Puka, ja çfarë do të gjesh, kur të shkosh javën tjetër!

Nga Rudina Xhunga

Episodin e radhës të ciklit “Shqiptarët e mrekullueshëm”, gazetarja Rudina Xhunga ia kushtoi Pukës. Asaj Pukës që shumë pak e njohin. Pasi të shohësh edhe ti emisionin, jemi të sigurt që një nga këto fundjava do të marrësh familjen, miqtë, a kë të duash dhe do të shkosh në Pukë.

Nisu qoftë edhe natën, si gazetarja. Ditë apo natë Puka është mahnitëse. Është vetëm dy orë larg Tiranës. Dhe kur kalon Vaun e Dejës, shijoji ato 35 km mes bredhash. Dhe merr ajër me gjithë mushkëritë.

“Sapo erdha dhe jam në Pukë. Turp ta them, por unë nuk kam qenë asnjëherë. Nuk e dija si ishte ky qytet. Kemi ecur në pyll. Rruga është e mirë, e ndriçuar. Kështu që bëje javës tjetër dhe do ta kuptosh që unë s’po them asnjë fjalë më shumë nga ato që pashë. Këtu është sikur je në Zvicër. Më vjen keq në fakt që duhet të krahasojmë. Jo, more jo. Kjo është Puka dhe unë jam e turpëruar që s’kam qenë më përpara. Por të paktën kam ardhur në kohë të mirë, se nuk besoj që rrugëhyrja ne qytet ka qenë gjithmonë kështu.”– thotë Rudina, ndërsa shëtit në pedonalen e qytetit dhe flet me qytetarët që kanë mbushur qendrën e Pukës.

“Nuk e di nëse secili prej jush do të ndiente ketë që ndiej unë në një qytet të panjohur, por provojeni njëherë. Ti kujton se të gjithë venë në Theth dhe do të vesh dhe ti? Po hajde more në Pukë ta shohësh!”- vazhdon Rudina e entuziazmuar nga takimi i parë me qytetin.

Por dita është edhe më e bukur se nata. Nëse do të zgjohesh në Pukë, do të të kënaqet syri me peizazhin e gjelbër që të ofrohet gjithandej, nga parku me bredha, deri e liqeni artificial i qytetit.

“U zgjova shumë vonë në Pukë. Sepse këtu të kap gjumi dhe nuk të lëshon. Janë ca vende ku njerëzit që ankohen për gjumin duhet t’i njohin. Dhe njëri prej tyre është Puka. Tani do të shkojmë te panairi i agroturizmit, për t’ju treguar se çfarë do të hani, kur të vini javës tjetër në Pukë. Mos u vononi shumë se fillon bora. Këtu thonë që kur fillon bora është më bukur, por unë them për ata që duan të ngjisin malin e vozisin liqenin.”- thotë gazetarja teksa shkon te panairi në qendër të Pukës, ku shumë të rinj dhe jo vetëm qe tregojnë Pukën tradicionale e të kulturës, Pukën e ushqimeve bio dhe të mira.

Një grup të vajzash nga Qendra Rinore kishin ngritur stendën te panairi, ku promovonin ushqimet bio të Pukës.

“Puka ka shumë vlera, ka turizmin.”– thotë njëra nga vajzat. Të rejat që promovojnë Pukën turistike, që kanë mbaruar shkollën, shprehen se nuk kanë ndërmend ta lënë vendin e tyre.

“Ngrijeni pak zërin për të promovuar Pukën që ta dëgjojnë të gjithë. Nëse doni njerëz dhe ta ndryshoni qytetin, flisni dhe promovoni.”– u tha Rudina-vajzave.

Kur shkon nga Tirana, në qytete si Puka, ndien një çlirim dhe duket sikur aty s’ka shkuar Covid-19. Por duhet të kesh kujdes gjithandej. Edhe në panaire si ky, i cili është plot me djathë, mjaltë, arra, ftonj, thana. Çfarë s’ka në Pukë dhe çfarë s’do të gjesh kur të vesh në Pukë. Është qyteti që i ka të gjitha, është aq i lirë sa s’ta pret mendja.

Gjatë shëtitjes në panair, Rudina takon prefekten e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni.

-Vini gjithmonë në Pukë, apo vetëm në panaire?

-Jo unë kam lidhje personale me Pukën.

-Pse burrin e keni nga Gjirokastra?

-Po, burrin nga Gjirokastra, vetë nga Shkodra, por e kam një aty nga Puka.

-Magjepsëse pamja kur vjen në Pukë. Unë erdha nga Vau i Dejës.

-Është një pamje relaksuese. Pavarësisht detyrës, unë e kam shijuar sidomos tani me qendrën e re.

-Po përse nuk e keni treguar më shumë? Më vjen inat. Më thërrisni që ta promovojmë, thërrisni sa më shumë gazetarë.

-Sapo kam ardhur dhe të premtoj që do të jesh e ftuar jo vetëm në Pukë, por edhe në Shkodër. Të shëtisim gjithë qarkun e Shkodrës, Vaun e Dejës, sepse me të vërtetë ka shumë potenciale turistike, ekonomike.

-Çfarë qejfi, më pëlqeu shumë ky panairi dhe thashë një gjë shumë të çuditshme. Që njerëzit këtu në Pukë mua më kujtojnë Përmetin. Se nga e shpika këtë nuk e di, por seç ka një lloj qetësie, dashamirësie.

-Pukianët janë malësorë, dinë të vlerësojnë dhe respektojnë.

Sigurisht që gjatë vizitës në Pukë nuk mund të mungonte edhe shëtitja nga liqeni i qytetit. Gazetaren e shoqëroi kryebashkiaku i Pukës, Gjon Gjonaj

-Kryetar e ke bërë shumë bukur këtu. Kur është bukur, është bukur dhe nuk e fsheh dot. Por pse nuk është promovuar më shumë?

-Rudina ne kemi një defiçencë në promovimin e këtyre vlerave kaq të mira që kemi. Turizmi malor gjithëvjetor duhet promovuar patjetër, ndaj faleminderit që erdhe.

-Ajo rruga që bëra unë, bëhet kur është borë?

-Po. 12 muaj e hapur. Asnjë problem, asnjëherë. Ka një gjarpërim të rrugës që të jep kënaqësi. Por ti nuk di historikun e piketimit të asaj rruge, sepse në atë kohë nuk kishte aparate për të matur disnivelet. Ajo është matur me gomar. U ngarkua gomari në një pjesë të rrafshët dhe rrugën që ka përshkruar ai italianët e kanë piketuar. E piketuan dhe doli kjo rrugë. Kjo është e veçantë.

-Epo gomarët e Pukës paskan qenë të zgjuar shumë.

-Jo nuk kanë qenë të Pukës ata, gomarët i kanë sjellë italianët. Ne kemi shfrytëzuar italianët.

Puka është një qytet i jashtëzakonshëm. Ajo që duhet të bëjmë tani, është ta kthejmë vëmendjen te këto vlera që kemi. Sepse këto janë burim që gjenerojnë të ardhura, punësime. Kohët e fundit u vu re ky ndryshim, me një vendim që u mor për ndryshimin e urbanistikës në qytete nga Rilindja Urbane dhe kthimin e objekteve në atraksione turistike. Nëse flasim për këtë liqen, ky ka qenë një burim infeksioni, ku të gjitha mbetjet urbane, spitalore, ujërat e zeza gjeneroheshin këtu, sot janë kthyer në piken më të bukur të qytetit. Gjëja më e rëndësishme e Pukës nuk është cenuar, kurora. Nuk ka asnjë lloj dëmtimi. Kjo falë përkujdesjes së qytetarëve.

-Çfarë lloj druri është?

-Bredh. Sa për dijeni, ky bredh sipas një studimi ka dalë me disa vlera kurative. Për ata që kanë probleme me frymëmarrjen janë shumë kurativë. Ne duhet ta kthejmë këtë në qendër kurative për sëmundjet e brendshme. Ne po mendojmë dhe punojmë për ngritjen e një qendre të moshës së tretë.

-Kur do e ngrini?

-Mundësitë financiare janë të vogla, duhet edhe një sistem tjetër. Duhen marrë masa tekniko-organizative të cilat e përmbushin, atë detyrim të madh. Besoj se do ta kemi edhe mbështetjen e qeverisë. E kemi pasur për gjithçka që kemi kërkuar. Sot duhet të punojmë për ta kthyer Pukën në një destinacion. Sot nuk bëjmë dot fabrika dhe gjëra shumë të mëdha, por këto gjëra të vogla që gjenerojnë të ardhura. Por përveç se gjenerojnë të ardhura, sjellin edhe prurje turistike dhe bëjnë promovimin e vlerave. Me thënë të drejtën, diçka më bën shumë përshtypje. Shumë gazeta, tirazhe pafund faqesh, artikujt të ndryshëm që nuk trajtojnë qoftë edhe promovimin e një vlere të një qyteti. Sot vetëm me politikë ushqehet gjithë njerëzimi. Kjo është për të ardhur keq. Kalon edhe në ekstremizëm, me fyerje, sharje. Kur vijmë në këto pika, qytetari shihet shumë i stresuar. Ka ardhur koha që stacionet televizive, gazetat, të japin më tepër. Të promovojnë vlerat e vendit të vet. Sepse nuk bëhet me tension të paarsyeshëm. Mbi 80% e energjive tona shpenzohet për t’u marrë me gjëra joproduktive. Në një kohë ku njeriut duhet t’i krijohet mundësia që të punojë, t’i krijohen lehtësi për të punuar, të krijohen edhe kushtet, për t’u krijuar edhe të tjerëve kushte.

-Oh çfarë vendi qenka këtu. Kryetari ankohet për ata që nuk e promovojnë. Ndërsa unë them turp për ata që nuk e promovojnë. Përfshirë edhe mua. Turp të më vijë që nuk kam qenë kurrë në Pukë. Po shyqyr erdha. Erdha t’jua tregoj dhe mos më thoni që nuk ju thashë, që të vini këtu fundjavën tjetër pasi ta shihni këtë emision.

-Rudina ti ke një vlerë të veçantë, sepse po bën promovimin e vlerave reale që ka Shqipëria. Kjo është një meritë juaja, se ti je e para. Të gjitha kanë një të parë. Dhe këto ndryshime që ndodhin në qendra urbane kanë një të parë. Ato nisen ndryshimin, në 2015-ën. Pra ka një të parë.

-O pukjanë, ku jeni dhe ku s’jeni! Ju ka marrë malli për Parkun e Liqenit të Pukës? Epo nëse ju ka marrë shikojeni këtë emision. Po cmallem unë për ju. Është bukur, sa s’ka çfarë them.

Kështu e mbyll Rudina intervistën me kryebashkiakun e Pukës, për të vijuar me të tjera surpriza.

Nuk ka se si të ndodhë ndryshe, të shkosh në Pukë e të mos shijosh një xhiron në Liqen. Me një varkë te vogël që shkruan me germa të mëdha “I love Puka”, shëtitja në natyrën mbresëlënëse, që të ofron një qetësi të paparë, nuk ka të paguar.

Të rinjtë e Pukës, e ruajnë traditën. Rudina takon afër liqenit disa djem e vajza që i pëlqejnë veshjet e vjetra të qytetit. Veshjet, që janë një trashëgimi e vyer për kulturën e këtij qyteti, i trashëgojnë dhe promovojnë. Tashmë interneti është një mundësi e artë për të gjithë dhe kjo është një mënyrë që ata e përdorin, për të treguar pasuritë që kanë.

“Na ndiqni gjithmonë në youtube në kanalin tonë “Rudina Xhunga”! Çfarë nuk do të shikoni. Çdo qytet, çdo shqiptar të mrekullueshëm. Këtë radhë e ka radhën Puka. E dua Pukën, e pëlqej Pukën, e njoha Pukën. Nuk do t’i ndahem Pukës. Hajde në Pukë! Hajde që të kënaqesh! Unë e gjeta rastësisht edhe kush vjen për qejf, që të tregojë me dashuri disa gjëra, e gjen rastësisht gjënë e bukur. Kështu do ta gjesh edhe ti, jam e sigurt. Nisu një fundjavë, njihe këtë qytet dhe nuk do t’i ndahesh asnjëherë. Për të gjitha: për gjuhën, për ushqimet, për ajrin, për njerëzit, për natyrën, për bredhat. Për të gjitha çfarë ka. Por unë kaq pashë, kaq po ju tregoj. Por do të vazhdoj të shikoj dhe do të vazhdoj t’ju tregoj. Na ndiq në youtube, Rudina Xhunga.”-u shpreh gazetarja Rudina Xhunga, ndërsa në kokë mbante shaminë e kuqe, pjesë e veshjes tradicionale të Pukës.

Shpesh përballë këtij qyteti fjalët janë të tepërta, kur pamjet flasin vetë. Kudo të hedhësh sytë, do mahniteni, na besoni. Rrugët e shtruara, ndajnë në mes natyrën jeshile, me bredha të lartë. Do të duash ta lësh makinën, e të qëndrosh qoftë dhe për pak, të thithësh ajrin që s’ke të ngopur.

Pastaj, nëse ke dëshirë që jo veç të shijosh gatimet më të mira të zonës, por edhe t’i mbledhësh vetë produktet në kopsht, shko tek Agroturizëm Devin. Kështu veprojnë të gjithë ata që shkojnë atje, turistë shqiptarë e të huaj. Rudina me një kanistër në dorë, i ra rreth e përqark gjithë agroturizmit. Fruta bio, rrush, manaferra, ftonj, ka në çdo cep që hedh sytë. Është e sigurt, se nuk do të durosh t’i konsumosh deri sa t’i çosh në tavolinë. Me gjasë, kanistrën që do ta mbushësh plot, do ta çosh përgjysmë. Po mos u shqetëso, ka plot. Veç kënaqu e shijo, se këtë mundësi nuk e gjen kudo.

Thonë se të dish, është më mirë se sa të kesh. Kështu familja, ka shfrytëzuar atë që kishte, për të krijuar këtë agroturizëm. Të gjithë pjesëtarët punojnë aty, prindërit dhe 5 vajzat. Gjërat e thjeshta, janë ato që shijojnë më shumë. Ja si këto që bëmë ne. T’i mbledhësh produktet vetë, e t’i shijosh sërish në natyrë. Siç bëri Rudina. Jo në një tavolinë të zakontë, por në lëndinë, ku mund të bësh gëzuar me lëng manaferre.

Çfarëdo që të shihni në tryezë, janë të bëra vetë. Raki, reçel, fli, djathë, likere të shumëllojshme. Qerreti i Pukës, ka çudira. Rreth 25 ton manaferra, mblidhen dhe tregtohen të freskëta, tregon zonja për gazetaren.

“Kjo është e gjithë e keqja, që nuk i dimë. Dhe duke na munguar njohja, na mungon edhe kënaqësia.“, -shprehet gazetarja Xhunga.

Por ky është misioni jonë, të njohim, e të tregojmë. Duke lënë pas lënë pas këtë mrekulli që na la mbresa të jashtëzakonshme, të vendeve dhe njerëzve të mrekullueshëm, udhëtimi jonë vazhdon më tej. Nisemi drejt Sh&Sh, Rezidenca Pukë, rreth 2 km larg Fushë-Arrësit. Megjithëse, të jep përshtypjen se je jashtë Shqipërisë. Për shkak të vendit, natyrës, ngjyrave.

“Një copëz Gjermanie, apo Zvicre, një oazë, si të jetë i marrë me dorë dhe i sjellë në Pukë.”-tha gazetarja Rudina Xhunga. Vetëm se ndryshe nga Zvicra, kjo mrekulli është vetëm dy orë larg Tiranës, falë Rrugës së Kombit. Ndaj dimër e verë, rruga asnjëherë nuk do të jetë problem. Pëllumbesha Lasku, tregon se ka turistë të shumtë në çdo kohë të vitit që e vizitojnë dhe mbeten gojëhapur.

Rrugëtimi vijon për te Hani i Përparimit. Një copëz mrekullie. Me shtëpizat e drunjta, me lule, trëndafila shumëngjyrëshe dhe një qetësi që thyhet vetëm nga cicërimat e zogjve. Aty ku do të konsumoni mëngjesin më të shijshëm dhe më të mirë të gjithë trojeve shqiptare, siç thotë Përparimi.

“Një mëngjes me ushqime organike, më i bollshmi, dhe më i bukuri në trevat shqiptare.”-thotë Përparimi, i cili është modest kur flet për Hanin e tij, por jo për Pukën.

“Nuk duhet të flasim për Hanin, duhet të flasim për Pukën. Nëse flasim për Pukën, atëherë ka kuptim Hani. Hani nuk ka kuptim pa Pukën. Një qytet, i vetmi në Shqipëri që nuk ka gjakmarrje, që nuk ka sherre, që është qytet i sigurt. Njerëzit të mirëpresin me zemër të hapur. Ne kemi pasur një fat të keq, që nuk kemi ditur të flasim për Pukën. Mbase nuk kemi ditur ta promovojnë vendin tonë. Por Puka është një hallkë lidhëse e gjithë turizmit malor. Sepse ne kufizohemi me Alpet e Shqipërisë. Nga Puka, shkohet te Lumi i Shalës.”

Këtu ka 12 muaj turizëm. Rrugët nuk janë të bllokuara në dimër. Bllokohen fshatrat e largëta, po asnjëherë Puka, apo rrethinat.

Ndaj këtë dimër, lëri vendet që i ke parë. Vizito ato që ende s’i ke parë. Për natyrën, njerëzit, por edhe për mundësitë e reja. E krahasuam Pukën, me Zvicrën, por jo vetëm për natyrën e mrekullueshme. Edhe për mundësitë. E dini që në Pukë mund të bëni ski? Po, po, mund të bësh ski, patina në akull në natyrë.

Back to top button