Gjuha shqipe vetëm në letër në Maqedoni, zbatimi i saj “ZERO”!

Edhe 3 muaj po bëhen dy vite prej se kur u miratua në Kuvend ligji për përdorimin e gjuhëve. Më 14 janar të 2019tës, ligji për përdorimin e gjuhëve u publikua në Gazetën Zyrtare.

Edhe 3 muaj po bëhen dy vite prej se kur u miratua në Kuvend ligji për përdorimin e gjuhëve. Më 14 janar të 2019tës, ligji për përdorimin e gjuhëve u publikua në Gazetën Zyrtare.

Atëkohë, deputetët e BDI-së qëndronin vazhdimisht në telefon, dhe garonin se cili prej tyre më shpejtë do të njoftojë opinionin se u zyrtarizua kinse gjuha shqipe. Ligji për përdorimin e gjuhëve, nga BDI quheshte ligji për gjuhën shqipe, por në Kushtetutë nuk përmendet fare gjuha shqipe, kështu që gjuha shqipe nuk është e garantuar me Kushtetutë, gjithmonë derisa në vend të realizohet një regjistrim i popullsisë. Nëse shqiptarët edhe më tej figurojnë si mbi 20% e popullsisë, atëherë gjuha shqipe do të vazhdojë të figurojë si gjuhë zyrtare, gjegjësisht si gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve.

Por edhe sot pas gati dy viteve, gjuha shqipe ende nuk po zbatohet kënaqshëm në institucione. Përpos në tabelat e hyrjeve të ndërtesave që njofton se cili institucion ndodhet aty, dokumentet tjera ende nuk po shtypen në gjuhën shqipe. Shembulli më i parë mund të meret tek çertifikatat e lindjes, martesës dokumente kyçe këto për çfarë do nevoje institucionale.

Këto dokumente të lartëpërmendura, por edhe dokumente tjera si zyrtarizime apo marrëveshje të ndryshme të noterëve, të njejtat nuk zbatohen në gjuhën shqipe. Për të lidhur një marrëveshje për shitblerje të pronës në noter, dokumenti do të meret vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa disa noterë, thuhet se kërkojnë të holla shtesë për t’ua përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Qeveria atëkohë kur u zyrtarizua gjuha shqipe, obligoi çdo institucion që të zbatojë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, madje zv.kryeministri i atëhershëm për çështje evropiane, edhe pse nuk ishte kompetent për këtë gjë, doli në teren për të kontrolluar dhe tërhequr vëmendjen institucioneve të cilat ende nuk kishin vendosur tabela dygjëhësore në hyrje.

Qeveria pati paralajmëruar madje dhe gjoba deri në 5000 euro për institucionin dhe 30% të vlerës për drejtuesin e atij institucioni.

Por kush do t’i gjobitë ato institucione kur ende Inspektorati i Gjuhëve nuk ka filluar me punë. Në këtë inspektorat së pari ka mungesë të inspektorëve, ndërsa edhe ato që janë pranuar, tanimë disa muaj vetëm po trajnohen se si duhet të veprojnë.

Kështu që tani në ditën e alfabetit shqip, për fat të keq, as ministrat shqiptarë nuk e respektojnë gjuhën e tyre amtare.

Ministrat shqiptar të cilët në konferenca për shtyp drejtohen edhe në gjuhën shqipe, prap se prap uebfaqet e tyre nuk janë të plota në gjuhën shqipe. Çdo institucion përfshirë dhe vet Qeverinë, ka mangësi dhe zbrazëtira në verzionin në shqip.

Kemi rastin me Ministrinë e Ekonomisë ku në ueb faqen e kësaj ministrie, prokurimet publike hapen vetëm në gjuhën maqedonase ndërsa në gjuhën shqipe nuk mund të klikohen fare. Linqet e shkurtëra nga ana e djathtë të gjitha janë në gjuhën maqedonase, edhe pse verzioni është zgjedhur në shqip. Ka edhe disa mangësi e lëshime të imta të cilat ndoshta nuk ka nevojë të përmenden.

Më tej kemi Ministrinë e Financave, e cila thirrjet publike, publikimet e të tjera i ka të përditësuara ndërsa në gjuhën shqipe publikimi i fundit figuron më 28 maj 2019. (Në maqedonisht e fundit është më 17.11.2020). Ajo që trishton më tepër është se me këtë institucion udhëheqë ministër shqiptar – Fatmir Besimi.

Më pas në po të njejtën ministri, statistikat sikurse buxheti, borxhi publik, indikatorët makroekonomik e statistika të tjera, edhe pse verzioni është zgjedhur në shqip, dokumentet të gjitha janë vetëm në maqedonisht. Transparenca dhe llogaridhënia, finansat publike, reformat ekonomike kontroll i brendshëm finansiar, të gjitha këto janë vetëm në maqedonisht.

Sipas këtyre raportimeve, do të thotë që vet funksionarët politik të cilët tani po vizitojnë Manastirin, qytetin e alfabetit shqip, ato vet nuk po e respektojnë gjuhën e tyre të nënës, gjuhën shqipe. Nëse ato si funksionarë shqiptar nuk e respektojnë gjuhën shqipe, si mund të presin që të njejtën ta bëjnë kolegët maqedonas.

Ndërkohë Agjencia për zbatimin e gjuhëve thotë se ata janë kompetent vetëm për të ndihmuar për lektorime dhe përkthime për institucionet por jo dhe mbikqyrjen e zbatimit të gjuhëve.

Të mos harojmë se vitin e kaluar nga buxheti vetëm për zbatimin e gjuhëve ishin ndarë 1.7 milion euro.

Back to top button