COVID 3/ Rakacolli: Funksional 50 shtretër, gati stafi mjekësor, 80 infermierë në trajnim

Zv/Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli e ftuar në studion e ABC News, me gazetarin Endri Xhafo, tha se kapacitetet spitalore janë duke u ezauruar por ka ende 40 shtretër të lirë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, të gatshëm për të pritur pacientët që kanë nevojë për trajtim të specializuar.

Sipas saj, edhe pse rastet ditore vijojnë të rriten dhe numri i shtrimeve gjithashtu, procesi i kapaciteteve është dinamik pasi çdo ditë ka shtrime, por ka edhe shërime, nga të cilat varet edhe plotësimi i shtretërve.

 “Siç e kemi thënë në fillim, kur të mbushen kapacitetet plotësisht të Covid 1 dhe 2 do të kalohet tek Covid 3. Edhe pse nuk është kollaj të përgatiten strukturat, ne jemi të përgatitur dhe Covid 3 është gati për të filluar në momentin e parë që do të jetë nevoja. Ndërkohë nga 120 shtretër në “Infektiv” dhe gati 200 të tjerë tek “Shefqet Ndroqi”, janë gati 40 shtretër ende të lirë. Njerëzit shërohen dhe duhet të themi që ky është një proces dinamik”, tha Rakacolli.

Pyetjes së gazetarit Endri Xhafo se sa mjek dhe infermiere do të punojnë në strukturën e Covid 3, Rakacolli tha se janë mbi 80 infermierë, të cilët janë duke u trajnuar për të dhënë ndihmën ndaj pacientëve të infektuar nga Covid-19, ka mjekë dhe specializantë, që sipas saj, edhe ata janë duke ndjekur trajnimin.

Kryetarja e Komitetit Teknik tha se në Covid 3, nuk do të hapen menjëherë 150 shtretërit, sa është kapaciteti i tij maksimal, por do të jenë të disponueshëm 50 të tillë, fillimisht.

“Covid 3 dhe 4, janë menduar që do të hyjnë në veprim gradualisht. Kemi parashikuar infrastrukturën dhe kemi vendosur aparatet, kemi  menduar edhe për burimet njerëzore, janë mbi 80 infermierë, kemi mjek infeksionistë që janë duke u trajnuar, kemi specializantë që edhe ata janë në trajnim të cilët do të vihen në dispozicion të trajtimit të sëmundjes. Nuk do të hapen që në fillim 150 shtretër por do të jenë funksional 50 si fillim, dhe më pas gradualisht do të procedohet në varësi të situatës. Kujdesi në Covid 3 do të jetë një kujdes terciar nga mjekët”, deklaroi ajo.

Gjatë intervistës me gazetarin Endri Xhafo, zv/ministrja foli edhe për trajtimin e pacientëve të sëmurë në shtëpi, dhe spital, si dhe për medikamentet me të cilat luftohet sëmundja.

Rakacolli tha se nuk ka ende një trajtim specifik për Covid-in, dhe se në varësi të simptomave të rënda, apo të lehta tek pacientët, përdoren medikamentet të cilat rekomandohen nga specialistët.

“Pacienti që trajtohet në shtëpi është ndryshe nga ai që trajtohet në spital, Covidi nuk ka një trajtim specifik, sëmundja trajtohet sipas fazës dhe në bazë të simptomave të të sëmurit”.

Endri Xhafo: Si komitet teknik, keni nxjerrë një kosto të trajtimit spitalor ?

Mira Rakacolli: Format janë të ndryshme, dhe nuk ka dy persona që mund të mjekohet njësoj. Format e lehta në varësi të nivelit të oksigjenit dhe shenjave të tjera të përgjithshme mund të marrin vetëm paracetamol apo të tjera medikamente të tjera të lehta. Nuk ka një kosto fikse, ajo është në bazë të formës. Format e rënda nuk trajtohen në shtëpi por në spital.

Endri Xhafo: A duhet të rimbursohen ilaçet e Covid-it duke pasur parasysh gjithë ekzaminimet që nevojiten për sëmundjen?

Mira Rakacolli: Është një pyetje e gjerë dhe nuk mund të jepet një përgjigje precize në pak minuta. Mjekimi për Covid-in ofrohet falas në spital. Mjekime të tjera siç është azitromicina, është i rimbursueshëm, paracetamoli gjithashtu. Pacientët që trajtohen në shtëpi janë forma të lehta të Covid-it”.

Back to top button