Vrasje dhe tortura/ Akuzat dhe emrat e koduar ndaj ish-shefit të Inteligjencës të arrestuar nga Gjykata e Hagës

Salih Mustafa është i arrestuar i parë nga Gjykata e Hagës për krime kundër lufte. Komandant Cali siç njihej në kohën e luftës së UÇK-së, ish-shefi i shërbimit të Inteligjencës së Forcaës së Sigurisë Kombëtare të Kosovës ndodhet në dhomat e paraburgimit.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës së Hagës në Kosovë përmes një komunikate për media ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Salih Mustafës. Sipas njoftimit, Mustafa është transferuar në objektin e paraburgimit, në Hagë. Aktakuza ndaj tij është konfirmuar më 12 qershor, ndërsa nuk është bërë publike në atë kohë.

Salih MUSTAFA ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’).

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, thuhet në njoftim.

Në këtë aktakuzë të konfirmuar, sipas Kallxo.com, Mustafa akuzohet në forma të ndryshme të përgjegjësisë penale, për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë.“ Për arsye sigurie, gjykatësi i procedurës paraprake urdhëroi që aktakuza të bëhej publike me redaktime”.

Për paraqitjen e Salih Mustafës para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftohet më vonë, ndërsa paraqitja e parë në seancën publike mund të ndiqet në transmetim me video përmes faqes së internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Akuzat e Hagës

Njësiti BIA kishte afërsisht 500-600 ushtarë të cilët vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash. Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, njësiti BIA vepronte nga një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash.

Njësiti BIA e përdori kompleksin si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje (‘kompleksi i ndalimit në Zllash’). Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Salih MUSTAFA ishte në dijeni të rrethanave faktike të konfliktit të armatosur dhe të faktit se viktimat ishin persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Sipas dokumentit të publikuar nga Gjykata Speciale, ish-komandant Cali udhëhiqte njësinë BIA, e cila kishte 500-600 ushtarë. Ai akuzohet për ndalime arbitrare, trajtime mizore, tortura dhe vrasje të paligjshme.Vendi i krimit, sipas aktakuzës, pretendohet që është një kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës. Viktimat, sipas këtij dokumenti, ishin njerëz civilë që nuk kishin lidhje me luftën.

Afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkëtt ë marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte kryerjen e krimeve të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, Salih MUSTAFA dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’ ose ‘komandant Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës, sikurse përshkruhet në paragrafët e mëposhtëm 21-27 dhe 29. Këta persona u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar pa bazë ligjore, nuk u informuan për arsyen e arrestimit ose ndalimit të tyre dhe/ose nuk iu dha mundësia të paraqisnin ankesë për ndalimin e tyre.

Back to top button