të fakultetit Azemi bën kërkesën për pranim në parti si kandidat, por ngaqë ishte kontigjent i Sigurimit, nuk pranohet, pasi anëtarët e partisë e kishin të ndaluar të ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Të vijmë tani tek lëvizja e studentëve të Dhjetorit ’90, ku Hajdari u emërua nga partia dhe organet e saj të dashura të Sigurimit si lider. Azemi nuk mund të ishte një lider i studentëve dhe nuk u bë i tillë asnjëherë, për disa arsye..

E para, nuk kishte jetuar kurrë në qytetin “Studenti”, aty ku nisi dhe u poq kjo lëvizje. Ai ishte një student që lëvizte me pistoletë me leje dhe në shoqërinë e tij nuk kishte studentë, por oficerë dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ai ishte i përgatituri i organeve të Sigurimit për t’u vënë në krye të kësaj lëvizjeje dhe për t’i ulur vlerat kësaj lëvizjeje dhe për ta kontrolluar atë. Azem Hajdari ishte një student që kishte njohje me Xhelil Gjonin e pinte kafe me të. Por tani Xhelili e shan dhe thotë që ishte i të nëntëdhjetë e nëntave se shiti partinë dhe organet e sigurimit.

– Sidoqoftë ai njihet si njeriu që udhëhoqi lëvizjen studentore…

– Shiko, nga njerëz të tillë çfarë nuk pret. Ai që është i mësuar të spiunojë e tradhtojë, nuk e ka për gjë të shesë edhe patronët e tij dhe për këtë Azemit nuk duhet t’i hamë hakun. Ai shiti edhe lëvizjen e studentëve duke u vënë për të ndihmuar që të vijë në krye të PD-së Berisha me kompani apo të dërguarit e Ramizit. Vetë ngjarjet e mëvonshme treguan që ata që nuk ishin emisarë të Ramizit u shkëputen nga PD dhe vazhduan lëvizjen studentore të dhjetorit me grevën e urisë dhe rrëzimin e statujës së Enverit, grevë që vrau përfundimisht frikën ndaj diktaturës dhe shkëputjen e shtetit nga kulti i Enverit. Azemi u mor me trafiqet e të gjitha llojeve, nga i naftës e deri tek i drogës. Unë e kam dëshmuar në intervistat e ,ëparshme tek ju se veset e tij të ulëta arrinin deri në përdhunimin e femrave që i shkonin në zyrë për t’i kërkuar ndihmë për punë. Azemi urdhëronte shkatërrimet, djegiet, për hedhjen në erë të shtyllave të tensionit të lartë e ujësjellsave.

Ç’lidhje kishte Azemi me Ahmet Krasniqin, ministrin e Bukoshit që u vra një javë më vonë në Tiranë?

– Azemi gjithmonë është munduar të përfitojë nga ndjenjat edhe naive të shqiptarëve të Kosovës ndaj Shqipërisë dhe të dashurisë se tyre pa kushte ndaj atdheut mëmë. Por Azemi ka patur një nuhatje të madhe për lekun dhe kur mësonte që dikush zotëronte shuma të mëdha lekësh bëhej menjëherë mik me të. Krasniqi, duke qenë një ministër i Mbrojtjes së qeverisë në ekzil të Bukoshit, zotëronte edhe shumat e përdorte paratë që nevojiteshin për trafikun e armëve që do armatosej ushtria e Bukoshit, por që ato armë nuk i përdori asnjëherë në luftën për çlirimin e Kosovës por vetëm në grushtin e shtetit të 14 shtatorit. Vrasja e Krasniqit është bërë nga kosovarë që dihen me emër e mbiemër dhe nën vëzhgimin e SHIK-ut të atëhershëm. Se cili ka qenë motivi, nuk më takon mua ta them. Ta thonë e zbulojnë organet përkatëse.

– Kthehemi tek situata në PD pas vrasjes së Azemit dhe të nesërmen. A u përgatit grushti i shtetit që do të ndodhte të hënën, më 14 shtator apo ishte spontane ajo që ndodhi ?

– Pas vrasjes së Azemit kanë filluar menjëherë telefonatat e pandërprera që donin të dinin e mësonin, kuptohet nga të njohur, miq e simpatizantë të PD-së. Kur kam shkuar të nesërmen në mëngjes tek selia e PD-së kam mësuar shumë hollësi e të dhëna për atë që kish ndodhur atë natë të 12 shtatorit para dhe brenda PD-së. Pas kthimit nga spitali ushtarak ku ndodhej trupi i pajetë i Hajdarit, Berisha ka mbledhur rreth tridhjetë persona eksponentë të PD-së dhe u ka thënë që kjo është një vrasje shtetërore e bërë nga Nano dhe duhet të hakmerremi me çdo çmim. Që atë natë është bërë futja e armëve brenda në selinë e PD-së dhe shumica e këtyre armëve janë marrë nga persona që banonin tek pallati i INSIG-ut, ku kontribuesit kryesorë me armë kanë qenë ushtarët e FARK-ut të Bukoshit.

– Pra, kishin filluar përgatitjet e grushtit të shtetit?

– Po, më 13 shtator është bërë prova e 14 shtatorit. Në 14 janë sulmuar në mënyrë të organizuar Kryeministria, e cila mbrohej nga disa ushtarë të lodhur e trembur të Gardës dhe nga disa pjesëtarë të forcave speciale që nuk kishin as motivin, as dëshirën për të mbrojtur asgjë, vetëm për të ikur si shefi i tyre Nano. Janë djegur shumë makina të ministrave, në mes tyre edhe ajo e Arben Imamit.

– Në këto kushte ka ndodhur ikja e kryeministrit Fatos Nano. Dini gjë se si ka ndodhur ajo?

Sipas atyre që kam dëgjuar në ato ditë Fatos Nano është kërcënuar apo detyruar të iki në fshehtësi. Në PD ëm thanë që i eshte derguar me zv.kryrministrin Kastriot Islami nje plumb. Kaçi i ka shkuar në zyrë dhe i ka dhënë plumbin Fatosit në mënyrë simbolike, që donte të thoshte se mesazhi i tyre është që po nuk u largove do të vritesh. Dhe Fatosi që atë natë është larguar dhe është gdhirë në Dajt. Të nesërmen, pak para se të fillonte mësymja kundër Kryeministrisë, ka marrë rrugën e arratisë, pa pritur ceremoninë e varrimit të Azemit. Për këtë më mirë pyesni ish-ministrat e Nanos dhe ata që kanë qenë pranë tij në atë kohë.

– Po në kampin e PD-së çfarë ndodhte?

– Kur u pa që qeveria thuajse nuk ekzistonte dhe nuk kishte as dëshirën dhe as guximin të përplasej me turmat e armatosura të PD-së, kjo gjë na trimëroi edhe më shumë neve dhe në radhë të parë Berishën që filloj të lëshoje ultimatume 24 orëshe për Nanon dhe qeverine.

Filluan edhe përgatitjet për të nesërmen që do shënonte për neve fundin e socialistëve dhe të Nanos. U bënë edhe furnizime të tjera me armë e municione, sepse duhet të ishim të përgatitur “për ditën e madhe të fitores”. Në krye të këtij organizimi kuptohet ishte “marshalli” Berisha, që duket se kishte kaluar shpejt pikëllimin për vrasjen e “heroit të demokracisë”. Filloi të thurë ëndrrat e kthimit në fron.(Botuar ne dita, me 2015)

Back to top button