Patozi: Debati makabër me vdekjet e Covid, për një grusht votash më shumë

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare duan gati katër muaj që të vijnë, e megjithatë “lufta” mes fronteve politike ka filluar, që herët këtë vit.

Po “luftohet” me çdo gjë, për një grusht votash më shumë. Kështu e koncepton koordinatori i Partisë Bindja Demokratike, Astirt Patozi, i cili e konsideron të turpshëm debatin që po zhvillohet në arenën e politikës shqiptare, duke përdorur viktimat nga covid-19.

Me anë të një shënimi në rrjete sociale, Patozi thotë se kjo gjë tregon qartë degradimin e politikës shqiptare.

KY DEBAT MAKABËR, SI PASQYRA E DEGRADIMIT TONË MORAL

Ky debati i neveritshëm me të vdekurit e COVID-it, është pasqyra më e qartë e degradimit të politikës në Shqipëri dhe prova më e fortë se ne nuk jemi një vend normal.

Sepse po të ishim, jo thjesht kjo çështje nuk do të ekzistonte, por në një rast të tillë, kur dorashka hidhet në publik, nuk mund të kishte më kthim prapa.

Njëri nga duelistët duhet ta paguante shtrenjtë dëmin, ngaqë nuk mund të jenë të pafajshëm të dy palët njëkohësisht.

Sepse është njësoj e rëndë për publikun, si t’i fshehësh të vdekurit për politikë, ashtu edhe po ta shpikësh këtë makabritet për një grusht votash më shumë.

Por jam i sigurt se asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe kur publiku të mësojë më shumë për të vërtetën e kësaj shëmtie morale.

Sepse kundërshtarët e tërbuar të momentit do të vijojnë me të njëjtin pasion dhe me të njëjtin cinizëm konfliktin e tyre të paskrupullt, i cili vazhdon prej dekadash, me ndalesa të shkurtra në momente pazaresh, që janë edhe më të pista se vetë lufta midis tyre.

Back to top button