Shkrimi i panjohur i Petro Markos: Si u krijua Banka Bujqësore në ’37-ën!

EKONOMIA NË KOHËN E ZOGUT: FAKTE DHE SHIFRA

   Historia e panjohur e themelimit të Bankës Bujqësore të Shtetit Shqiptar në vitet e Monarkisë së Zogut. Si u krijua ajo, cilët ishin specialistët italianë që dhanë asistencën teknike dhe e drejtuan atë, çfarë kriteresh duhet të plotësonte bujku shqiptar për të tërhequr kredinë, interesat që duhet të paguante për shlyerjen e saj dhe penalitetet që parashikonte ligji për abuzuesit e kredisë!?

Deri në vitin 1937 që u themelua Banka Bujqësore e Shtetit Shqiptar, në vëndin tonë ekzistonin: Banka Kombëtare e Shqipërisë, Banka di Napoli, Banka di Roma, Banka Italo-Shqiptare, Banka e Athinës dhe Banka e Beogradit, të cilat kishin hapur filialet e tyre në Tiranë, Durrës dhe dy tre qytete të tjera të vendit. Lidhur me këto, bëhet e ditur në shkrimin e mëposhtëm, i cili është botuar në revistën “Ekonomia Kombëtare” të vitit 1937, ku gazetari i njohur, Petro Marko, ka bërë një bisedë të gjatë me Ministrin e Ekonomisë Kombëtare të asaj kohe, Terenc Toçi dhe drejtorin e Bankës Bujqësore, italianin, Cav. Frigione.

Nisur nga një farë zhvillimi që mori bujqësia shqiptare në vitet e fundit të Monarkisë së Zogut, u pa e nevojshme, madje e domosdoshme, edhe hapja e një Banke Bujqësore, e cila krahas ndihmës që do t’i jepte bujkut e fshatarit shqiptar, do të bënte të mundur edhe zhvillimin e mëtjeshmë të bujqëisë në vëndin tonë, në të gjitha aspektet e saj. Deri në vitin 1937 që u themelua Banka Bujqësore e Shtetit Shqiptar, në vëndin tonë ekzistonin këto banka: Banka Kombëtare e Shqipërisë, Banka di Napoli, Banka di Roma, Banka Italo-Shqiptare, Banka e Athinës dhe Banka e Beogradit, të cilat kishin hapur filialet e tyre në Tiranë, Durrës dhe dy tre qytete të tjera të vendit tonë.

Hapja e këtyre bankave asokohe, pjesa më e madhe e të cilave ishte me kapital italian, i dha një shtysë të madhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare shqiptare, e natyrisht edhe përmirësimit të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Kjo gjë, nxiti edhe hapjen e Bankës Bujqësore më 1 korrik të vitit 1937. Po si u bë e mundur krijimi i asaj banke, cilët ishin specialistët italianë që dhanë asistencë teknike dhe e drejtuan atë, ç’farë kriteresh duhet të plotësnte bujku e fshatari shqiptar që të përfitonte kredinë, dhe çfarë penalitetesh parashikonte ligji i asaj kohe për ata kredimarrës që abuzonin me huanë e dhënë nga banka?

Lidhur me këto, bëhet e ditur në shkrimin e mëposhtëm, i cili është botuar në revistën “Ekonomia Kombëtare”, të vitit 1937, ku gazetari i njohur, Petro Marko, ka bërë një bisedë të gjatë me Ministrin e Ekonomisë Kombëtare të asaj kohe, Terenc Toçi dhe drejtorin e Bankës Bujqësore, italianin, Cav. Frigione. Shkrimin po e botojmë me shkurtime dhe duke i qëndruar strikt origjinalit në gjuhën letrare të asaj kohe.

Shkrimi i revistës ‘Ekonomia Kombëtare’: “Banka Bujqësore u çel”

Gjatë muajit korrik për gjithë botën dhe shtypin shqiptar, çështja e ditës ish çelja e Bankës Bujqësore, projekt i vjetër që ish transformuar në ëndërr dhe që më në fund u realizua. Për shtypin kombëtar çelja e Bankës Bujqësore qe temë kryesore që u rrah dhe u zhvillua me artikuj të shumtë e të ndryshëm prej gjithë atyre që intersohen për përmirësimin e bazs së ekononmisë të vendit që është bujqësia dhe blegtoria. Me këtë rast shtypi shqiptar nuk vonoi t’i parashtrojë publikut mendimin e tij që është caktuar të interesohet drejt për drejt për realizmin dhe zbatimin e udhëheqësit të madh të Shqipërisë. Kështu, dy fletoret e kryeqytetit, njëra pas tjatrës u nxituanë, muarnë dhe botuan intervista të posaçme nga titullari i Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare. Për arsye kronike dhe historike edhe në këtë të vetme Revistë Bujqësore Shqiptare duhet shkrojtur diçka mbi Bankën Bujqësore që është dinami ose shpirti i bujqësisë dhe i blegtorisë. Por dy fletoret e Kryeqytetit, katër të krahinavet dhe të përkoheshmet e tjera, a lanë gjë pa thënë mbi nevojën dhe rëndësinë e Bankës Bujqsore? Po thuaj se jo. Prandaj kjo revistë që botohet për ata që duhet të përfitojnë nga Banka Bujqësore, në përshtatje me programin praktik që i është caktuarë për të arrirë sa më mirë qëllimit që ndjek në këtë rast, po ja len fjalën prap shtypit. Ja pra se ç’thotë fletorja “Shtypi”:

Organizatorët e Bankës

E pyesim Ministrin e Ekonomisë Kombëtare, z. Terenc Toçi, -Pse keni thirrur një organizator të huaj? Nuk kishte ndonjë shqiptar të zot? – Na nuk kemi bankierë, e ma tepër bankierë të specializuem në veprime Bankare–Bujqësore. Athere pashë nevojën-natyrisht me pëlqimet e duhuna, me marrë një organizator të huaj që të vinte tek ne, me frymë miqësije. Dhe Banco di Napoli nëpërmjet E. së Tij z. Frigani, drejtor i përgjithshëm, më dërgoi këtu z. Cav. Francesco Frigoni, i cili ishte drejtor i degës agrare po për Banco di Napoli. –Mirë po me ç’konditë ka ardhur këtu zoti Cav. Frigioni?-Duhet të dihet që Banco di Napoli rrjedh nga bamirësia dhe nuk ka aksionistë. E prandaj është i lirë me ba disa gjeste bujare, siç e ka bamë me ne duke dërguar z. Frigioni me shpenzimet e Banco-s. Gjithashtu pati nderin të na dërgonte si ndihmës të drejtorit z. Luigi Pepe, edhe ky njeri shumë i gjall e me një vlerë morale dhe shkencore të lartë. Kujdesi i parë i zotit Cav. Frigioni ka qenë ky: të adoptojë ligjën dhe rregulloren simbas gjendjes dhe rrethanave të vendit t’onë, tue thesarizue eksperiencën e bame në zonate Italisë jugore, të cilat i përngjajnë pak a shumë edhe vendit t’onë.

Kush do të marrë para?

Banka e Bujqësisë çelet me ligjë dhe një rregullore që nga njena anë i sigurojnë përkrahje njerëzore e patriotike popullit bujqësor, dhe më anë tjetër mbrojtje nga gjithë ata që ende të mos ta meritonin këtë përkrahje. Dhe kanë për t’u përmirsue tuj pa fitimet që do të kenë prej Bankës ata që sillen me ndërgjegje e besnikni. Ja se kemi kthyer në fillimin e bisedës s’onë-thotë zoti Toçi duke menduar.-Duhet që Banka të mos besoj lehtësisht e duhet që të veprojë me dashtuni të ndritun.-Mendoni, se po të veprohet me dhimshuri-mëshirë dhe pa garancitë e duhuna, mund të kemi dame të mëdhaja. Pra, paret e bankës ka me i marrë dhe me i përdorë ai që e meriton, d.m.th. ai që i merr dhe i përdor me ndërgjegje duke i prurë dobi vetes dhe Ekonomisë Kombëtare. Nga nevoja që të bëhet një përgatitje e tillë serioze dhe e mirëpeshuar për një Bankë të re dhe me shumë pengime, lind vonesa e çeljes. Dështimi i Bankës Bujqësore të Shtetit-Zoti mos e dhëntë kurrë-(shton me një ton prekës z. Toçi) kishte me qenë një rrënim e moral për popullin tonë.

Rreth veprimtarisë së Bankës

Si fillojnë veprimet? Këto fillojnë me afate të shkurtra, të mesme dhe të gjata, megjithëse veprimet me afate të gjata, për pes ëvjet të parë i kemi kufizuar me shuma të vogla që s’mund të kapercejë kurrë të 1000 franga ar. –Po pse kështu?-Duam të ecë ngadalë dhe me çape të sigurtë. Ndërsa z. Toçi megjith zëmër fliste duke shpjeguar bukur veprimtarinë e Bankës, për fat të mirë hyn brenda dhomës së punës edhe z. Cav Frigioni, drejtor i Bankës për të cilën neve bisedonim. Zotëria e tij pritet bujarisht prej zotit Ministër dhe merr pjesë në kuvendimin tonë. Mbasi shkëlqesia e tij shpjegon qëllimin tonë, ky kënaqet shumë dhe kërkon leje që të flas ëdhe ky me bujkun shqiptar.

Ç’duhet të bëjnë bujqit…?!

Dhe atëhere i drejtohemi zotit Frigioni:-Nuk më thoni zotëri, ç’duhet të bëjnë bujqit që të kenë një kredi agrare? Pikë së pari bujku duhet të bëjë një lutje në Drejtorinë e Bankës në Tiranë, të drejtuar drejt për së drejti ose nëpërmjet Kryetarit të Komunës, duke kërkuar qëllimin për të cilën kërkohet huaja. (Doemos qëllimi asht i qartë: ose për farë, ose për plehra kimike, për veglat e tjera). Mirpo, kur një bujk kërkon të marrë një hua nga Banka, do të paraqesë garasitë e duhuna. E ç’janë këto garansi që janë të domosdoshm për tërheqje të hollash? –Huatë janë garantuar prej një privilegji të posaçëm në vjeljen e prodhimeve, të caktuara me ligje me garanci për shumën e dhënë prej bankës dhe pastaj me një nënshkrim garancie që mund të jepet nga i zoti i fondit,-nëse ky ka të bëjë me një qiramarrës-ose nënshkrim të një personi që mund të paguajë bankën, në rast se bujku s’do të jetë në gjendje të paguajë vetë. –Ç’është ky privilegj? Është një e drejtë pronësore e caktuar me ligj mbi vjeljet e prodhimeve. Është në krye të tërë privilegjevet që japin ligjet e tjera, me përjashtim të së drejtës shtetnore, për shpenzimet gjyqësore. –Mirë po është një bela këtu! Si mund të dijë tjatri që ndodhet një privilegj i tillë i Bankës Bujqësore?-Këtë mund ta marrë vesh kushdo kollaj. Të drejtohet pa frikë në çdo komunë, e cila do të mbajë libra të posaçme për përshkrimet e privilegjeve (lehtësirave, shënimi ynë).

Banka huaja dhe bujku

Cilat janë veprimet e tjera të bujkut? -Huatë që ky do të kërkojë mund të jenë edhe për blerjen e gjësë së gjallë e jo për shtim të blegtorisë, por për nevojat ndihmëse të shtimit të tokës, si qe etj. Për blerjen e makinave bujqësore, për blerje veglash të ndryshme, për mbjellje bimësh,-si ullinj, vreshta, pemë të lloj-llojshme-dhe këto jo për sasira të mëdha. -Për sa kohë jepen këto huara? Këto jepen për pesë vjet. Dhe do të paguhen një e pesta për çdo vjet. –Po cilat janë garancitë për këto huara? –Pikë së pari privilegji për mallin që blihet me paret e Bankës dhe pastaj mbi vjeljet. –Po huara për përmirësimin e tokës bujqësore a jepen? Ligja e parashikon se edhe këto huara: ndreqje shtëpish për bujqër, ndreqje pusesh dhe stallash, avlli, gardhe, kanale për ujë të pijshëm dhe për vaditje, për përmirësime tokash: rrugica nër prona dhe midis pronash, blerje tokash të vogla për familje të vogla. Doemos këto veprime ndër pesë vjetët e para do të kufizohen me 1000 franga. Pas kësaj periode do të shtohen edhe huat. -Për sa kohë paguhen këto dhe për sa kohë jepen? Një hua e tillë mund të jepet edhe për 30 vjet simbas rëndësisë së prodhimit që mund të të japë, d.m.th. simbas autorizimit t’arsyeshëm që paraqet vepra me mundësitë që japin prodhimet. Garancia përbëhet prej një hipoteke të posaçme dhe të privilegjuar. Që në pesë vjetët e parë të ushtrimit, do të jetë hipoteka e parë, kurse pas pesë vjetëve edhe të jetë hipotek’ e dytë ose e tretë, prapë ka vleftën e hipotekës së parë, natyrisht për veprimet që bëhen pas vjetit të gjashtë.

Kamata dhe shteti

-Me ç’kamatë jepen këto huara të Bankës? –Kamata do të caktohet prej këshillit administrativ dhe ska për të kapërcyer 6 ose 7%, simbas llojit të veprimeve. Është parapa edhe një ndihmë e shtetit për veprimet në pagimin e huarave me afate të gjata.-Ç’është kjo ndihmë e shtetit ju lutem? –Le të themi se kamata e caktuar prej këshillit administrativ është 7% dhe shteti jep një ndihmë prej 2%. Atëhere bujku paguan 5%. -Më falni edhe një pyetje tjetër:-Ç’ndryshim ka midis një huaje bujqësore dhe një huaje të zakonshme? –Huaja ordinare është një hua vehtjake, kurse huaja bujqësore është dhënë me qëllim vetëm që të përdoret në dobi të bujqësisë.

Masat për kundravajtësit

-Mirë po ç’bëhet kur një bujk të hollat që merr për hua i prish për qëllime të tjera, si për martesë, për ku e di unë? Me një fjalë ç’bëhet për ata që rrejnë Bankën? -Këtu ligja ësht’ e rreptë. Simbas nenit 22 të ligjës, huamarrësi që përdor krejtësisht ose pjesërisht shumën e marrë hua, për qëllime të ndryshme, dhe jo për ato për të cilat është dhënë huaja, ose prish ose msheh sendet që gjenden nëpër privilegjin e Bankës, dënohet me burgim të rëndë, gjer në pesë vjet, sipas nenit 458, paragrafi 2 i Kodit Penal. Më së fundi zoti Cav. Frigione shton me një shprehje kënaqësije. -Unëe kam shpresa të mira dhe besim të madh në nderin dhe në karakterin e lartë që ka punëtoria shqiptare. Prandaj jam i sigurtë se për së shpejti do të dalë në shesh vlera e madhe e bujkut t’urtë punëtor shqiptar. Dhe neve i shtërngojmë dorën duke i uruar këmbëmbarësi në misionin delikat që iu ngarkua. Dhe duke u larguar nga salla e punës, Shkëlqesija e tij zoti Terenc Toçi, shtoi edhe këto: -Tani për tani vetëm këtu në Tiranë do të çelet. Për së shpejti do të hapet një degë në Veri të shqipërisë e një tjatër në Jugë. Pastaj me rradhë do të ketë agjensira në çdo kënd t’Atdheut. Por kjo duhet të dihet prej të gjithëvet: Banka e Bujqësisë do t’ia shtrijë dorën e sajë punëtorit shqiptar të ndershëm kudo që të jetë. (P.M.) /Memorie.al

***

Ndërkohë, këto fakte dhe data vijnë me shifra,  nga monitor.al

Me përmbysjen e qeverisë së Nolit, në pushtet erdhi Ahmet Zogu. Më 25 janar 1925, Kuvendi Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

Me fillimin e vitit 1925, nisën edhe një sërë zhvillimesh për ekonominë shqiptare, pozitive, por edhe negative. Filluan iniciativat për të organizuar shoqëri aksionere në fushën e industrisë, ndërtimit, transportit. Po në këtë vit u krijua monedha e parë shqiptare (franga ar shqiptare). Futja e kapitalit të huaj u bë politika zyrtare e qeverive të Zogut. Me këtë, Zogu, në planin e brendshëm synonte të forconte pushtetin personal, të pasuronte përkrahësit e vet. Dhënien e koncesioneve e kapitalit të huaj e përdori edhe si mjet për sigurimin e të ardhurave për regjimin, në formën e huave e të rentës, që më vonë u përllogarit si një mënyrë edhe për daljen nga kriza ekonomike.

Në këtë kohë u krijuan 14 shoqëri të reja. Kapitali fillestar i tyre ishte 7.6 milionë franga ari, rreth 28% më shumë se kapitali i shoqërive të periudhës ‘21-‘24.

Në vitin 1928, numri i ndërmarrjeve arriti në 127. Kapitali vendas ishte 6 herë më i madh se në vitin 1927.

Në këtë periudhë u arrit stabiliteti i pjesshëm i ekonomisë.

Karakteristikë kryesore e kësaj periudhe është lidhja e marrëveshjeve ndërmjet qeverisë së Tiranës me grupet financiare italiane për të investuar në vendin tonë. Kështu, në vitin 1925 ndërmjet qeverisë shqiptare të asaj kohe dhe grupit financiar italian u nënshkrua marrëveshja për huanë e SVEA-s ku 96,4% e saj u përdor nga Ministria e Punëve Botore për ndërtimin e rrugëve. Kjo gjë u bë jo vetëm për nevojat ekonomike të vendit, por që të krijoheshin kushte për depërtimin e kapitalit të huaj në vendin tonë. Për të rritur ritmet e ndërtimit të

Rrugëve, në datën 6 qershor 1927, Ministrisë së Punëve Botore ju hoq aktiviteti i punëve në bujqësi.

Në vitin 1928, çifligjet zinin një sipërfaqe prej 200,000 hektarësh, nga të cilat 100,000 ishin private. Berati ishte qyteti me sipërfaqen më të madhe të çifligjeve, rreth 36,000.

Në këtë kohë, familjet më të rëndësishme të vendit ishin ajo e Shefqet Vërlacit, Ibrahim Pashës, Dervish bej Biçokut, Toptanasit, Vrionasit etj. Çifligu i Divjakës, Karavastasë dhe një tjetër iu bë dhuratë Zogut.

Gjendja infrastrukturore ishte e mjerueshme. Rrugët shërbenin vetëm për kalimin e karrocave. Mungonin urat dhe nuk kishte transport automobilistik. Pas Luftës së Parë Botërore në Shqipëri erdhën 40 kamionë, që ecnin me shpejtësi 20-25 km/orë.

Në vitin 1926, numri i automjeteve arriti në 150. Transporti detar realizohej kryesisht nga shoqëritë e huaja. Transporti ajror dhe i postës ishte në duart e italianëve.

Tregtia ishte fusha kryesore e ekonomisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u rrit qarkullimi i mallrave.

Kryesisht eksportoheshin lëndë të para bujqësore dhe blegtorale.

Shumë kompani italiane, angleze, franceze e amerikane filluan të jenë pranishme në tregun shqiptar dhe nëpërmjet sigurimit të marrëveshjeve koncesionare apo nëpërmjet investimeve direkte që nisën aktivitetin e tyre. I tillë ishte rasti i shoqërisë SISMA (Societa Italiana Sfrutamento Miniere Albania); shoqëria SEIA (Sociata Electrica Italo-Albanese); shoqëria ALBA (Azienda Lavori Boschi Albania); shoqëria EIAA (Ente Italiano Attivita Agraria); shoqëria SESA, që mori koncesionin e elektrikut në 7 qytete të Shqipërisë; shoqëria anglo-persiane “Oil Kompani”; shoqëria amerikane “Standart Oil Kompani”; sindikata franko-shqiptare e vajgurit; shoqëria gjermane INAG për shfrytëzimin e pyjeve etj. Gjatë periudhës 1925-1926, 23% e territorit të Shqipërisë përfshihej në koncesionet e dhëna kapitalit të huaj nga qeveritë e Mbretit Zog. Kjo i dha një shtytje të mëtejshme ekonomisë së vendit, e cila njohu njëfarë zhvillimi modest, por gjithsesi të evidentueshëm në periudhën 1925-1928.

Në vitin 1925 u krijua Banka Kombëtare Tregtare e Shqipërisë e cila iu dha me koncesion italianëve. Po në këtë vit u krijua shoqëria SVEA (Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) e cila do t’i jepte Shqipërisë një hua me vlerë 50 milionë franga ari. Në vitin 1927, ky fond u llogarit në 65 milionë franga ari. Interesi vjetor i kësaj huaje ishte shumë i lartë 7.5% dhe duhej të shlyhej brenda 40 viteve. Garancia që shteti shqiptar duhet të jepte ishte 8.5 milionë franga ari ose rreth 24% e buxhetit të shtetit i periudhës ‘25-‘26. Në këto kushte Italia fitoi pozita shumë të forta në Shqipëri. Banka Kombëtare Tregtare kishte kapital të parashikuar në vlerën 125 milionë franga ari. Në këtë bankë, shteti shqiptar kishte 49% të aksioneve, ndërsa Italia 51%. Gjatë periudhës ‘25-‘28, shteti shqiptar rriti ndjeshëm edhe shpenzimet e tij.

Një tjetër aspekt që forcoi pozitat e Italisë ishte edhe traktati i Tregtisë së Lundrimit, i cili i dha këtij shteti statusin e “kombit më të favorizuar”. Kjo legalizoi monopolin italian në tregtinë e jashtme. Në periudhën 1925-1928 kapitali shqiptar zinte 7-8% të akumulimeve monetare, të përllogaritur përafërsisht.

Mbas zgjedhjeve të parakohshme më 25 gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua Komisioni Statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe Parlamenti më 30 gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme. Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoi: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”.

Ai u betua (Formula e betimit):

“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

Po në vitin 1928, u miratua Statuti Themeltar, Kodi Civil, ai Tregtar, etj. U miratuan ligje për reformën agrare, heqjen e ferexhesë, etj. U hoq ligjin islamik që u zëvendësua me Kodin Civil të mbështetur tek ai zviceran, siç kishte bërë dhe Mustafa Kemal Atatürk me Turqinë. Mbreti Zog nxiti ndërtimet botore në vend, rritjen e mirëqenies, zhvillimin e tregtisë, balancim të bilanceve tregtare, shkollimin e brezit të ri, përgatitjen e inteligjencies në universitetet perëndimore, etj.

Në vitin 1929, e gjithë bota do të mbërthehej nga kriza e madhe e shkaktuar nga mbiprodhimi. Efekteve të saj nuk do t’i shpëtonte as Shqipëria. Ishte pikërisht ky viti kur u panë edhe shenjat e para të kësaj krize, kryesisht në sistemin monetar e financiar të vendit, por ato u bënë më të ndjeshme në vitin 1930. Kulmi i saj arriti në vitin 1934-‘35.

Industria pothuajse u paralizua tërësisht dhe shumë ndërmarrje të prodhimit të alkoolit, materialeve të ndërtimit, duhanit dhe cigareve, blojës dhe miellit, lëkurëve dhe këpucëve etj., u paralizuan apo falimentuan. Kriza preku thellë dhe gjithë sistemin e kreditit. Në këtë kohë, si pasojë e deficitit të vazhdueshëm buxhetor dhe vështirësive financiare që evidentoheshin në shumë fusha e sektorë të vendit, nga qeveritë e ndryshme shqiptare dhe Mbreti Zog I, u morën dhe shumë hua e kredi nga vendet perëndimore, por në pjesën dërrmuese nga Italia.

Në vitin 1931, bujqësia shqiptare u prek nga një thatësirë e madhe, e cila shkaktoi pasoja të rënda në furnizimin me bukë të popullsisë. Në vitin 1932, si pasojë e kësaj situate u importua rreth 33% më shumë grurë dhe misër.

Kriza e viteve ‘30-‘34 dallohet në shumë drejtime: përqindja e popullatës që jetonte me punë jobujqësore u reduktua nga 15.9% në vitin 1930, në 15.4% më 1938-n. Eksportet shqiptare u rritën nga 2 milionë franga ar, në 12 milionë mes viteve 1923 dhe vitit 1931, por ranë në dy vitet e mëpasshme në nivelin e vitit 1923. Gjendja e vështirë arriti kulmin në vitet 1935-‘36, kur qeveria u detyrua të shpërndajë ndihma ushqimore emergjence në zonat e varfra. Vendet që blinin mallrat shqiptare vendosën tarifë për importet e djathit, ndërsa tregjet tradicionale të gjalpit e leshit në Greqi e Turqi u përmbytën nga shitja nën kosto e ushqimeve nga Bashkimi Sovjetik. Kriza preku edhe blegtorinë e cila zinte 70% të eksportit total të vendit. Ndikim të ndjeshëm pati edhe vendosja e së ashtuquajturës “taksa e xhelepit”, e cila vendosej për kokë/bagëti. Në vitin 1933 shteti e uli me 50% këtë taksë.

Në vitin 1934, çmimi i shitjes së drithërave arriti nivelin më të ulët në rreth 7.5 franga ari. Në rënien e fortë të çmimeve, kryesisht atyre bujqësore dhe blegtorale, ndikuan edhe politikat monetare dhe kreditimi i Bankës Kombëtare Tregtare.

Në vitet e krizës, banka e pakësoi sasinë e monedhës në qarkullim dhe thelloi deflacionin. Rriti artificialisht vlerën e frangës dhe bëri që produktet të kishin çmim më të ulët.

Në mesin e vitit ‘35, Shqipëria hyri në një fazë gjallërimi. Industria e rimori veten. Zogu krijoi disa lehtësi fiskale veçanërisht për fabrikën e çimentos, e cila u përjashtua nga taksat për tre vjet.

Gjatë viteve 1931-1936, kapitali i huaj, sidomos ai italian, i diktuan qeverive shqiptare përfundimin e një marrëveshjeje për bashkimin doganor. Ky bashkim, në atë kohë, do të përfshinte ekonominë shqiptare në sistemin e ekonomisë italiane dhe hapjen pa kufizim të kapitalit italian. Bashkimi Doganor do të godiste në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e borgjezisë shqiptare të sapokrijuar. Por, edhe buxheti i shtetit, do të privohej nga një burim i rëndësishëm i të ardhurave, siç ishin ato nga doganat. Në të njëjtën kohë u rrit edhe varësia e financave shqiptare nga ato italiane. Zogu formalisht e pranoi këtë marrëveshje, por pastaj e refuzoi.

Në vitin 1938 u vu re një aktivizim i gjerë i kapitalit kombëtar në industri. Në këtë periudhë, numri i ndërmarrjeve arriti në 244, ndërsa numri i të punësuarve në 7,435.

U rrit prodhimi industrial, ndërsa bujqësia ishte në prapambetje. Në vitin 1938, sipërfaqja totale e tokës bujqësore llogaritej në 2,874 hektarë, rreth 39.5% e zinte prona shtetërore dhe private, ndërsa pronarët e vegjël zotëronin 60%.

Në Shqipëri prodhimi i drithërave nuk plotësonte nevojat. Prodhimi i grurit llogaritej në rreth 38,000 tonë, ndërsa ai i misrit në 143,000.

Pas krizës, prodhimi i kulturave industriale u rrit. Duhani zinte rreth 2,600 hektarë. Po kështu u rritën edhe drithërat frutore. Ishin mbjellë rreth 1.2 milionë rrënjë, rreth 100,000 rrënjë agrume, 41.5 milionë rrënjë vreshta, 1.6 milionë rrënjë ullinj.

Gjatë periudhës ‘36-‘38 u vu re gjallërimi i ekonomisë. Tregtia arriti në 32.7 milionë franga ari, me rritje 65%. Eksporti u rrit me 61.5%, ndërsa importi me 67.3%.

Eksportet në vitin ‘38 përfaqësonin 66.3% të nivelit të vitit 1928. Gjatë periudhës ‘36-‘38 buxheti i shtetit pati rritje.

Periudha e mbretërisë shqiptare u karakterizua nga rritja e numrit të ndërmarrjeve kapitaliste në fushën e punëve botore dhe në vitin 1939 ishin 36 ndërmarrje të industrisë së ndërtimit.

Gjatë periudhës 10-vjeçare 1929-1939 u ndërtuan 850 km rrugë kryesore, 456 km rrugë rurale, 4,062 ura të vogla me 10,250 ml dhe 76 ura të mëdha me 2,050 ml.

Rrugët automobilistike më të rëndësishme ishin Shkodër-Pukë, Ura e Matit-Peshkopi, Krujë-Burrel, Tiranë-Elbasan, Lushnjë-Mbrostar.

U ndërtuan disa ura prej betoni. Në vitin 1938, vlera e investimeve kapi shifrën 150 milionë lekë (lekë me çmimet e vitit 1961). Në prag të pushtimit fashist, Shqipëria kishte 300 kamionë, 20 autobusë, 200 vetura dhe kamionçina.

Gjatë vitit 1938, u transportuan 95,000 tonë mallra, barazi me 1 milion ton për kilometër. Po në këtë periudhë, qarkullimi i përgjithshëm i mallrave në tregtinë me pakicë arriti në 3,900,000,000 lekë të vjetra (me çmimet e vitit 1947).

Filloi ndërtimi i Portit të Durrësit. U kryhen punime në vepra mbajtëse, kanalet vaditëse etj., të cilat u ndërprenë nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore 1939-1944.

Gjatë periudhës ‘39-‘43, Italia llogariti në Shqipëri fitime në vlerën 141,728,184 franga shqiptare. Me kapitullimin e Italisë sasia e bankënotave arriti në 205,000,000 franga ari shqiptar.

Viti 1944

Në vitin 1944, numri i ndërmarrjeve dhe shoqërive industriale arriti në 430, nga vetëm 244 në vitin 1938 dhe vetëm 71 të tilla në vitin 1922. Edhe shkalla e përqendrimit të punëtorëve në prodhimin industrial në vitin 1938 u dyfishua në krahasim me vitin 1928. Në këtë kohë, Shqipëria kishte marrëdhënie tregtare e ekonomike me 21 vende të botës, por më të zhvilluarat ishin në radhë të parë me Italinë dhe pastaj me Jugosllavinë, Francën, Gjermaninë, Greqinë etj.

E futur në rrugën e zhvillimit kapitalist shumë më vonë se vendet e tjera europiane, me gjithë prezencën e disa kapitaleve të huaja kryesisht italiane, Shqipëria nuk kishte bërë akoma asnjë hap drejt fazës së kapitalizmit industrial në momentin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Bujqësia, ku ishin punësuar mbi 87% e fuqisë së aftë për punë, ishte sektori kryesor i ekonomisë dhe kontribuonte me 92.4% në formimin e të ardhurave kombëtare në atë kohë, ndërkohë që vetëm 10.2% e tokave kultivoheshin rregullisht dhe prodhimet kryesore reduktoheshin vetëm te gruri, misri e thekra. Toka punohej me mjete primitive ku mbizotëronte parmenda e drurit, plehrat kimike pothuajse nuk njiheshin fare, ndërkohë që fusha të tëra ishin kthyer në këneta. Niveli i rendimenteve dhe shkalla e organizimit dhe mekanizimit të bujqësisë në këtë periudhë ishin shumë të ulëta.

Tregtia dhe doganat shqiptare pas vitit 1912

Një nga aspektet e rëndësishme të periudhës së sundimit të Zogut ka të bëjë edhe me regjimin fiskal. Me shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia në vitin 1912, ashtu si edhe në të gjitha fushat e tjera, administrata doganore shqiptare vazhdoi funksionimin e saj në bazë të një legjislacioni të miratuar enkas për regjimin doganor. Me ligjet e reja që u nxorën për funksionimin e doganave, taksa doganore ishte 11% mbi vlerën e mallrave që importoheshin dhe 1% mbi vlerën e atyre që eksportoheshin. Në kohën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, në vitet 1912-1913 nuk u bë ndonjë ndryshim tjetër mbi këto taksa doganore, përveç taksës së importit mbi duhanin, që në atë kohë u shtua deri në masën 30%, gjë e cila u bë me një urdhër të Ministrisë së Financave të asaj kohe, por që nuk thuhej se mbi cilin ligj mbështetej. Ndërsa për periudhën 1913-1914, kur ishte në fuqi qeveria e Durrësit, ndonëse mungojnë të gjitha njoftimet zyrtare për tarifat doganore, është i njohur fakti se nuk u ndryshua asgjë nga ajo e viteve 1912-1913. Pra, deri në vitin 1914 nuk u bë asnjë ndryshim në dispozitat doganore. Po kështu, nga viti 1914 e deri në 1918 që vazhdoi Lufta e Parë Botërore dhe Shqipëria ishte e pushtuar pjesë-pjesë nga fuqi të huaja, dispozitat doganore funksionuan në bazë të ligjeve që zbatonin komandat përkatëse të ushtrive të huaja që ishin prezente në Shqipëri (italianët, francezët, austro-hungarezët etj.), të cilat modifikoheshin herë pas here. Komandat e ushtrive austro-hungareze dhe franceze (me përjashtim të ndonjë modifikimi), nuk bënë asnjë ndryshim në legjislacion e dispozitat doganore të trashëguara nga qeveria e Durrësit e 1914-s, ndërsa komanda austro-hungareze me qendër në Shkodër, në vitin 1916 nxori një vendim mbi ndalimin e kontrabandës, i cili përbëhej nga 8 nene. Në nenin e parë thuhej: “Me fjalën kontrabandë, merret vesht ajo vepër që me shitje gjanash, shkatohet dam Thesarit ose popullit. Shkatojnë damtime”. Po kështu edhe komanda franceze e Korçës mori një vendim për rritjen e taksës (tagrit) doganore. Ky vendim, i cili ishte i shtypur në shqip dhe frëngjisht, përbëhej prej 11 nenesh dhe mbante firmën e gjeneralit francez H. Salle, komandant i trupave të instaluara në Maliq. Sipas arkivave shtetërore që gjenden në qytetin e Korçës, pas dy vjetësh (më 15 mars 1920), kjo komandë nxori dhe një rregullore tjetër, e njohur si “Rregullorja e Oktrovës” dhe ishte e firmosur nga komandanti i kufijve shqiptarë, Cretin. Për rregullimin e shërbimit doganor, pas vitit 1920, nisi funksionimi i zyrave të veçanta si në Vlorë (Drejtori doganash), Korçë (Drejtori e Oktrovës), në Shkodër dhe Lezhë me Kryedrejtori doganash. Kjo e fundit, në vitin 1920, u transferua në Durrës dhe më pas në Tiranë. Ajo kryedrejtori doganore që kryesohej nga Ahmet Boriçi dhe funksiononte e pavarur nga Ministria e Financave, u suprimua në vitin 1923. Nga viti 1920, kur në fuqi erdhi qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës e deri në vitin 1934 (kohë në të cilën është bërë studimi i autorit Haxhi Shkoza), administrata kombëtare shqiptare, krahas zhvillimit të të gjitha aktiviteteve të saj në degë të ndryshme të ekonomisë, u mor edhe me organizmin e sistemit doganor. Si fillim u hartuan dispozita të veçanta mbi eksportet e drithërave e të tjera produkte të prodhimeve vendase, gjë të cilat bëheshin herë me vendime të Këshillit të Ministrave dhe herë me dekret e ligje të posaçme të nxjerra nga qeveria (në raste kur vendi kishte nevojë për bukë për shkak të mungesës së drithërave). Por kur prodhimet ishin të mbara dhe plotësoheshin të gjitha nevojat e vendit, bujqit ua shisnin tregtarëve drithërat dhe këta i eksportonin jashtë ato. Nga viti 1912 e deri në 1939-n, legjislacioni doganor shqiptar erdhi duke u përmirësuar vazhdimisht, duke arritur shtetet më të përparuara të Perëndimit. Kjo bëri që në atë kohë tregtia e vendit tonë me shtetet e huaja të merrte një rritje të paparë ndonjëherë. Kjo gjë vazhdoi edhe në vitet e luftës 1939-1944, pasi Italia, për qëllime propagandistike, e liberalizoi tregtinë me Shqipërinë, duke bërë të mundur që drejt vendit tonë të vërshonin mallra me shumicë. Si rezultat, edhe sot e kësaj dite mbahet mend shprehja: “Bollëk si në kohë të Italisë”.

Back to top button