Alpet Shqiptare, pse quhen ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna

Nëse jeni në kërkim të aventurës, mrekullive të shumta natyrore apo disa prej majave më të larta të jugut të Evropës, Alpet Shqiptare jua mundësojnë diçka të tillë. Të quajtura ndryshe dhe Bjeshkët e Namuna (Mallkuara) për shkak të natyrës së ashpër dhe të vështirë, për të shumtë mbeten ende hapësira ku mitet dhe legjendat takohen së bashku me realitetin duke e patur të vështirë t’i shkëputësh njëra nga tjetra. Edhe pse shtrihen në 7 shtete, Alpet Dinarike arrijnë maksimumin e tyre vetëm përmes Alpeve Shqiptare, më konkretisht falë Majës së Jezercës në lartësinë e 2,694 metrave.

Valbona & Thethi

Ndër destinacionet më të frekuentura të Alpeve janë Valbona dhe Thethi, të cilat falë natyrës së mrekullueshme e shërbimeve cilësore turistike në respekt të traditave të zonës, e bëjnë qëndrimin në këtë vend një përvojë autentike të veriut shqiptar. E tek sa Alpet rrethojnë luginat e Valbonës dhe Thethit, lumenjtë, kanionet e ujëvarat e pasurojnë zonën me disa monumente natyrore që duhet patjetër të bëhen pjesë e itinerarit tuaj të veriut.

Si Valbona ashtu dhe Thethi mund të shijohen plotësisht falë qëndrimit në bujtinat e shumta prej guri që janë ndërtuar në të dyja luginat. Vitet e fundit gjithnjë e më të shumtë janë turistët që i vizitojnë bashkë këto dy destinacione, të cilat lidhen përmes një shtegu në Qafën e Valbonës (1800 metra).

Valbona, Kukës, foto nga IntoAlbania

Malësia e Kelmendit

Në skajin më verior të Alpeve ndodhet dhe Malësia e Kelmendit, ku ndodhen fshatrat Vermosh, Lëpushë, Tamarë, Vukël, Selcë, Nikç, Brojë etj. Ato arrihen ndjekur rrugën Shkodër – Hani i Hotit – Tamarë – Vermosh, një rrugëtim plot gjarpërime e ballkone panoramike që do të të bëjnë të ndalosh herë pas here për të parë nga afër Leqet e Hotit, Luginën e Cemit,  majën e Mështjerrës (1447m), si dhe të shijosh pamjet e shumta spektakolare që shfaqen së largu.

Duke hyrë në Lëpushë, vlen të përmendet fakti se ujërat e lumit të Lëpushës derdhen deri në Danub. Fshati i Lëpushës është ndërtuar aty ku më parë barinjtë kishin vendosur stanet dhe sot së bashku me Tamarën,  tërheqin vizitorë të shumtë falë peizazheve malore dhe një natyre të mrekullueshme.

Malësia e Kelmendit, Shkodër, Burimi: albanian-mountains.com

Vermoshi

31 km në veri të Tamarës  ndodhet fshati i Vermoshit (mbi 1000 metra në nivelin e detit), që ofron të gjitha kushtet për një turizëm malor cilësor. Lumi i Vermoshit apo burimet e ujit dekorojnë përmes monumenteve natyrore mbresëlënëse zonën. Përgjatë 100 ditëve të vitit fshati është i mbuluar nga dëbora, ndërsa me ardhjen e pranverës ngjyrat e gjelbërta veshin të gjithë panoramën.  Përveç bujtinave në Vermosh do të gjeni dhe vende kampingu, e banorët e fshatit janë gjithmonë të disponueshëm për të të shoqëruar në përvoja hiking.

Vermosh, Shkodër, Burimi: mcnradio.al

Razëm – Bogë

Duke ndjekur rrugën Shkodër – Koplik – Dedaj – Razëm, do mund të vizitoni gjithashtu një nga fshatrat malorë më të bukur të vendit, atë të Razmës, që rrethohet nga kullota alpine shumë tërheqëse. Në morenat akullnajore apo fushën sportive të kampit të Razmës mund të praktikohet dhe sporti i skive. Rruga Shkodër – Koplik të shpie në një tjetër fshat me emër të veriut, në Bogë, që njihet jo vetëm për ngjyrat përrallore, por edhe për Shpellën e Pucit. Kjo e fundit është shpella më e madhe në Shqipëri e mbahet si një nga më të mëdhatë e Evropës, e pasur në stalaktike dhe stalagmite. / IntoAlbania/ KultPlus.com

Razëm – Bogë, Shkodër, Burimi: trover.com

Back to top button