Emrat e Biden për Sekretar Shteti, Këshilltar Sigurie dhe ambasador në OKB. Antony Blinken do drejtojë diplomacinë amerikane, raportet e tij me Kosovën

Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të bëjë sot zgjedhjet e tij të parë për administratën e ardhshme amerikane, duke vënë në krye të Departamentit Amerikan të Shtetit një diplomat karriere.

Sipas “CNN” Biden pritet të nominojë Antony Blinken si shefin e diplomacisë amerikane, një këshilltar të politikës së jashtme që njihet mes të tjerash edhe për qëndrimin e tij pro Kosovës dhe shqiptarëve. Blinken pritet të jetë ndër nominimet e para, me të cilën Biden që synon t’i dërgojë botës një sinjal se rindërtimi i aleancave të Amerikës, sidomos me Europën, është një nga përparësitë e tij kryesore.

Blinken shërbeu në administratën e Obamës si zv/sekretar i shtetit dhe zëvendës kryesor këshilltar i sigurisë kombëtare. Ai shërbeu gjithashtu si këshilltar i sigurimit kombëtar të Zëvendës Presidentit të atëhershëm Biden.

Në atë kohë, ai luajti një rol qendror në pjesën më të madhe të politikës së jashtme të administratës Obama, duke përfshirë mënyrën e përgjigjes ndaj inkursionit të Rusisë në Krime në 2014, bastisjen për të vrarë Osama Bin Laden në vitin 2011 dhe luftën kundër ISIS.

Nëse konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë për detyrë të riparojë marrëdhëniet me aleatët e ngushtë në të gjithë globin, shumë prej të cilave janë dobësuar nga politika e konfrontimit të Presidentit Donald Trump.

Gjatë shërbimit nën administratën Obama, ai është takuar disa herë më Hashim Thacin dhe ka bërë thirrjë të vazhdueshme për anëtarësimin e Kosovës në organizatatat ndërkomëtare.

Antony Blinken ka kërkuar nëpërmjet një postimi në Twitter mbështetje për anëtarësimit e Kosovës në UNESCO, pas takimit me Presidentin Thaçi ne 2015. “Jam krenar që përcjell besimin tonë të fortë se Kosova duhet të mirëpritet nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s si anëtare me të drejta të plota”, shkruante në atë kohë Blinken.

Po ashtu në vitin 2016, Antony Blinken uroi Kosovën për fitoren e Medaljes se Artë në sportin e xhudos, në Lojërat Olimpike. Si Sekretar Shteti ai do të duhet të vendosë për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi pas marrëveshjes së negociuar nga presidenti Donald Trump, për zbatimin e së cilës Kosova ka sinjalizuar se po pret miratimin e administratës Biden.

Blinken ëshët një zgjedhje e mirë për Kosovën dhe shqiptarët edhe për shkak të punës së tij gjatë administratës së presidentit Bill Klinton, duke shërbyer si anëtar i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe mbajti role si ndihmësi special i presidentit, drejtori i lartë për çështjet europiane dhe drejtori i lartë i planifikimit strategjik. Ai ishte “pena” kryesore politikës së jashtme të Klintonit.

Blinken do t’i kërkohet gjithashtu t’i drejtohet një Departamenti të Shtetit të ndryshuar në mënyrë dramatike nën Trump, me largimin e dhjetëra diplomatëve të karrierës. Para administratës së Obamës, Blinken ka punuar si drejtor i stafit demokrat në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, i cili kryesohej nga Biden.

Një zyrtar aktual i Departamentit të Shtetit thotë për CNN se Biden “nuk mund të kishte zgjedhur një diplomat më të përshtatshëm për të demonstruar përkushtimin e tij ndaj trupit diplomatik dhe aleancës transatlantike.

Biden mësohet se ka bërë edhe zgjedhjet për postet e tjera kyçe. Ish zyrtari i administratës Obama Jake Sullivan është pretendenti kryesor për të qenë këshilltar i sigurisë kombëtare.

Linda Thomas-Greenfield është pretendentja kryesore për pozicionin e ambasadores në Kombet e Bashkuara, zgjedhja e së cilës gjithashtu pritet të shpallet të martën.

Thomas-Greenfield është pjesë e ekipit të tranzicionit të Biden dhe pritet të përqendrohet tek rivendosja e besimin dhe profesionalizmin tek Departamenti i Shtetit. Thomas-Greenfield ishte diplomate e shërbimit të jashtëm që nga administrata e Presidentit Reagan, kur ishte ambasadore në Liberi.

Por kur erdhi administrata Trump, si shumë profesionistë të karrierës, ajo u largua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në zgjedhjen e Thomas-Greenfield, sipas ekspertëve, Biden po u thotë udhëheqësve të botës se marrëdhëniet e jashtme të SHBA do të shkojnë drejt normalitetit.

“Një administratë e Biden do të bënte të kundërtën e asaj që ka bërë administrata Trump” kur bëhet fjalë për shtrirjen dhe angazhimin global”, tha Tony Blinken disa muaj më parë.

Back to top button