Si vendosi parlamenti heqjen e imunitetit të Berishës pas ‘Grushtit të shtetit’ në ’98/ Ish-kryeprokurori kërkoi ndjekje penale, pa mundur ta…

Plot 22 vite më parë, më 14 shtator të vitit 1998 turmat e militantëve të PD, të armatosur dhe të drejtuar nga Sali Berisha pushtuan kryeministrinë duke përdorur si “dash” për të hapur derën arkivolin me trupin e pa jetë të Azem Hajdarit, dhe e dogjën, pushtuan Radiotelevizionin Shqiptar dhe emetuan siglën e një TV private në të.

Berisha deklaroi përmes kreut të PLL Spahia se ishin pushtuar të gjitha institucionet dhe se demokracia kishte triumfuar në Shqipëri.

Ndërsa Sali Berisha po bëhej gati të udhëtonte drejt kryeministrisë për të mbajtur fjalimin e përgatitur më parë, esencë e së cilës ishte shprehja se “populli shqiptar  mori në dorë fatet e tij, përballë kësaj klike të korruptuar të Fatos Nanos” (për t’u habitur se deklaratat e këtyre ditëve të Metës dhe Berishës kanë ngjashmëri mot e mot me deklaratat e para 22 viteve), një telefonatë nga Uashingtoni bëri që Berisha të hiqte dorë nga deklarimi i ardhjes në pushtet përmes dhunës.

Vetëm dy ditë më vonë, më 16 shtator, si për koncidencë të konferencës së Pezës, parlamenti i Shqipërisë mblidhet për t’i hequr imunitetin Sali Berishës me kërkesë të ish Prokurorit të Përgjithshëm Arben Rakipi. Kërkohej ti hapej rrugë arrestimit të ish kreut të PD Sali Berisha, të cilin e akuzonin si fajtor për grushtin e dështuar të shtetit më 14 shgtator, vetëm dy ditë pas vrasjes së liderit të dhjetorit Azem Hajdari!

Aleatët aktualë të Berishës që firmosën heqjen e imunitetit të tij në 18 shtator 1998, madje ishin më të ashprit ndaj tij.

Debatet e mazhorancës socialiste për 14 Shtatorin dhe roli i kryeministrit Nano që mungoi në krye të detyrës 36 orët që pasuan 14 Shtatorin

Vetëm pak orë i janë dashur prokurorisë për përcaktimin e përgjegjësit për ngjarjet e 14 Shtatorit të vitit 1998 në Tiranë. Prokuroria e drejtuar asokohe nga Arben Rakipi i kërkoi parlamentit heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, dhe më pas ndjekjen penale të tij si përgjegjës për ngjarjet e 14 shtatorit, ditë në të cilën u sulmuan institucionet shtetërore. Ngjarjet e 14 Shtatorit, ku u sulmuan institucionet erdhën si pasojë e acarimit të turmës së protestuesve të PD, të cilët ishin mbledhur për të protestuar kundër vrasjes së deputetit të kësaj partie, njërit prej themeluesve të saj, Azem Hajdari.

Ai u vra në oborrin e PD natën e 12 shtatorit 1998. Sali Berisha bashkë me drejtues të tjerë të opozitës u vunë në krye të protestave, të cilat degjeneruan në sulme kundër institucioneve shtetërore, kryeministrisë, parlamentit apo edhe godinës e Televizionit Publik Shqiptar. Godinat u sulmuan duke u djegur dhe shkatërruar nga protestuesit, dhe e gjithë kjo situatë u cilësua si grusht shteti nga drejtuesit e atëhershëm të mazhorancës socialiste. Prokuroria i përcolli Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha dhe disa deputetëve të tjerë, njëherësh i kërkoi parlamentit pëlqimin për arrestimin e Berishës dhe të tjerëve deputetë të PD-së. Parlamenti i mbledhur në seancën plenare të datës 18 shtator, katër ditë pas ngjarjes, vendosi heqjen e imunitetit të Berishës, por jo të deputetëve të tjerë. Ishte pikërisht heqja e imunitetit nga parlamenti që i hapi rrugë arrestimit të Berishës pak kohë më vonë, gjatë qeverisjes nga qeveria Meta.

Heqjen e imunitetit të Berishës si deputet e kanë firmosur deputetë, të cilët aktualisht gjenden në krahun e tij si ministra apo edhe si aleatë në koalicionin qeveritar.

Por më parë se të merrej ky vendim deputetët e mazhorancës debatuan në seancën plenare të datës 16 shtator për çfarë kishte ndodhur në 14 Shtator, ku ishte kryeministri përgjatë 36 orëve dhe cilat masa ishin marrë për të izoluar ata që mazhoranca e atëhershme i quante autorë dhe drejtues të grushtit të shtetit apo kryengritjes së armatosur kundër institucioneve të shtetit.

Seanca parlamentare e 16 shtatorit- 16.09.1998

Luan Rama – Zoti Kryetar, mbrëmë Kryeministri deklaroi këtu se pas vendimit që ka marrë Qeveria deri në agim nëse nuk dorëzoheshin grupet e banditëve të armatosur në selinë e Partisë Demokratike, ndaj tyre do të vepronte forca e ligjit përmes organeve të rendit. Prandaj është urgjent, mendoj unë, që deputetët e Kuvendit Popullor të informohen në mos nga Ministri i Rendit se mund të jetë i zënë, nga njëri prej titullarëve të Qeverisë, Kryeministri ose njëri nga zëvendësit e tij se çfarë është bërë për zbatimin e këtij vendimi të marrë nga Qeveria dje dhe për të cilin u informuan dhe deputetët e Kuvendit Popullor. Kjo të jetë një seancë informimi urgjent, qoftë tani ose në një orar më të vonë.

E dyta që mendoj unë, mbrëmë ju bëtë me dije për Kuvendn Popullor që prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të disa deputetëve. Duhet të raportojë Komisioni i Mandateve, i Imuniteteve dhe i Rregullores se çfarë ka bërë në mënyrë që t’i hapet rruga procedimit të mëtejshëm sipas procedurës dhe Rregullores së Kuvendit Popullor. Ju falemnderit!

Do të ishte me interes dhe në të mirë të punës së Parlamentit dhe në unison me emergjencën që kërkon situata që anëtarët e Qeverisë, Kryeministri, në se nuk kanë ndonjë angazhim urgjent të jenë në Parlament për të diskutuar për të vendosur bashkërisht hap pas hapi për situatën derisa të arrihet eleminimi i çdo vatre që mund të gjenerojë më tej grushtin e shtetit.

Spartak Braho – Zoti Kryetar, ju dje vutë në dijeni Kuvendin Popullor që Prokuroria e Përgjithshme ka paraqitur kërkesë për vënien në diskutim të imunitetit të disa deputetëve, sot në mëngjes Komisioni i Mandatit dhe i Imunitetit është mbledhur dhe ka vendosur që të zbatojë Rregulloren e këtij Kuvendi, të zbatojë vetëm ligjin. Ne do të gjykojmë me kokë të ftohtë, larg pasioneve, larg presioneve nga çdo krah qofshin. Për këtë qëllim, mbështetur në nenin 176 të Rregullores është e domosdoshme që deputetët për të cilët organi i prokurorisë ka kërkuar heqjen e imunitetit të vihen në dijeni me këtë kërkesë.

Së dyti, po kjo Rregullore, po kjo dispozitë e saj kërkon që ata të jenë të pranishëm në komision dhe vetëm pasi komisioni të bindet se ata refuzojnë në mënyrë të paarsyeshme, të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e prokurorit.

Prandaj, komisioni vuri në dijeni, priti në orën 12.00 të vinin deputetët përkatës, do t’i thërrasë përsëri në orën 14.00, do t’i thërrasë edhe një herë në orën 16.00 dhe vetëm pas kësaj kohe ai do të mblidhet. (Dëgjohen zëra nga salla.) Unë përgjigjen e dua me shkrim, nuk merrem me llafe gazetash.

Skënder Gjinushi – Zoti Braho, ju lutem mos komunikoni me të tjerët, informoni Kuvendin!

Spartak Braho – Atëherë mbani rregull që të mos flasin të tjerët, e dha përgjigjen, thotë ai. Se çfarë ka thënë Berisha unë nuk di gjë, unë e dua me shkrim.

Skënder Gjinushi – Të lutem, dhe atij po i flas, i fola një herë atij të pushojë pastaj ju thashë edhe juve të vazhdoni. Nuk bëhet debat për zbatimin e Rregullores.

Spartak Braho – Zotërinjtë e Komisionit të Mandateve të jenë të pranishëm këtu, të mos rri unë të bredh mbas tyre dhe në orën dy edhe në orën gjashtë. Edhe një herë zoti Kryetar, ju kërkoj që t’i krijoni kushte pune këtij komisioni.

Skënder Gjinushi – Dakord, ju faleminderit!

Atëherë, kalendari i paraqitur gjen mbështetjen tuaj. Për sa i takon komentit të parë, ose shqetësimit të parë, azhornimit të kalendarit të Parlamentit ose faktit që Parlamenti do të merret me projektligjet ose do të merret edhe me problemet e tjera. Sigurisht që Parlamenti do të merret edhe me problemet e tjera, por ju kujtoj që kjo varet nga iniciativat tuaja si deputetë ose si grupe Parlamentare. Pra Parlamenti vlerëson dhe besoj që vlerëson që të ndjekë nga afër tërë zhvillimet politike, situatën ne vend, dhe për të ndjekur këtë, përveç debatit që mund të bëjmë ne këtu brendapërbrenda është dhe thirrja e ministrave të veçantë ose e Kryeministrit për këtë çështje.

Dje ne e nisëm pikërisht me një debat ku Parlamenti shprehu vlerësimin e vet për situatën. Pra ajo ishte për çfarë ndodhi kurse nuk është shprehur për çfarë mendon se çfarë masash duhen marrë për të ardhmen. Ka vetëm një pikë që Parlamenti mbështet, për shembull, iniciativat e Presidentit të Republikës që kemi vënë ne në deklaratën e djeshme. Megjithatë, nga sugjerimi që u bë nga zoti Lesi ose ndonjë tjetër, ju, në qoftë se vlerësoni, dhe me siguri që shumica është dakord, thirret Kryeministri dhe raporton cila është analiza e qeverisë për çfarë ndodhi. Jo thjesht për përcaktimin e termit grusht shteti ose jo, por edhe cilat ishin defektet e qeverisë, çfarë problemesh ndodhën gjatë kësaj ngjarjeje dhe çfarë masash janë marrë. Kjo është njëra anë, më tej në qoftë se Parlamenti kërkon të bëhen dhe ndryshime, është përsëri e drejta e deputetëve të kërkojnë. Por këto kërkohen gjithnjë në rrugë procedurale konform Rregullores.

Nikollë Lesi – Më fal zoti Gjinushi, e di që nuk duron që po të ndërhyj për së dyti. Ne nuk jemi deputetë makaronash ose deputetë që merren me tufat racore në blegtori këto ditë kur Shqipëria ka probleme…

Skënder Gjinushi – Ju lutem, pa pjesë emocionale.

Nikollë Lesi – Jo, jo e ruaj veten mos ki merak, jam ruajtur në kohë të vështira, jo tani. Unë jam për të kërkuar urgjent një pjesëtar të kabinetit qeveritar ose Kryeministrin të na shpjegojë se çfarë po bëhet. Ne nuk jemi këtu për të diskutuar për tufat racore në blegtori që ju keni sjellë projektligjin…

Skënder Gjinushi – Zoti Lesi, t’i lëmë efektet psikologjike dhe emocionale. Pikërisht këtë po shpjegoj…

Nikollë Lesi – I kontrolloj shumë më mirë se ju këto gjëra.

Skënder Gjinushi – Jo, jo, nuk është fjala se nuk i kontrollon.

Nikollë Lesi – Unë nuk jam deputet i PD -së që digjet Vlora dhe të merrem me kullotat, as tani që të merremi me tufat racore të blegtorisë.

Skënder Gjinushi – Zoti Lesi, të lutem mos shfrytëzo mikrofonin, po të shpjegoj të kundërtën, që është e drejta juaj të kërkoni çdo lloj sqarimi, por të mos ia kërkoni dikujt tjetër. Thoni, deputeti Lesi kërkon të vijë të raportojë ky për këtë çështje.

Nikollë Lesi – Atëherë po e bëj me shkrim kërkesën që tani.

Skënder Gjinushi – Bëje, unë po flas shqip ndërsa ti bën komente. Këtë po them dhe unë, madje e thashë dhe më gjerë, mund të thirret edhe Kryeministri që të raportojë për masat në do të merren ose nuk do të merren. Mund të ketë iniciativa të tjera nga ana e deputetëve. Zoti Rama kërkoi Ministrin e Brendshëm, çfarë u bë etj. Të gjitha këto bëhen në formën më normale. Ne jemi të gatshëm, bëhet kërkesa, po qe urgjente futet në seancën më të parë, sot pasdite, nesër paradite, si të vlerësohet. Po jo të bëjmë vetëm anën emocionale, të themi Parlamenti të mos merret me makaronat. Nuk jemi që të merret as me makarona, as me pilaf, Parlamenti merret me ato probleme që kërkojnë deputetët. Deputetët kërkojnë konform Rregullores. Kaq. Pra të ketë propozime konkrete. Bëni propozime dhe Parlamenti vepron.

Servet Pëllumbi – Zoti Kryetar, kam një propozim konkret meqenëse e fillova unë këtë çështje. Unë kisha parasysh pikërisht këtë që të vijë Kryeministri në një seancë të japë vizionin e vet dhe të Qeverisë për atë që ndodhi dhe deri në detaje. Ku ishte vetë Kryeministri gjatë 36 orëve që nuk gjendej gjëkundi.

Skënder Gjinushi – Do ta pyesni kur të vijë?

Servet Pëllumbi – Do ta pyes unë këtu, por ta ketë parasysh që t’i përgjigjet.

Skënder Gjinushi – Atëherë të bëhet kërkesë. Më vjen keq sepse e dini shumë mirë që ky Parlament për sa i takon pyetjeve, interpelancave ka zhvilluar mjaft në mënyrë krejt transparente. Edhe Qeveria, edhe Kryeministri, edhe kryeministrat në tërësi kanë qënë shumë të hapur. Ata e kanë detyrë, por nuk i kanë devijuar kësaj detyre, aq më tepër në këtë situatë, vetëm kërkesat bëhen zyrtare, të rregullta. Kërkohet dhe ta programojmë kur, se duhet lënë dhe një kohë në qoftë se duhet një analizë e plotë. Kështu që këto lloj propozimesh t’i lëmë t’i shqyrtojmë nesër meqenëse ne mblidhemi nesër dhe ato nuk kanë nevojë të futen në kalendar sepse në tërësi kanë të bëjnë me çështje urgjente.

Zoti Godo ka kërkuar eventualisht një raportim të komisionit. Ne do ta mbledhim komisionin dhe ai kur të jetë gati, të raportojë për problemin e refugjatëve. Ju kërkoni një raportim të Kryeministrit, me sa duket, me atë bashkohet dhe zoti Lesi, bëjeni kërkesën dhe t’i kërkojmë, ta caktojmë nesër kur të vijë këtu. E doni sot? Cila është kërkesa e zotit Rama?

Luan Rama – Zoti Kryetar, jua thashë pak më parë, dhe jua kam paraqitur edhe me shkrim bashkë me disa deputetë të tjerë që për të informuar Kuvendin Popullor se çfarë ka ndodhur nga momenti i marrjes së vendimit nga Qeveria mbrëmë që na u bë e ditur këtu nëpërmjet Kryeministrit dhe deri në këto çaste, pra për çarmatosjen e bandave që janë në selinë e PD -së dhe për ecurinë më tej deri në rikthimin në normalitet të rendit të vijë ose Ministri i Rendit Publik, ose një nga titullarët e Qeverisë për të informuar Kuvendin Popullor në një seancë informimi urgjente sot, sepse u tha që deri në mëngjes, po nuk dorëzuan armët, do të veprojë ligji dhe policia.

Skënder Gjinushi – Dakord. Unë kam një vërejtje në tërësi, domethënë që i bëjmë propozimet në formë kritike. Ju e bëtë më saktë. Në vend që të thuhet, unë propozoj që të vijë ky thuhet, pse ne nuk e thërrasim filanin, kur deputeti ka të drejtë të bëjë kërkesën dhe të thirret. Kjo është me e drejtë, ndryshe vijmë rrotull kot. Pra bëjmë më shumë efektet e propagandës. Parlamenti merret me ato që kërkojnë deputetët, grupet në rrugë procedurale të rregullt.

Heqja e imunitetit të deputetit Sali Berisha

Seanca parlamentare, e premte, 18.9.1998, paradite

Skënder Gjinushi – Sot në rendin e ditës kemi për të dëgjuar raportin e Komisionit të Mandateve, të Imunitetit e të Rregullores lidhur me heqjen e imunitetit deputetit të Kuvendit Popullor, zotit Sali Ram Berisha. Në emër të komisionit raportin do ta mbajë zoti Spartak Braho, kryetar i këtij komisioni.

Spartak Braho –

VENDIM

Komisioni i Imunitetit, i Mandateve dhe i Rregullores, i mbledhur sot, më datë 17.09.1998 në orën 12.00, në prani të 7 (shtatë) anëtarëve të komisionit (4 anëtarë munguan pa arsye), pasi shqyrtot kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për heqjen e imunitetit deputetit Sali Ram Berisha, vëren se:

Me shkresën nr.1425, datë 14.09.1998 Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit Popullor dhënien e lejes për fillimin e çështjes penale, heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit Sali Ram Berisha.

Në relacionin shpjegues të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shpjegimet që ai dha në prani të anëtarëve të komisionit konstatohet se: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë ka filluar procesin penal për kryerjen e krimit të kryengritjes së armatosur, parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, ndodhur në datat 13 dhe 14 shtator 1998 në Tiranë.

Sipas provave të grumbulluara nga organi i prokurorisë, ku përfshihen kasetat filmike, procesverbalet e pyetjes së dëshmitarëve, incizimet, intervistat në media dhe deklaratat, rezulton se një numër institucionesh kryesore të shtetit dhe objekte prone private janë sulmuar me dhunë, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues.

Sipas provave të paraqitura nga organi i prokurorisë, rezulton se:

Në datat 13 dhe 14 shtator 1998, duke përfituar nga ceremonia mortore e ish-deputetit Azem Hajdari, Partia Demokratike dhe kryetari i saj, deputeti Sali Berisha, si edhe persona të tjerë kanë bërë thirrje për përdorimin e dhunës, kanë nxitur qytetarë të ndryshëm për armatosjen e tyre, me synim pushtimin me forcë të rezidencave qeveritare për përmbysjen e rendit kushtetues.

Nga zhvillimi i ngjarjeve të paraqitura nga Prokurori i Përgjithshëm është arritur në përfundimin se, përveç synimit për të përmbysur me dhunë rendin kushtetues, janë kryer edhe një sërë plaçkitjesh në rezidencat kryesore të shtetit, janë goditur me armë të lehta dhe të rënda forcat e ruajtjes së rendit, të policisë dhe të gardës, si edhe personat zyrtarë që punonin në këto institucione, një pjesë e të cilëve dhe janë keqtrajtuar fizikisht. Njëkohësisht, rezulton se Prokurori i Përgjithshëm paraqiti prova të mjaftueshme lidhur me sulmin ndaj RTSH-së, pushtimin e tij nga grupe të armatosura njerëzish, militantë të PD-së, të shoqëruar nga funksionarë dhe ish-funksionarë të kësaj partie me synimin e dhënies së kushtrimeve për dhunë e luftë, për përhapjen e shpifjeve e dizinformacioneve, gjë e cila është orientuar edhe nga selia e PD-së mes fakseve dërguar në RTV pas pushtimit të tij.

Lidhur me rolin nxitës dhe organizator të kësaj kryengritjeje të armatosur nga deputeti Sali Berisha, komisioni krijoi bindjen se ky rol ka qenë një vijë sjelljeje e tij gjatë gjithë kohës para datave 13 dhe 14 shtator, si edhe në vazhdim, kur ende rezulton se në selinë e PD-së ekziston një grup i armatosur njerëzish, tek të cilët, megjithëse u bëhet thirrje për dorëzim, nuk ka shenja të ndryshimit të qëndrimit.

Argumentet e mësipërme, na krijojnë bindjen se deputeti Sali Berisha, i cili akuzohet për veprën penale të organizatorit të kryengritjes së armatosur, parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, nga organi i prokurorisë, duhet të përgjigjet penalisht për veprën e mësipërme dhe, duke qenë se krimi i mësipërm, për të cilin akuzohet, është me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe kombëtare për rendin kushtetues dhe se vetë i akuzuari paraqet rrezikshmëri shoqërore të theksuar, çmohet se atij duhet t’i hiqet imuniteti parlamentar, për t’i lënë rrugë të lirë organit të prokurorisë të kryejë hetimet dhe e autorizon atë që të fillojë procedim për deputetin Sali Berisha.

Lidhur me kërkesën e prokurorit për masën e sigurimit, dhënien e lejes për arrestimin e deputetit Sali Berisha, komisioni çmon se kjo kërkesë nuk duhet votuar nga ky komision me arsyet se:

-Zgjidhja e kësaj kërkese është atribut ligjor i organit të prokurorisë dhe gjykatës, mbështetur dhe bazuar në vendimin nr.10, datë 10.8.1993 të Gjykatës Kushtetuese, e cila në interpretim të nenit 20 të Ligjit Kushtetues, ka argumentuar se “Kur Kuvendi Popullor jep autorizim për procedim penal të një deputeti, nuk është e nevojshme që Prokurori i Përgjithshëm të kërkojë nga Kuvendi Popullor autorizim të veçantë për arrestimin e deputetit ndaj të cilit ka filluar procedimi penal”.

Në këto rrethana komisioni çmon se:

-Janë vetë organet e drejtësisë tërësisht kompetente që të vendosin për kërkesën e saj, arrestimin e deputetit Sali Berisha, duke u lënë këtyre organeve rrugë të lirë. Për sa më sipër, komisioni, bazuar në nenin 22 të Dispozitave Kryesore Kushtetuese, miratoi me unanimitet të plotë kërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënien e autorizimit organit të prokurorisë për ndjekjen penale ndaj deputetit Sali Berisha për krimin e parashikuar nga neni 221 i Kodit Penal, si edhe për heqjen e imunitetit parlamentar.

Lidhur me kërkesën nr.1425/1, datë 14.9.1998 për fillimin e procedimit penal, heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetëve: Vili Minarolli, Pjetër Arbnori, Shaban Memia, Jemin Gjana dhe Leonard Demi, deputetë të Kuvendit Popullor, komisioni gjykoi se:

-Kjo kërkesë duhet t’i kthehet organit të prokurorisë, pasi nuk është e plotë dhe meqenëse ligji penal dhe procedural kërkon përgjegjësinë individuale penale për çdo deputet të akuzuar, gjë për të cilën edhe vetë Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se është i gatshëm ta pranojë këtë kthim si parregullsi për t’i paraqitur përsëri pranë këtij komisioni kërkesat në mënyrë individuale.

Për këtë arsye, komisioni vendosi që t’i propozojë Kuvendit Popullor t’ia kthejë këtë kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm me orientimin për ta risjellë të riformuluar me akuzat përkatëse individuale.

Në përfundim, komisioni përcjell për shqyrtim në seancë plenare propozimet përkatëse në relacionin e mësipërm.

Skënder Gjinushi – Duhej të shprehej vetë deputeti për të cilin kërkohet t’i hiqet imuniteti.

Për të proceduar për votimin do të ngrihet një komision, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë. Votimi është i fshehtë dhe me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Kryetarët e grupeve parlamentare të bëjnë propozimet e tyre. Grupi i Partisë Socialiste, zoti Majko.

Pandeli Majko – Nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste propozojmë për në komision deputetët Ilir Zela dhe Luan Rama.

Skënder Gjinushi – Grupi i PSD -së, zoti Aliko.

Haxhi Aliko – Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate propozon zotin Luftim Ahmetaj.

Skënder Gjinushi – Zoti Ceka.

Neritan Ceka – Propozoj të jetë në komision edhe zoti Jonuz Begaj.

(Gjithashtu anëtar i komisionit të votimit del dhe zoti Nikollë Lesi si deputet i pavarur.)

Skënder Gjinushi – Të hedhim në votë propozimet e bëra për përbërjen e komisionit.

(U votuan dhe u miratuan një për një anëtarët e komisionit të votimit që janë: Luan Rama, Luftim Ahmetaj, Jonuz Begaj, Nikollë Lesi, Ilir Zela.)

Komisioni të tërhiqet për të zgjedhur kryetarin.

(Pas një largimi të shkurtër komisioni kthehet në sallë.)

Nikollë Lesi – Komisioni i votimit, pas një mbledhjeje të shkurtër, vendosi Nikollë Lesin kryetar dhe zotin Luftim Ahmetaj sekretar.

Do t’ju lexoj nenin 97 të Rregullores së Kuvendit Popullor që flet për procedurën e votimit

“Votimi i fshehtë bëhet duke hedhur në kutitë e votimit fletët përkatëse ose me mjete elektronike.

Fleta e votimit të fshehtë duhet të përmbajë të paktën

  1. Objektin e votimit;
  2. Opsionet e votimit “PRO”, “KUNDER”dhe “ABSTENIM”.

Në votim deputeti shënon me kryq në opsionin për të cilin ai është dakord. Çdo shënim tjetër e bën të pavlefshme fletën e votimit”.

Atëherë të fillojmë procesin e votimit.

Deputeti Luftim Ahmetaj do të fillojë të lexojë me radhë emrat e deputetëve; secili prej tyre do të marrë fletën e votimit dhe do të kalojë në dhomën e fshehtë.

(Deputeti Luftim Ahmetaj lexon emrat e deputetëve me radhë.)

(Më poshtë është lista e deputetëve që morën pjesë në votim)

Fatos Nano, Dritëro Agolli, Bashkim Fino, Namik Dokle, Maqo Lakrori, Pandeli Majko, Ethem Ruka, Kastriot Islami, Arta Dade, Ermelinda Meksi, Elmaz Sherifi, Lush Përpali, Ylli Bufi, Sabit Brokaj, Kadri Rrapi, Tajar Koleci, Arben Malaj, Musa Ulqini, Bardhyl Agasi, Petro Koçi, Lili Nushi, Luan Rama, Ndre Legisi, Hamdi Jupe, Sadedin Stankaj, Ilir Meta, Theodhori Bej, Anastas Angjeli, Leontiev Çuçi, Bilal Draçi, Flamur Hoxha, Fatri Sinani, Luan Shahollari, Muhamet Bela, Vangjel Tavo, Natasha Paço, Ejup Tabaku, Astrit Llanaj, Zamira Çaka, Niko Pandeli, Limoz Dizdari, Agron Tato, Maksut Balla, Niko Faber, Ilir Zela, Adrian Myslimaj, Erion Braçe, Spartak Poçi, Sulejman Kuqi, Lekë Gjiknuri, Rami Mehmetllari, Flamur Rogu, Ramadan Hasanaj, Ndrec Pema, Keti Qosja, Hasan Hoxha, Astrit Kola, Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Merita Ndreko, Hamit Gjoni, Eduard Andoni, Faslli Haliti, Ibrahim Baçi, Luan Memushi, Stefan Çipa, Mark Nikolli, Afërdita Stefani, Halil Lalaj, Dritan Çerma, Luiza Hoxhaj, Fran Pjetri, Dalip Pero, Ali Dervishi, Pëllumb Shullazi, Xhemali Xhixha, Spartak Braho, Alush Xhihani, Zihni Beqiraj, Ilirjana Kërçuku, Zyhdi Pepa, Luan Hajdaraga, Ilo Konstandini, Lesko Gjata, Ismail Togu, Shpëtim Kateshi, Skënder Katana, Ndriçim Hysa, Fatmir Xhindi, Maksim Shuli, Sokol Hazizi, Dashamir Karafili, Banush Gozhdari, Dashamir Kamberi, Arbër Qilimi, Lekë Çukaj, Nazmir Bilani, Haxhi Aliko, Paskal Milo, Gaqo Apostoli, Kiço Blushi, Pavli Zëri, Afrim Çenga, Luftim Ahmetaj, Skënder Gjinushi, Ligoraq Karamelo, Ziso Lluci, Lufter Xhuveli, Vladimir Fejzo, Neritan Ceka, Arben Imami, Nikollë Lesi, Jonuz Begaj, Maksim Hasani.

Votimi do të jetë transparent; kutia do të hapet edhe në prezencë të gazetarëve.

– Mbyllet procesi i votimit.

– Pasi hapet kutia e votimit fillon numërimi i votave.

– Hartohet procesverbali i komisionit të votimit, i cili lexohet nga kryetari i këtij komisioni, deputeti Nikollë Lesi.

Nikollë Lesi –

PROCESVERBAL

Sot, më datën 18.9.1998, komisioni i votimit i ngritur për ndjekjen e votimit të fshehtë lidhur me heqjen e imunitetit të deputetit Sali Ram Berisha dhe dhënien e autorizimit për ndjekje penale, i përbërë nga deputetët

Nikollë Lesi Kryetar

Luftim Ahmetaj Sekretar

Luan Rama Anëtar

Ilir Zela Anëtar

Jonuz Begaj Anëtar

pasi vlerësoi se procedura e votimit u zhvillua në përputhje me Rregulloren, në përfundim të votimit konstaton se :

– Kanë marrë pjesë ne votim 113 deputetë,

– Kanë votuar për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha dhe dhënien e autorizimit për ndjekje penale: 108 (pro) deputetë.

– Kanë votuar kundër heqjes së imunitetit: asnjë (kundër) deputet.

– Kanë abstenuar: asnjë (abstenim) deputet.

– Të pavlefshme janë 5 fletë votimi.

Në përfundim, komisioni shpalli se nga votimi i kryer, në bazë të kërkesave të neneve 97 dhe 178 të Rregullores së Kuvendit Popullor, del se për heqjen e imunitetit të deputetit Sali Ram Berisha dhe dhënien e autorizimit për ndjekje penale kanë votuar 108 deputetë.

Komisioni

Nikollë Lesi, Luftim Ahmetaj, Luan Rama, Ilir Zela, Jonuz Begaj (së bashku me firmat e tyre).

Maksim Hasani – Si do të procedohet më tej tani që iu hoq imuniteti Sali Berishës?

Skënder Gjinushi – Nga prokuroria pati dy kërkesa, por nga Kuvendi u dha pëlqimi vetëm për heqjen e imunitetit për të lejuar ndjekjen penale, ndërsa masën e arrestit e vlerëson prokuroria./TemA

Back to top button