Sinjale negative për negociatat, ministri gjerman: Konferenca me Shkupin, me Tiranën nëse…

71 përqind e të rinjve në Ballkanin Perëndimor po mendohet të mërgojë, sipas Barometrit të Balkanit, që publikoi në qershor 2020 Këshilli i Kooperimit Rajonal. Për Gjermaninë, si presidente e radhës se Këshillit të BE, kjo ishte një arsye për ta drejtuar fokusin e politikës kah perspektiva e brezit të ri në rajon.

Por qëllimi nuk është ndalimi i migrimit, saktësoi të mërkurën, 28.10. ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, në fjalën e hapjes së një konference online për këtë çështje. Kushdo që e ka provuar këtë në 30 vitet e fundit ka dështuar. “Por ne nuk mund t’i mbyllim sytë para problemeve që sjell me vete “rrjedhja e trurit”, që sa vjen e bëhet më e madhe, tha socialdemokrati.

Ai u shpreh për një strategji me tri hapa për të luftuar këtë fenomen: investimin në të ardhmen e rajonit, zgjidhjen e problemeve të së kaluarës dhe anëtarësimin në BE.

Investimet e kërkuara

BE-ja kohët e fundit vuri në dispozicion rreth 9 miliardë euro për ta bërë më tërheqës rajonin në aspektin ekonomik. Qëllimi kryesor i planit ishte mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e kushteve të trajnimit.

Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Olivér Várhelyi, tha në panelin vijues me ministra nga vendet e Ballkanit Perëndimor se plani krijon perspektiva për të rinjtë në rajon. “Krijon vende pune, përmirëson mundësitë e trajnimit dhe pjesëmarrjen”.

Ne duam një vend në tryezë, thotë Egzona Bokshi, pjesëmarrëse në panelin me përfaqësuesit e të rinjve nga Ballkani Peëndimor, minsitrin gjerman të Europës, Michael Roth, zëvendëskryetaren e Komisionit të BE-së, Dubravka Šuica,

Por nuk është vetëm zhvillimi i dobët ekonomik që po bën që të rinjtë të zgjedhin BE-në si vendbanimin e tyre të ardhshëm. Sipas një studimi të Fondacionit Friedrich Ebert botuar në vitin 2019, janë edhe probleme të tjera, si korrupsioni, mungesa e shanseve të barabarta dhe e meritokracisë në rekrutime, që përbëjnë shkaqe për emigrimin.

Perspektiva evropiane

Këto janë sfida afatgjata në Ballkanin Perëndimor dhe deri tani receta e vetme e BE-së për zgjidhjen e tyre duket se është perspektiva evropiane. Ministri Maas premtoi edhe një herë  se do të përpiqej t’i hapë që këtë dhjetor edhe zyrtarisht negociatat e anëtarësimit, së paku me Maqedoninë e Veriut: “Para përfundimit të Presidencës Gjermane në Këshillin e BE-së, ne duam të mbajmë një konferencë të parë anëtarësimi me Maqedoninë e Veriut. Dhe, nëse e lejojnë rrethanat, edhe me Shqipërinë,” – tha Maas.

Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos Serbia e Kosova, më parë duhet të “braktisin fantazmat e së kaluarës” për të bërë hapa përpara në këtë rrugë.

Duke pasur parasysh bisedimet që po zhvillohen në Bruksel midis Serbisë dhe Kosovës, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë bëri thirrje për një marrëveshje të shpejtë mes dy palëve: “Sa më shpejt të filloni me të”, tha Maas, “aq më shpejt do ta zhbllokoni perspektivën e BE-së për Kosovën dhe Serbinë”.

E njëjta gjë vlen edhe për Bosnjë-Hercegovinën, e cila është e ndarë etnikisht edhe sot, 25 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit.

Një vend në tryezë

Përfaqësuesit e brezit të ri, të cilët dolën në panelin e mbrëmjes, kërkuan më shumë drejta për të thënë fjalën e tyre. “Ne duam të na dëgjoni,” tha Egzona Bokshi nga Kosova, aktiviste që merret me punësimin dhe mundësitë e barabarta për të rinjtë në Kosovë. Ajo tha, se të rinjtë në vendin e saj po humbasin ngadalë besimin se do të bëhen dikur pjesë e BE-së.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, si dhe ministri në detyrë i Shqipërisë Gent Cakaj, kishin kërkuar më parë në fjalët e tyre liberalizimin e vizave për shetasit e Kosovës.

Konferenca triditore virtuale (28.10-30.10) me temë rininë, mërgimin dhe demografinë në Ballkanin Perëndimor organizohet nga Shoqëria për Evropën Juglindore (SOG) dhe Instituti Aspen Berlin dhe është pjesë e programit zyrtar të Presidencës Gjermane të Këshillit të BE./DW

Back to top button