Akuzat e Berishës kundër ish-shefit të CIA-s nga Qeparoi/ Një ballafaqim mes atyre që ka thënë Xhorxh Tenet dhe ato që thotë ish-presidenti i ’97

Xhevdet Shehu

U befasova jashtëzakonisht pardje kur dëgjova se ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi ish-shefin e CIA-s, George Tenet. Duke ditur mënyrat e sjelljes së këtij ish-it tonë dhe akuzat e paprincipta që ai ka bërë e vazhdon të bëjë për 30 vite me radhë, ky sulm i fundit të tij nuk kishte asgjë për t’u çuditur. Ajo që më befasoi është se si dhe pse u kujtua Berisha të godasë Tenetin pas më shumë se 15 vjetësh pasi ai ka lënë detyrën? Ç’ishte gjithë ai mllef? Dhe pse Berisha ka aq shumë urrejtje për drejtuesin më të suksesshëm dhe më jetëgjatë në detyrë të CIA-s, pas Alen Dallesit?

Unë jam sjellësi në shqip i librit me kujtime të Xhorxh Tenetit “Në syrin e ciklonit. Vitet e mia në CIA”. Por nuk marr kurrsesi rolin e avokatit të Tenetit, të cilin as e kam takuar dhe nuk e njoh personalisht. Thjesht pata fatin të jem përkthyes i librit të tij. Xhorxh Tenet ka lindur në Shtetet e Bashkuara, është një qytetar amerikan dhe fakti që ai nuk e mohon origjinën, është mjaft domethënës. Është thuajse bashkëmoshatari im dhe është një profesor universiteti aktualisht.

Libri i tij është i mrekullueshëm dhe gjatë përkthimit kam mësuar shumë gjëra se si funksionon demokracia amerikane, kam mësuar shumë gjëra për botën arabe, çfarë ndodhi më 11 shtator 2001 dhe si lindi lufta kundër terrorizmit në plan global. Këtë libër voluminoz me rreth 700 faqe e di me imtësi dhe mund të shkruaj gjatë për të. Por këtu do të mjaftohem për të treguar se nuk ka gënjyer Teneti, por ai që gënjen është Berisha. Ai nuk ka shkruar as edhe një rresht për Shqipërinë e viteve kur ishte në detyrë dhe nuk e përmend kurrkund emrin e ish-presidentit shqiptar.

Atëherë ku fle lepuri i zemërimit të Berishës?

Për të vërtetuar këtë, po i referohem librit të Tenetit, por edhe disa momenteve që i kam përjetuar vetë nga koha kur Teneti ishte në detyrë.

E para, lidhur me origjinën e Tenetit. Berisha tha se “Tenet është nga Qeparo, një familje shumë e mirë. Problemi it ij është se ai është ushqyer, edukuar në shkollat e ekstremizmit grek kështu që ai kishte një pikëpamje të veçantë për Shqipërinë, për minoritetin.”

Në të vërtetë, Teneti nuk e ka mohuar asnjëherë origjinën e tij. Ai shkruan se “Unw jam grek, por vij nga një fshat që ndodhet në Jug të Shqipërisë”. Diku tjetër thotë se kur ishim të vegjël, prindërit tanë flisnin greqisht me njëri-tjetrin, por kur donin që ne fëmijët të mos merrnim vesh ato që ata bisedonin, flisnin shqip.

Teneti shkruan edhe këtë episod në librin e jetës së tij pasi u emërua shef i CIA-s:

“Përmendja më e mirë erdhi nga nëna ime, Evangjeli Tenet. Ndonëse ajo kishte qenë në këtë vend prej dyzet e pesë vjetësh, ngrohtësia e bashkësisë greko-amerikane ishte kaq e fortë, sa që ajo ende flet një anglishte të çalë. “Unë kam një djalë në CIA dhe një djalë që është doktor i zemrës. Jo keq, ë?”, i kishte thënë ajo Daily News-it. Jo keq, në fund të fundit, por historia e vërtetë ishin prindërit e mi, as vëllai im dhe as unë. Është e pamundur ta zmadhoj ndikimin e tyre. Edhe pse kam takuar presidentë, mbretër, emirë dhe njerëzit më të fuqishëm të botës, dy njerëzit që unë deri më tani admiroj më shumë janë mëma dhe im atë.

Im atë, Xhon Tenet, ishte zot i vetes që nga dita që ishte dëbuar nga shtëpia e tij, kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, nga një baba i shthurur në Greqi. Ai fillimisht shkoi në Francë dhe gjeti punë në një minierë qymyri. Atje, ai shumë shpejt u bind se minierat nuk ishin e ardhmja e tij, ndaj dhe u nis drejt Shteteve të Bashkuara – ku mbërriti në Elis Ajlend (Ellis Island), pak përpara Depresionit të Madh. Ai nuk kishte asnjë cent në xhep dhe asnjë të njohur. Gjithë ajo ç’dinte ishte se donte të ishte zot i vetes dhe të kujdesej për familjen e tij, dhe që në Amerikë me punë të mundimshme do të arrinte atë që gjetiu nuk mund të përfytyrohej. I mbështetur vetëm te kjo bindje, ai arriti atë që kishin bërë edhe shumë emigrantë të tjerë grekë: hapi një restorant.”…

E ç’të keqe ka këtu për ta akuzuar Tenetin si gënjeshtar? Kur u promovua botimi shqip i Tenetit në Vlorë dhjetë vjet më parë, unë jam takuar me të afërt të tij nga Qeparoi e Himara dhe ata, shqiptarë të kulluar, ndiheshin shumë krenarë me Xhorxhin që mundi të ngjitej aq lart, deri shef i CIA-s…

Akuza e dytë e rëndë që Berisha i bën Tenetit është se e quan gënjeshtar, sepse paska gënjyer edhe presidentin Bush para luftës në Irak. Berisha thotë: “Gënjeshtar kongenital, jo gënjeshtar. I lindur. Ai është njeriu i cili i tha George Bush se Sadam Husseini ka armë të shfarosjes në masë. Dhe presidenti Bush ka pranuar si gabim të jetës së tij atë akt që e bazoi te ky njeri.”

Pikërisht e kundërta është e vërtetë. Teneti e ka informuar rregullisht presidentin e tij, se kush ishte burimi i së keqes që i erdhi Amerikës dhe se Iraku nuk ka disponuar armë të shkatërrimit në masë.

Ja çfarë shkruan Teneti një ditë pas sulmit të 11 shtatorit:

“Me të mbërritur në Shtëpinë e Bardhë, pashë personelin e Shërbimit të Fshehtë të gardhuar shumë pranë njëri-tjetrit, të gjithë me armët gati për zjarr. Mbi kokat tona fluturonin aeroplanë gjuajtës, që përshkonin tej-tëhu qiellin e kryeqytetit. Më pak se njëzet e katër orë më parë, Amerika ishte sulmuar nga një ushtri e huaj e panjohur. Mijëra të vdekur në Nju-Jork, në Pentagon dhe në një fushë të Pensilvanisë. Në CIA, unë kisha shumë arsye të besoja se sulme të tjera mund të ndodhnin në orët apo ditët e tjera dhe se 11 Shtatori ishte vetëm breshëria fillestare e një goditjeje të shumëfishtë mbi kontinentin amerikan.

Po mendoja mbi gjithë këto ndërsa ecja nën strehën që të çon në Anën Perëndimore dhe pashë Riçard Perlin (Richard Perle) duke dalë nga ndërtesa ndërkohë që unë po hyja. Perli është një nga krijuesit e lëvizjes neokonservatore dhe, në atë kohë, ishte kryetar i Komisionit për Politikën e Mbrojtjes, një grup këshillimor i pavarur i sekretarit të Mbrojtjes. Njohja midis nesh ishte më pak se sipërfaqësore. Ndërsa dyert u mbyllën pas tij, ne shkëmbyem nga një vështrim dhe i përkulëm kokat njëri-tjetrit. Sa kisha mbërritur te dera ku do të hyja, kur Perli u kthye nga unë dhe më tha, “Iraku ka për ta paguar shtrenjtë për atë që ndodhi dje. Ata e kanë përgjegjësinë”.

U shastisa, por nuk thashë asnjë fjalë. Tetëmbëdhjetë orë më parë kisha këqyrur me vëmendje listat e udhëtarëve të katër aeroplanëve të rrëmbyer që tregonin pa dyshim se al-Kaeda ishte pas atyre sulmeve. Gjatë muajve dhe viteve në vazhdim ne do të shqyrtonim me kujdes mundësinë e një roli bashkëpunues të mbështetësve shtetërorë. Megjithatë, informacionet e shërbimit të fshehtë pasandaj nuk treguan ndonjë përzierje të Irakut në ngjarje.”

Në të gjithë librin e Tenetit flitet se sulmi i 11 shtatorit ishte organizuar nga Al Kaeda dhe jo nga Iraku. Për këtë që nga marsi i 2001-shit, shefi i CIA-s kishte informuar presidentin Bush për rrezikun që po i kanosej. Ja një nga fragmentet:

“Në fillim të shtatorit, CIA kishte një grup njerëzish nga një shërbim i Lindjes së Mesme, të cilët punonin në emrin tonë. Asnjë nga më shumë se njëzet individë nuk e dinte se ishin duke punuar për ne. Ata ishin përqendruar në një seri çështjesh të terrorizmit. Një e treta e tyre punonte kundër al-Kaedës. Në shtator të vitit 2001, ne kishim dy agjentë të pavarur që kishin penetruar me sukses në kampet e përgatitjes terroriste në Afganistan.

Më 4 shtator, kryesorët – Kondi, Don Ramsfelld, unë dhe të tjerë – më në fund u mblodhëm në Sallën e Situatës në Shtëpinë e Bardhë. Ishte e martë, një ditë pas Ditës së Punëtorëve. Uashingtoni ishte duke iu rikthyer jetës normale, pas një tjetër gushti përvëlues. Në rrethana të tjera, takimi i kryesorëve mund të kishte pasur ndjesinë e një ribashkimi. Por ky nuk ishte i tillë. Në mbledhje mbizotëroi e njëjta temë që kishte qenë e pranishme gjatë gjithë asaj vere të gjatë: nëse Presidenti duhej ta miratonte kërkesën tonë për fluturimin e Grabitqarit të armatosur. Mjerisht, Grabitqari nuk ishte ende gati për ta bërë këtë, meqë sistemi i zjarrit me raketa ishte duke ecur ngadalë për të qenë gati për veprim.

Ne, gjithashtu, kishim nevojë të diskutonim çështjen se kur Grabitqari i armatosur të ishte funksional, kush duhej ta komandonte atë? Ishte një pyetje legjitime mbi atë nëse aeroplani hapte zjarr me raketa ndaj armiqve të Shteteve të Bashkuara, duhej të ishte funksion i ushtrisë apo i CIA-s. Kjo ishte një çështje e rëndësishme, ose kështu dukej në atë kohë, ndaj dhe unë isha skeptik mbi atë nëse një armë ushtarake duhej të hapte zjarr jashtë zinxhirit ushtarak të komandës. Por kjo diskutohej para 11 Shtatorit.

Gjashtë ditë më vonë, më 10 shtator, një burim i një vendi të Lindjes së Mesme, me të cilin ne bashkëpunonim, shkoi të takonte ndërlidhësin e tij të huaj dhe në thelb i tha atij se diçka e madhe do të ndodhte. Ndërlidhësi ia mohoi prerazi. Mirëpo, me sa dinim ne në atë kohë, ajo do të kishte tingëlluar së tepërmi me të gjitha paralajmërimet e tjera që kishim marrë në qershor, korrik, gusht dhe në fillim të shtatorit – frikësuese por pa ndonjë gjë të qartë.

Më pak se njëzet e katër orë më vonë, e papërfytyrueshmja ndodhi. Por për ne, ajo nuk ishte krejt e papërfytyrueshme. Ne kishim menduar vetëm për të dhe për asgjë tjetër.

Sërish një citim nga Teneti:

“Një nga misteret e mëdha për mua është se kur u bë saktësisht e pashmangshme lufta në Irak. Në periudhën pas 11 Shtatorit, si edhe në muajt përpara tij, isha i pushtuar në mënyrë të veçantë me luftën kundër terrorizmit. Netët e mija të shumta pa gjumë në atë kohë nuk ishin të përqendruara te Sadam Huseini. Al-Kaeda ishte bërë makthi im – jo nëse, por si do të godiste ajo sërish. Unë e torturoja trurin për gjëra që ne mund të shtynim, të prishnim, ose – me vullnetin e Zotit – të parandalonim një sulm. Duke kthyer kokën prapa, dua të them se mund t’i kisha kushtuar energji dhe vëmendje të barabartë Irakut. Me gjithë ato gabime, që në të vërtetë do të bëheshin, Iraku meritonte më shumë nga koha ime. Por e vërteta e thjeshtë është se nuk pashë që treni i ngarkuar po vinte aq shpejt sa duhej ta kapja.”

Më tej, në kapitullin e 17-të të librit, Teneti shkruan:

“Shtetet e Bashkuara nuk e filluan luftën në Irak vetëm për shkak të armëve të shkatërrimit në masë. Sipas mendimit tim, dyshoj madje nëse ky ishte shkaku kryesor. Gjithsesi, së jashtimi në opinion mendohej kështu.

Udhëheqësit e një vendi vendosin të hyjnë në luftë për shkak të bindjeve themelore, përllogaritjeve të gjera gjeostrategjike, ideologjike dhe, në rastin e Irakut, për shkak të pikëpamjes tejet të paqartë të administratës që transformimi demokratik i Lindjes së Mesme nëpërmjet ndryshimit të regjimit në Irak do të bëhej me një çmim që ia vlente. Armët e shkatërrimit në masë ishin, siç është cituar Pol Volfovici të ketë thënë në Vanity Fair, në maj të vitit 2003, diçka që “ne e zgjodhëm” ngaqë ishte “e vetmja çështje që çdokush mund të jetë dakord.”

Edhe diçka thelbësore nga rrëfimi i Tenetit:

“Zoti President“, i thashë një mëngjes në mars të vitit 2003, “Zëvendëspresidenti do që të mbajë një fjalim mbi Irakun dhe al-Kaedën, i cili shkon përtej atyre që thotë shërbimi inteligjent. Ne nuk e mbështesim fjalimin dhe ai nuk duhet të mbahet”.

Çështja e armëve të shkatërrimit në masë të Irakut ishte vërtitur midis nesh për shumë vite. Njerëzit besonin se e dinin atë fund e krye. Brenda administratës nuk pati debate të nxehta për konkluzionet tona. Por kishte debat, përqendrim të madh, dhe, sipas disa analistëve, trysni lidhur me çështjen e marrëdhënieve të Irakut me al-Kaedën dhe bashkëpunimin në ngjarjet e 11 Shtatorit. Ne mund të arrinim të skiconim kontaktet midis Irakut dhe al-Kaedës duke u kthyer prapa një dekadë, në kohën kur Bin Ladeni ishte në Sudan, tek Abu Musab al-Zarkaui që gjente një strehë të sigurt në Irak, dhe te të paktën një duzinë operativë xhihadistë islamikë egjiptianë që u shfaqën në Bagdad në pranverë dhe verë të vitit 2002. Ne mund të citonim stërvitjen që mund të ishte bërë, sidomos për armët kimike dhe biologjike. Por, një gjë është e sigurt: ne vazhdimisht i thamë Kongresit dhe administratës se shërbimi inteligjent nuk mund të tregojë ndonjë autoritet iraken, drejtim apo kontroll mbi ndonjë nga shumë akte terroriste të kryera nga al-Kaeda.”

Në një nënvizim të Tenetit për luftën e Irakut, thuhet:

“Shumë njerëz sot besojnë se përdorimi nga ana ime i shprehjes ‘Slam dunk’ ishte çasti vendimtar për ta bërë të paepur vendosmërinë e presidentit për të larguar Sadam Huseinin dhe për të filluar luftën e Irakut. Kjo sigurisht tingëllon bukur, por faktet e përgënjeshtrojnë atë. Këto dy fjalë, si dhe një mbledhje që u mbajt në Zyrën Ovale në dhjetor të vitit 2002, nuk kishin asgjë të bënin me vendimin e Presidentit për të dërguar trupat amerikane në Irak. Ai vendim tashmë ishte marrë”.

***

Atëherë përse e sulmoi Tenetin Berisha dhe cili ishte thelbi i zemërimit të tij? Këtë Berisha nuk na e thotë. Ndoshta ka të bëjë me vitin e zi 1997, kur Teneti kishte disa muaj që kish marrë detyrën e shefit të shërbimit inteligjent amerikan (ndërkohë që kishte qenë edhe zëvendës shef dy vitet e findit) dhe mund të dyshojë se Teneti ka ndikuar në fatin e ish presidentit të Shqipërisë. Atëherë, sikurse dihet njeriun që urrente më shumë ishte Mariza Lino, ish-ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe sipas disa dëshmive, sikurse pohon Izet Haxhia, kishte urdhëruar bombardimin e ambasadës amerikane në Tiranë. Dhe Berisha ka një inat të gjatë për ata që i mendon si armiq apo kundërshtarë të tij, sikurse e ka treguar në shumë raste edhe brenda partisë së tij.

Ndërkohë të mos harrojmë edhe faktin se kur ndodhi lufta për çlirimin e Kosovës, 1999, shef i CIA-s ishte Xhorxh Teneti. Dhe dihet që të gjitha aksionet e Shtëpisë së Bardhë nuk merren pa miratimin dhe vlerësimin paraprak të CIA-s. Berisha ishte kundër asaj lufte. Ai i bëri thirrje delegacionit kosovar në Rambuje që të mos e firmosnin marrëveshjen e famshme që e shpëtoi Kosovën nga kthetrat serbe.

Pra, mund të jetë edhe kjo një nga arsyet e shpërthimit të fundit të Sali Berishës kundër Tenetit. Duket absurde në pamje të parë, por ka një të vërtetë në thelbin e saj. Përndryshe, nuk arsyetohen dot sulmet e befta të Berishës ndaj një personi për të cilin thotë se nuk e ka takuar asnjëherë.

Back to top button