“Mos ejani vonë në spital”- Manastirliu thirrje qytetarëve, i përgjigjet edhe akuzave të opozitës

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të infektuar me koronavirus,  që të mos shkojnë vonë në spitale, gjendja e tyre rëndohet.

Nga foltorja e Kuvendit, Manastirliu iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se nuk ka shtretër në spitale, ku tha se “këtë e bëjnë për të ardhur në pushtet”.

“Ne e kemi ndërtuar sistemin e urgjencës kombëtare falë vizionit të Ramës dhe punës së kolegut Beqja dhe falë punës së të gjithëve sot.

Ne jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë vend për përmirësim. Sipas planit të vjeshtë dimrit filluam paketën e rimbursimit. U them qytetarëve mos ejani vonë në spitale, mos dëgjon ata që thonë se s’ka shtretër se bëjnë për ju por për hallin e pushtetit të tyre, ata e kishin  në dorë shëndetësinë dhe s’bënë asgjë për ju.

E lanë shëndetësinë të vuante si një kufomë, është koha të besojmë ekspertët në këtë betejë të vështirë. Solidaritet na duhet në këto momente dhe të respektojmë”, tha Manastirliu.

Fjala e plotë e Ministres Ogerta Manastirliu

“Më lejoni të bëjë një parashtrim të të gjithë situatës COVID19 që ka prekur vendin tonë, duke ju parashtuar të gjitha masat e marra deri më sot dhe mbi të gjitha duke ju vënë përpara një ekspoze të punës tonë, që jemi duke bërë deri tani dhe për çfarë jemi duke u përgatitur për muajt e vështirë që kemi përpara të dimrit.

Do kisha dashur shumë që sot të dilja përpara jush si Ministrja e Shëndetësisë në një kohë paqeje, ku të diskutonim të tjera projektligje për sistemin shëndetësor, për të diskutuar vetëm për ato çfarë krijojnë premisat e reja, ligjet e reja, reformat në shëndetësi dhe të gjithë investimet që në fakt edhe pse në një kohë pandemie nuk i kemi lënë mangët, por e verteta është se të gjithë e dimë se po jetojmë në një kohë lufte, sot kam përgjegjësinë morale, ligjore dhe profesionale t’ju bëjë me dije punën që kemi bërë deri më sot për përballimin e situatës krijuar nga COVID19.

Ajo çfarë dua që t’ju them është se kur ne mendonim se po kuronim plagët shumëvjeçare të sistemit shëndetësor, dalë nga një prapambetje prej dekadash, zvarritur dhe nëpërkëmbur dhe vitet e gjata të tranzicionit, Shqipëria do të pësonte dy goditje të mëdha, tërmetin e 26 Nëntorit 2019 dhe pandeminë COVID19. Dy sfida të jashtëzakoshme që na vunë të gjithëve në provë e sidomos sistemin Shëndetësor. Vunë në provë dhe forcën e karakterit të të gjithëve ne.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe menaxhimit të sukseshëm nuk lejuam që pasojat e këtij tërmeti të shkaktonin një krizë humanitare. Ndonse dhe pas një viti vazhdojmë të shërojmë pasojat e kësaj tragjedie që tronditi nga themelet jetën e mijëra shqiptarëve. Ndërsa COVID19 vendos përpara sfidave të mëdha gjithë globin, Shqipëria ashtu sikurse çdo vend tjetër edhe ata më të përparuarit në lëmin e shkencës dhe teknologjisë punoi fortë që në krye të herës për t’ju përgjigjur shpejtë situatës që shkaktoi kjo pandemi. Ne kishim, kemi dhe do të kemi një mission për të përmbushur, atë të shërbimit ndaj qytetarëve, kudo ku ata janë, fatmirësishtë kjo pandmi nuk e gjeti Shëndetësinë Shqiptare në grahmat e fundit, ashtu sikurse e gjetëm ne në 2013. Ne po ecnim në rrugën e sistemit tonë shëndetësor ashtu sikruse jemi duke e bërë edhe më sot ku vijojmë të jemi përballë një sfide me COVID19.

Në çdo fazë të kësaj pandemie ku po përmbyllen 9 muaj sfidues kemi ecur sipas strategjive nga ekspertët më të mirë në vend, nën drejtimin e një Komiteti Teknik të Ekspertëve nën udhezimet e OBSH, me udhëzimet të insituteve ndërkombëtare të vendeve si Gjermania e Italia.

Qeveria shqiptare i është përgjigjur në kohë duke garantuar financimin e shpejtë për forcimin e kapaciteteve të sistemit tonë shëndetësor. 25 milion euro u vunë menjëherë në dispozicion të sektorit për kapacitetet laboratorike, spitalore, pajisjet me mjetet mbrojtëse për stafet mjekësore dhe shërblime financiare për ta, mbështetjen me aparatura dhe terapi mjekimi si kudo në vendet e tjera.
Çfarë kemi siguruar? 4 laboratorë publikë që kryejnë testimet dhe 134 epidemiologë në terren që gjurmojnë kontaktet. Rritëm 5 herë testimet krahasuar me muajin qershor. Kemi vendosur prioritet cilësinë dhe efikasitetin në përgjigjien e testimit duke gjurmuar, hetuar dhe po ashtu grupet më të riskuara siç janë, të sëmurët kronikë, ata në spitale, mësuesit, punonjësit shëndetësore, prioritet për testimin e shpejtë.
Jemi të vetëdijshëm që gjithmonë ka vend për përmirësim dhe atë po bëjmë çdo ditë. Duke rritur kapacitetet më përfshirjen e testeve të shpejta të antigenit që i presim brenda muajit dhjetor synojmë kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit.
Bazuar në planin tonë të vjeshtë dimrit siguruam vaksinimin falas ndaj griit për grupet e riskuara për 368 mijë qytetarë dhe nga dje ka mbërritur sasia e fundit prej 230 mijë vaksinash. Çdo i moshuar, i sëmurë kronikë, grua shtatzanë, mësues, pranë mjekut të familjes vaksinimi është falas.

Filluam rimbursimin e paketës së barnave të trajtimit ambulator në banesë për qytetarët që kanë nevojë për terapi mjekimi duke mbështetur kështu çdo familje, duke reduktuar kostot nga xhepi për terapitë e mjekimit, duke disiplinuar terapitë nëpërmjet vëmendjes së posaçme për çdo qytetar nga mjekët e familjes. Për 2021, buxheti vetëm për rimbursimin e terapive me barnat për ambulatorët do të jetë 1.2 miliard lekë.

Kemi rritur kapacitetet spitalore. 250 shtretër plus i janë shtuar strukturave Covid për të përballuar situatën e vjeshtë dimrit, Covid3 dhe Covid4. Duke e çuar në mbi 550 shtretër kapacitetin spitalor vetëm për trajtimin e rasteve Covid. Pajisëm strukturat tona me linjat e oksigjenit duke siguruar që asnjë qytetar që merr shërbim në spitalet tona të mos i mungojë oksigjeno-terapia.

Spitalet rajonale gjithashtu, janë të përgatitura dhe aty janë investuar në linja oksigjeni të dedikuara, aparatura, ndërkohë që janë trajnuar në vazhdimësi stafet. Skenarët tanë përfshijnë kapacitetet prej 1600 shtretërish në të gjithë sistemin për të përballuar këtë epidemi.
Dyfishuam numrin e respiratorëve, ventilatorëve, pajisjeve në reanimacione. Punuam gjatë këtyre muajve për të punësuar mbi 270 punonjës shëndetësorë të dedikuar për të shërbyer në spitalet Covid.
7 milion euro ka qenë mbështetja e deritanishme për bonusin special, 1 mijë euro dhe 500 euro për stafet në frontin Covid.
Prej vitit që vjen për asetin tonë më të çmuar, mjekët dhe infermierët do të ketë rritje historike të pagave, 40 % nga e cila do të përfitojnë 18 mijë mjekë dhe infermierë në të gjithë sistemin shëndetësor.
Qeveria shqiptare është angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën anti-covid. 3.9 milion euro janë parapaguar dhe vijojmë punën për të siguruar vaksinën për qytetarët tani. Fillimisht me grupet e riskuara dhe kjo vaksinë do të jetë falas.

Siç e ka thënë dhe Kryeministri më lejoni të them dhe dy fjalë në këtë sfidë mbarë botërore asnjë sistem nuk ka qenë perfekt edhe sistemi ynë shëndetësor po ecën si një orë zviceriane dhe ne jemi në pararojë. Nga ana tjetër nuk mund të hedh poshtë dhe përpjekjet e mijëra profesionistëve tanë të shëndetit që me sakrificë po përballen me armikun e padukshëm.

Ne jemi në shërbim të qytetarëve, po punojnë natë e ditë për të siguruar shërbim shëndetësor. Sistemi ynë po i shërben mbarë qytetarëve dhe po mban falë investimeve tona tek sistemi ynë.
Nuk do ti tregoja qytetarëve se cfarë kishtë ndodhur nëse nuk do të kishim investuar 5 vite më parë në një sistem të digjitalizuar të Qëndrës së Urgjencës Mjekësore. kush mendon se më parë e kemi patur 127, i kemi patur më parë ambulancat me të gjitha aparaturat e disponueshme gabuan, gabon rëndë. Ne e kemi ndërtuar Urgjencën Kombëtare falë vizionit të Kryeministrit Rama, falë punës së kolegut Beqaj dhe falë gjithë ekipit tonë të shëndetësisë të cilët janë duke punuar cdo ditë sot e kësaj dite për të siguruar kujdes shëndetësor për qytetarët. Investimi në autoambulanca, mjekët, pajisjet që asnjë qytetarë të mos mbetet pa shërbim, nuk do të mungojë asnjëherë siç kemi bërë deri më sot.

Asnjë qytetarë deri më sot nuk ka ngelur pa shërbim spitalor pa nga ana tjetër ne jemi të vetëdijshëm, që ka vend ende për përmirësim, që ka vend për të qenë të sinqertë për të pranuar që mund të bëjmë dhe më shumë. Dhe ajo që po bëjmë eshtë që po rrisim kapacitetet e sistemit

Ndaj filluam sipas planit tonë të vjeshtë-dimrit, përfshirjen e paketës së rimbursimit.

Më lejoni këtu të them që t’i drejtohem me zemër çdo qytetari: mos ejani vonë në spitale mos dëgjoni ata që dalin e thonë që mjekët nuk shërbejnë, që nuk ka shtretër. Nuk e bëjnë për ju, e bëjnë për hallin e pushtetit të tyre, kanë hallet e bizneseve të tyre, si atëherë kur ju dha mundësia dhe e lanë shëndetësinë në gërmadhë.
Të dashur qytetarë sot nuk është koha për retorika boshte, nuk është koha të dëgjoni ata që nuk janë kujdesur ndonjëherë për ju, nuk është koha për ata që e lanë shëndetësinë të vuante e të hiqte si një kufomë është koha për të besuar autoritete shëndetësore është koha për të besuar ekspertët”

Back to top button