Ukrainasja me origjinë shqiptare, kthehet të jetojë në vendin e të parëve (VIDEO)

Vendlindje ka Ukrainën, por me kombësi është shqiptare. Quhet Nelly dhe flet shqip. Në një rrëfim Nelly flet për origjinën e saj.

Nelly ka lindur në Karakurt të Ukrainës, por me origjinë është shqiptare.

“Nga Korça. Dhe ne flasim vetëm shqip. Kur linda, dëgjoja vetëm shqip. Jo rusisht, jo ukrainisht, vetëm shqip”.

Më vonë Nelly kuptoi që ishte shqiptare ndodhi kur pa që nuk ngjasonte me fëmijët e tjerë.

“Unë jam me flokë të zeza, sy të mëdhenj. Kur më pyesnin nga je ti? Nga cili vend i botës? Ti nuk je nga Ukraina. Unë thosha, po, kam lindur këtu, vetëm se unë jam shqiptare me origjinë”.

Nelly tregon se përmes videokasetave, ajo ka mësuar të kërcejë vallet shqiptare. Ndërsa më pas u diplomua, duke u përfaqësuar pikërisht me Shqipërinë.

“Kur unë dëgjoj muzikë shqip, mua zemra do të kërcej. Gjaku ngrihet dhe unë kërcej. Djali im kur ngrihet në mëngjes i vë muzikë shqip”.

Megjithatë, valltarja me origjinë shqiptare nuk u mjaftua vetëm me historitë e familjarëve, por erdhi të zbulonte tokën e të parëve të saj si dhe të mësonte në Universitetin e Tiranës gjuhën shqipe, kur dhe u bekua me fëmijën e parë.

“3 muaj pasi erdha ne Shqipëri, mësova se isha shtatzënë. 10 vjet ne donim fëmijë por nuk mundëm. Shkova në universitet, mësova me barkun e madh. Mësova shqip dhe bëra pagëzimin dhe i dhashë emrin Ervin”.

Për t’i shpërblyer ndihmën që i dhanë shqiptarët gjatë shtatzënisë, Nelly ka ndërmarrë një nismë.

“Dua t’u mësoj pa pagesë shqiptarëve vallëzimet. Për mua është shumë e tëndësishme që të dijë e gjithë bota shqip”.

Back to top button