Të kthyerit nga Siria. Sa vite burg rrezikojnë në Shqipëri nëse kanë luftuar për ISIS?

Në këtë deklaratë pas riatdhesimit të pesë shqiptarëve nga Siria, kryeministri nuk i referohet vetëm personave që kanë kryer krime në territorin sirian.

Vajtja e shqiptarëve madhorë në këtë shtet për t’u përfshirë apo ndihmuar luftën e ISIS është në vetvete vepër penale. Kodi Penal shqiptar e konsideron si krim “pjesëmarrjen në veprime luftarake në një vend të huaj”, pa qenë shtetas i atij vendit, pjesëtar i ushtrive të palëve në konflikt, apo i ndonjë misioni ushtarak zyrtar.

Për këtë veprim Kodi Penal parashikon dënim me burg nga 3 deri në 8 vjet. Në rastet kur kjo vepër kryer me qëllim përmbysjen e rendit kushtetues apo shkeljen e integritetit territorial të një shteti të huaj, përcakton Kodi, dënimi i mundshëm shkon nga 5 deri në 10 vite burg.

Dënimi është më i ashpër për organizatorët për pjesëmarrje në luftime në shtet të huaj, për të cilët parashikohet burgim nga 8 në 15 vite. Për vepra penale që kanë të bëjnë me rekrutimin e personave për terrorizëm apo financimin e tij dënohet jo më pak se 10 vite.

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka aktualisht një procedim penal të hapur më herët nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, për llogari të shqiptarëve që kanë rekrutuar persona për t’i dërguar në krah të ISIS në Siri, kanë financuar këtë luftë apo kanë qenë vetë pjesë e saj.

Për llogari të këtij procedimi, prokurorët e SPAK pritet të kalojnë në filtrat e hetimit të riatdhesuarën madhore të së martës, Floresha Rasha, bashkëshorte e Diamant Rashës, i vrarë në frontin e luftës në Siri, por edhe partnere e mëvonshme e Lavdërim Muhaxherit, po ashtu i vrarë në radhët e ISIS.(A2)

Back to top button