“U prefshin në paqe”- Seanca në Kuvend nis me një minutë heshtje për viktimat e tërmetit të 26 nëntorit

Seanca e Sotme parlamentare ka nisur me një minutë heshtje, në nderim të 51 viktimave të tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

“U prefshin në paqe”, tha kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndërsa kujtoi jetët e humbura, një vit pas lëkundjeve që i morën jetën dhjetëra njerëzve.

“Zonja dhe zotërinj deputetë, si sot, një vit më parë, Shqipëria u godit nga tërmeti më i fuqishëm i dyzetë viteve të fundit. Durrësi, Thumana, Tirana, Laçi Lezha ishin zonat më të goditura.

51 jetë njerëzore u humbën dhe mbi tre mijë njerëz u plagosën. Disa mijra familje mbetën të pastreha.

Në shenjë dhimbjeje e respekti për 51 qytetarët që humbën jetën nga tërmeti, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. Pushofshin në paqe! Të nderuar kolegë,

Tërmetit të 26 nëntorit, kësaj goditjeje natyrore iu kundërpërgjigj një solidaritet i fuqishëm njerëzor.

Qindra mijëra qytetarë kontribuan me sa mundën për të lehtësuar barrën e përballimit të pasojave të tërmetit. Sfida e qytetarëve po mund sfidën e natyrës. Përgjigja e Qeverisëe institucioneve edhe solidariteti i qytetarëve shqiptarë inspiruan mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare.

Konferenca e donatorëve e shkurtit 2020, me moton “Bashkë për Shqipërinë”, mobilizoi për rindërtimin një ndihmë jashtëçdo parashikimi: 1.15 miliardë Euro, prej të cilave 300 milion dhuratë.

Përpjekjet tona për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre të rindërtuara apo të reja, nuk u ndalën, nga pandemia e Covid-19, e cila shpërtheu në kulmin e rindërtimit.

Kuvendi inkurajon punën e Qeverisë për realizimin e objektivave të rindërtimit edhe në kushtet e kostove që imponoi pandemia. Fuqia, shpresa dhe besimi janë më të mëdha se goditja e tërmetit e ankthi prej pandemisë. Solidariteti e dashuria njerëzore prodhojnë rezultate më të mira se ndarja e konfliktet. Ju faleminderit”, tha Ruçi në fjalën e tij.

E ndërsa kanë kaluar 12 muaj nga tragjedia, ende plagët janë të hapura, ku shumë njerëz kujtojnë familjarët e ndjerë, ndërsa me dhjetëra janë ende pa nj çati mbi kokë.

Back to top button