VIDEO/ Deputeti shqiptar në Serbi ja plas Vuçiçit e Daçicit në Parlament: Dënoni krimet ndaj shqiptarëve!

Shefi i grupit të deputetëve Lugina e Bashkuar, Shaip Kamberi, ka kundërshtuar ashpër zgjedhjen e Ivica Daçiqit në krye të parlamentit serb, gjë për të cilën edhe është përplasur në seancë me ish-kryediplomatin serb.

Kamberi ka thënë se kundërshtojnë zgjedhjen e Daçiçit, meqë konsiderojnë se ai i përket një kaste politike që ka nxitur luftëra të përgjakshme në ish-Jugosllavi.

“Në emër të grupit të deputetëve Lugina e Bashkuar dhe të partisë së Aksionit Demokratik nga Sanxhaku, deklarohem kundër kandidatit të propozuar për kryetar të Kuvendit popullor, para së gjithash për shkak se ne nuk jemi konsultuar fare në këtë procedurë dhe as për formimin dhe përbërjen e Qeverisë së re për të cilën po flitet këto ditë, ndërkohë që për këtë më shumë po informohemi nga mediat sesa rrugëve zyrtare të komunikimit institucional. Kjo është njëra prej arsyeve praktike të kundërshtimit tonë, ndërkaq arsyet politike të refuzimit tonë kanë të bëjnë me faktin se ai i ka takuar një elite politike e cila ka shkaktuar luftëra të përgjakshme në ish-Jugosllavinë, pasojat e të cilave ndihet edhe sot e veçmas ato po reflektohen ende në pozitën e palakmueshme të pakicave nacionale në Republikën e Serbisë”, ka thënë Kamberi.

Deputeti shqiptar tutje ka thënë se Daçiç në vazhdimësi ka shprehur urrejtje ndaj pakicave dhe se është duke bërë përpjekje për të mohuar krimet e bëra ndaj shqiptarëve.

“… Madje duke bërë thirrje që të mos zbulohen varrezat masive të pretenduara në Serbi dhe për këtë shkak ai nuk do ta ketë votën tonë”, ka shtuar më tej Kamberi.

Ai gjithashtu e ka akuzuar Daçiçin se gjatë kohës sa kishte qenë ministër i Brendshëm është angazhuar për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve dhe prishjen demografike të shqiptarëve në tri komuna e Luginës.

Ndër të tjera Kamberi ka cituar edhe ambasadorin e Gjermanisë në Këshill të Sigurimit i cili ka thënë se Serbia po “shkrep në këmbët e veta”, me fushatën kundër pavarësisë së Kosovës.

Pas këtyre fjalëve të Kamberit ka reaguar menjëherë Daçiç i cili ka thënë se Kamberi e kishte shpallur “person të padëshirueshëm” në Bujanoc në kohën sa kishte qenë ministër i Brendshëm.

Ndërkohë, për akuzat rreth prishjes së demografisë së Luginës, Daçiç ka thënë se kishte marrë aksion vetëm për të fshirë, sipas tij, adresat e rreme të shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë.

“Sa i përket asaj që tha Kamberi dhe kërkesave të tij, ai më ka shpallur mua të padëshirueshëm për të shkuar në Bujanoc, në kohën kur isha ministër i Punëve të Brendshme, ndërkohë që atëbotë ishte vrarë një polic. Kaq për këtë. Se a e kam zvogëluar unë numrin e popullatës shqiptare, derisa isha ministër i policisë, jo unë nuk e kam bërë këtë. Ne kemi ndërmarrë aksion për të shlyer paraqitjet e rreme të vendbanimeve. Sepse ka pasur raste kur në një adresë janë numëruar/paraqitur deri në 20 persona se banojnë aty”, ka thënë Daçiç.

Akuzat e forta ndaj Vuçiç

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shajip Kamberi ka mbajtur një fjalim shumë të fortë në seancën e sotme, ku ka sulmuar ashpër si Presidentin Vuçiç, mazhorancën e tij politike, kreun e Parlamentit Daçiç etj.

Por përveç akuzave të forta politike, Kamberi ka hapur në Parlamentin e Serbisë çështjen e zhdukjes së mijëra shqiptarëve dhe varret masive që u gjetën atje pa+s Luftës së Kosovës.

“Meqë nuk e pashë në ekspozitën e pardjeshme të fotografive të krimeve të luftës në Kosovë, vetëm disa qindra metra nga kjo sallë, ftoj zonjën Bërnabiç që ta vizitojmë nesër bashkërisht Batajnicën, ku në varreza masive gjinden viktima civile që i cilësoni edhe sot si shtetas tuaj. Dalloni së paku ju nga shefat e juaj. Urdhëroni zonja Bërnabiç. Shihni me sytë e juaj Batajanicën, Peruçën, Petrovo Selon, Rudnicën. Keni rastin ta dëshmoni së paku ju ndërgjegjen kolektive të Serbisë. T’i mundësoni së paku nënave të mos vdesin pa i varrosur fëmijët e tyre me dinjitet. Që fëmijët ta dinë se si u vranë etërit, xhaxhallarët, gjyshërit dhe të afërmit e tyre. Që gratë e përdhunuara të mos ndjejnë turp sepse ka ende të tillë që mendojnë se ishte faji i tyre për atë që ju ka ndodhur.  Këtë ua keni borxh para së gjithash popullit tuaj. Merreni guximin dhe përgjegjësinë. Nëse jo për shqiptarët, për Serbinë të cilin thoni se e doni.

Nuk ka paqe dhe ardhmëri pa ballafaqim me të kaluarën. Për asnjë shoqëri”, deklaroi Kamberi, i cili ju drejtua në fillim kolegëve në gjuhën shqipe: “Mirëdita”.

Përveç çështjeve të krimeve, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës, ka mbajtur edhe një fjalim briliant nga aspekti politik, ku ka demaskuar maskën e propagandës së Beogradit për një demokraci funkasionale, në parlamentin ku opozita përbëhet vetëm nga 6 deputetë, pasi partitë opozitare serbe bojkotuan zgjedhjet e qershorit. Kamberi, ka qenë edhe një lloj përfaqësuesi i shoqërisë serbe që nuk është pjesë e Parlamentit dhe e politikës qendrore, duke i bërë një radiografi pushtetit politik në Beograd. Ai kërkoi që të mbyllë sa më shpejt mandatin ky Parlament e të ketë zgjedhje të reja. Më poshtë po publikojmë edhe fjalimin e plotë të deputetit shqiptar në Serbi, për ta lexuar kush dëshiron./GazetaShqip

Back to top button