Tuneli i Llogarasë, nga Dukati në Palasë për 7 min! Në garë 2 oferta ndërkombëtare, Balluku: Të vlerësohen kostot e ndërtimit

Prezantohen 2 ofertat me projektet inxhinierike për ndërtimin Tunelit të Llogarasë. Nga 7 kompani që kanë marrë pjesë në garë 5 janë skualifikuar. 2 konsorciumet e huaja kanë prezantuar projektet e tyre për Metodologjinë e Punës dhe Zgjidhjet Teknike që ofrojnë.

2 konsorciume ndërkombëtare. I pari bëhet nga bashkimi i operatorëve austriak IC Conculent, kompanitë Elea dhe Ibe sllovene dhe kompanitë lokale CIT Concalting dhe IVA Concalting. Ndërsa konsoprciumi tjetër përbëhet nga SWS ingynery spa kompani inxhinierike italine dhe kompanitë lokale Lazo SHPK dhe NetGroup SHPK”, Kledia Ngjela nga Ministria e Infrastrukturës.

Gara ndërkombëtare u hap më 20 qershor dhe ditën e nesërme Komisioni Vlerësues i Ofertave pritet të shpallë fituesin. Për ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku gara ishte e suksesshme dhe se kompanitë duhet të vlerësohen në detaje për kostot që ka realizimi i këtij projekti.

Siguria rrugore u nënvizua nga të dy studiot projektuese, duhet të merret parasysh edhe eficenca e kostos. Juria duhet të marrë parasysh edhe eficencën e kostos pasi duhet të garantojmë sigurinë por përmes një investimi sa më eficent. Nuk kërkojmë thjeshtë një zgjidhje infrastrukturore por edhe një zgjidhje arkitekturore duke qenë se Llogaraja është një nga pikat tonë me shumë rëndësi për turizmin. Duhet të nisim sa më parë procedurën e tenderimit, do të bëhet me para të buxhetit të shtetit dhe me mbështetje financiare dhe duhet të hapet tenderi brenda këtij projekti” u shpreh Balluku.

I pranishëm në prezantim Ministri i Turizmit Blendi Klosi e vuri theksin tek zhvillimi që do të marrë turizmi nga ky projekt.

“Aeroporti i Vlorës por edhe Tuneli i Llogarasë do të japin mundësi që investimet e ndërmarra në mënyrë masive nëpërmjet investimit që do të realizohet në tunelin e Llogarasë do të mund të ofrojnë një shërbim elitar për zonën e bregdetit të munguar prej konektitetit të shpejtë në këtë zonë”, tha Klosi.

Në muajin qershor qeveria miratoi edhe një fond prej 150 milionë lekësh për rishkimin e studimit të fizibilitetit dhe projektit të detajuar inxhinierik të veprës, i cili do të nxjerrë koston e ndërtimit dhe të ardhurat potenciale që do të vilen nga kalimi i automjeteve në tunel. Kjo vepër që do ta shkurtojë distancën kohore të segmentit nga fshati Dukat në dalje të Palasës, nga rreth 1 orë që përshkohet aktualisht në vetëm 7 minuta. Tuneli do të ndërtohet me paratë e buxhetit të shtetit, por pas përfundimit do të vendoset dhe një tarifë për përdoruesit e tunelit. Ndërtimi i tij parashikohet të ketë një vlerë 550-650 mln euro, ndërsa pritet që investimi të rrisë punësimin me 12 mijë persona.

Back to top button