Serbia “mbron” kishat e manastiret në Kosovë me interpretim të njëanshëm

Monumentet kryesore krishtere të kultit në Kosovë janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë. Ndonëse u është mbivënë cilësimi si manastire ortodokse serbe – për Manastirin e Deçanit, atë të Graçanicës, Kishën e Shenjëtorëve Mihal e Gabriel, Kishën e Zojës Prendë në Prizren, Patrikanën e Pejës, e të tjera – ato janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themele të monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.

Me një ekspoze të historisë së këtyre monumenteve, shkrimi “Përvetësimi nga serbët i monumenteve mesjetare arbërore në Kosovë” me autor Bedri Muhadrin, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, është bërë sebep për një fushatë të institucioneve kishtare, politike, si dhe mediatike në shtetin fqinj. Për dy ditësh rresht, mediat në Beograd kanë zhgrehur kritika e sulme ndaj këtij shkrimi.

Siparin e reagimeve e ka ngritur Dioqeza Rashkë-Prizren, e cila e ka cilësuar tekstin e historianit Muhadri si “shpërndarje e urrejtjes etnike dhe fetare” kundrejt serbëve në Kosovë dhe trashëgimisë së tyre.

Në të vërtetë, shkrimi i Muhadrit ka referencuar edhe autorë serbë si Miodrag Nikoliq, Slobodan Nenadoviq e Pero Slijepçeviq, ashtu si edhe medievistin çek Konstantin Jireček, teksa nga studiuesit shqiptarë është cituar Jahja Drançolli, Fejaz Drançolli, Edi Shukriu e Mark Krasniqi. Me dëshmi e referenca nga vetë historiografia serbe mbi përvetësimin e kishave në Kosovë, janë botuar tekste mbi përkatësinë e trashëgimisë ortodokse në Kosovë. Njëri prej tyre ka qenë edhe ai i historianit Enver Rexha, i botuar në disa pjesë prej tetorit deri në dhjetor të 2016-s.

”Nxitje e urrejtjes” për KOS-in, “provokim” për politikën

Në reagimin e lëshuar paraditen e së dielës në faqen “eparhija-prizren”, kësaj dioqeze nuk i kanë pëlqyer ato që i ka quajtur si pretendime mbi manastiret ortodokse.

“Mesazhi është i qartë. KOS (Kisha Ortodokse Serbe – v.j.) duhet të largohet nga Kosova e Metohija bashkë me murgjit e besimtarët, për të ‘çliruar’ vendet e shenjta shekullore, që do të bëhen monumente shqiptare”, thuhet në reagimin e kësaj dioqeze.

Ballinat e disa prej gazetave në Beograd, pas tekstit “Përvetësimi nga serbët i monumenteve mesjetare arbërore në Kosovë”

Back to top button