Mbyllet sezoni turistik, 20% e hoteleve pezulluan aktivitetin

Sezoni turistik veror në Shqipëri ia doli të mbyllet, duke u shpëtuar vetëm nga vizitorët “patriotë” të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe vendasit që nuk patën mundësi të lëvizin jashtë.

Pavarësisht kësaj, të ardhurat e kësaj industrie rezultojnë të përgjysmuara krahasuar me një vit më parë, ndërsa 20% e hoteleve dhe 90% e agjencive turistike kanë pezulluar aktivitetin, me shpresat për t’u rihapur vitin e ardhshëm.

Sipas të dhënave të operatorëve turistikë, 50% e stafit në këtë sektor tashmë do të shkurtohet për shkak të mbylljes së sezonit. Ata kërkojnë përgjysmim të taksave lokale dhe shtyrje me 1 vit të pagesës së kësteve të kredisë, në mënyrë që të mbijetojnë në periudhën e dimrit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të huajt kanë shpenzuar vetëm 63 milionë euro në vendin tonë gjatë periudhës prill-qershor, kundrejt një vlere prej 506 milion eurosh të shpenzuar një vit më parë, ndërsa bizneset e sektorit turistik thonë se rënia e shpenzimeve të turistëve të huaj është 70% edhe për muajt Korrik dhe Gusht, që kanë qenë periudhat me fluksin më të lartë të turistëve.

Back to top button