Sondazhi / Turizmi ka larguar nga puna 50% të punonjësve. 60 % kanë bërë xhiro vetëm 10%

Një anketim i kryer nga ATOA (Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike)  ka treguar se në sektorin e turizmit pritet të falimentojnë 41% e bizneseve të pyetura.

Sondazhi ka treguar gjithashtu se rreth 60% e bizneseve kanë bërë në 2020 vetëm 0-10% të xhiros se 2019 dhe mbi gjysma e punonjësve janë larguar nga puna në 2020 kryesisht nga bizneset e mëdha.

ATOA ka kryer një sondazh me biznese turoperatorë dhe agjenci turistike, për të analizuar dhe prezantuar gjendjen e kësaj kategorie biznesesh në ketë vit shumë të vështirë të ndikuar nga dy kriza të mëdha, tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia. Krahasimi është bërë me vitin 2019, i cili deri në nëntor mund të quhet një vit i plotë pune.

Pyetësori është plotësuar nga 43 biznese, jo vetëm anëtare të ATOA-s.

ATOA thhotë se ky numër përbën 21.5 % të tregut zyrtar prej 200 turoperatorësh dhe agjenci turistike dhe është pyetësori i parë i këtij lloji i bërë nga vet industria e turizmit.

Nga sondazhi ka rezultuar se shpërndarja e numrit të bizneseve të vogla dhe të mëdha të pyetura është respektivisht 44% me 56%.

Pothuajse 10% e këtyre bizneseve e kanë pezulluar përkohësisht NIPT-in.

Rreth 60% e bizneseve kanë bërë në 2020 vetëm 0-10% të xhiros se 2019.

49% kanë humbur deri në 20 000 Euro, 21% mbi 100 000 Euro, 16% kanë humbur 20 000-50 000 Euro dhe 14% kanë humbur 50 000-100 000 Euro këtë vit.

Numri total i të punësuarve në 2019 nga bizneset e pyetura ka qenë 284 punonjës kurse të njëjtat biznese kanë mbajtur në punë në 2020 vetëm 131 punonjës ose më 54% me pak.

Grupi i agjencive turistike apo bizneseve të vogla me nga 1 deri në 3 punonjës në 2019 ka qenë rreth 49% kurse grupi i turoperatorëve apo bizneseve të mëdha me 4-35 punonjës ka qenë 51%. Në 2020 grupi i bizneseve të mëdha tkurret me 4-13 punonjës në vetëm 30%. Pra pothuajse gjysma e punonjësve janë larguar nga puna kryesisht nga bizneset e mëdha.

86% e bizneseve nuk presin ndonjë aktivitet në periudhën e mbetur të 2020.

Pyetjes “si e shikoni vitin e ardhshëm”, 74.5% e bizneseve ju përgjigjën “ i paqartë dhe e zymtë” dhe 21% shpresojnë që puna të rifillojë në pranverën e 2021.

Pyetjes “edhe sa kohe mendoni ta mbani biznesin aktiv nëse nuk merrni ndihmë nga qeveria dhe pandemia vazhdon” 40.5% e të anketuarve u përgjigj “deri në fund të 2020” dhe 33% shpreson “deri në mesin e 2021”.

Ndërsa kur u pyetën se çfarë ndihmë presin nga qeveria për të mbijetuar, pjesa me e madhe, pra 37% e tyre u përgjigjen që duan mbështetje për rroga dhe siguracione të punonjësve ekzistues, rreth 24% kërkojnë mbështetje me grante, dhe 20% kërkojnë mbështetje për pagesën e qerave të zyrave.

Sipas ATOA-s, rezultatet që dolën nga sondazhi, konfirmojnë gjendjen shume të keqe të këtij grupimi biznesesh, në mbështetje dhe të letrës të sapo dërguar qeverisë për këtë kategori biznesesh por edhe për guidat dhe transportin turistik.

Pak ditë më parë, ATOA i ka dërguar qeverisë një letër me disa kërkesa për të ndihmuar sektorin e turizmit veçanërisht për atë pjesë që nuk ka punuar.

Back to top button