1.62 mln euro për parkun e Divjakë-Karavasta, Klosi: Të mbrojmë florën dhe faunën

1.62 milion euro do të investohen në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, i cili pritet të pësojë një ndryshim në orientimin edhe me fonde te qeverisë japoneze.

Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar JICA, ka nënshkruar një marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë për zbatimin e projektit “Ngritja e kapaciteteve për Përmirësimin e Menaxhimit të Ekosistemeve” në park.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se ky park rrezikohet si nga evazioni i kërkesave për zhvillim turistik ashtu dhe nga rreziqet natyrore.

Klosi: Të përcaktojmë qartazi rreziqet që ka ai park jo vetëm nga evazioni i kërkesave për zhvillim turistik në atë zonë që është rreptësisht e mbrojtur dhe të gjejmë raportin me zonën që është e pambrojtur, pra, me zonën që mund të bëhet zhvillim nuk e ka hotelerinë që për hir të së vërtetës janë shumë të pakta në atë zonë. Por më shumë se kaq të kuptojë kush janë rreziqet që ka laguna në të ardhmen. Nga ana e tyre lumi po sjell shumë më tepër rërë dhe tashmë largësia e lagunës me detin është kaluar në një fazë mëse kritike prandaj në qoftë se duam që laguna të jetojë për gjeneratën tjetër do të duhet të bëjmë investime të vërteta.

Ndërkohë Ambasadori i Japonisë, Makoto Ito, theksoi faktin se problemet mjedisore tashmë, janë një sfidë e përbashkët.

Ito: Projekti pritet të promovojë një qasje të menaxhimit të bazuar në eko-sistem dhe forcimin e funksionit të këtij Parku Kombëtar. Ky projekt është më i ri në vardun e Projekteve të Zhvillimit që Japonia ka zbatuar në Shqipëri në sektorë të ndryshëm si infrastruktura, bujqësia, shëndetësia, zhvillimi dhe planifikimi hapësinor.

Zhvillimi dinamik dhe urbanizimi i shpejtë po çojnë në degradimin dhe copëtimin e habitateve natyrore. Ky projekt pritet të zgjasë rreth tre vite.

Back to top button