VIDEO/ Viti 1961, si e fundosi një spiun grek elitën e komunitetit çam

Në vitin 1960, në prag të prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, komunistët shqiptarë piketuan dhe nisën goditjen e grupit armiqësor të radhës.

Sipas aktpadisë, të arrestuarit kishin planifikuar përmbysjen me dhunë të pushtetit popullor në Shqipëri në bashkëpunim me të konsideruarit revizionistë jugosllavë, me të konsideruarit monarko-fashistë grekë si dhe me Flotën e Gjashtë Amerikane të stacionuar në Detin Mesdhe.

Të gjithë anëtarët e grupit ishin pjesëtarë të komunitetit të refugjatëve çamë, banues ose ish-banues në Konispol dhe zonat pranë këtij ekstremi jugor të vendit.

Më i shquari ndër ta ishte ushtaraku Teme Sejko, deri para pak javësh në postin e Kundëradmiralit të Flotës Ushtarako-Detare, vëllai i tij më i madh, Taho Sejko, ish-gazetar i Zërit të Popullit dhe drejtor i parkut automobilistik të Shkodrës, Tahir Demi – kryetar i komitetit ekzekutiv të Elbasanit, Abdyl Resuli – ushtarak dhe disa të tjerë.

Sipas pretencës së Kryeprokurorit të Republikës, Aranit Çela, plani i këtij grupi, të epitetuar si kriminal, për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri ishte i tillë:

“…Të akuzuarit, që mbanin lidhje me shërbimet sekrete jugosllave, greke dhe amerikane, ishin duke përgatitur një kryengritje të armatosur kundër pushtetit popullor. Njëkohësisht këto shërbime sekrete kishin nisur të organizonin e stërvitnin emigrantë të arratisur jashtë vendit për ti dërguar në territorin shqiptar si diversantë me qëllim për të krijuar bazat e kryengritjes.”

Por sa të vërteta ishin këto akuza që do të çonin në plumb elitën e emigrantëve çamë në Shqipëri?

Ashtu si në raste parakaluese, apo edhe të mëpasme, të gjitha akuzat ishin të montuara.

Madje në rastin e Teme Sejkos, për të bërë gjithçka më të besueshme, Sigurimi i Shtetit do të përdorte edhe një agjent grek të quajtur Kosta Fili, i cili ndërkohë vuante dënimin me burg për akuza të ngjashme.

Vetë Kadri Hazbiu, në këtë kohë ministër i Brendshëm, e takon spiunin grek duke i thënë tekstualisht: Të fola këtu, është bërë një tenxhere me kabuni, shiko mos i hedhësh një grusht kripë brenda se pastaj përgjigjesh ti me kokë”.

Kabunia – një ëmbëlsirë me bazë orizin – ishte pikërisht çorba e hidhur që Kadri Hazbiu kishte përgatitur për ish-mikun e vet Teme Sejko. Spiuni grek, në këmbim të ndonjë favori në burg, duhet të dëshmonte në gjyq kundër Teme Sejkos, duke e akuzuar atë si lidhje të grekëve.

Kështu u fabrikua një proces pas të cilit çamët, që të gjithë ata, sipas një orientimi të pashpallur nga pushteti i kohës, do të emërtoheshin si “të pabesë”. Një histori që do të vazhdonte gjatë.

E gjithë kjo ngjarje do të jetë e plotë të shtunën në mbrëmje, në  Tv Abc News, në hapësirën e emisionit Abc/Story nga gazetari Ferdinand Dervishi, në (ora 22:00) e ndërtuar përmes dokumenteve ekskluzive dhe pamjeve reale të procesit gjyqësor të kohës./abcnews.al

Back to top button