A do ta bëjnë vaksinën ata që kanë kaluar Covid-19? Ja si përgjigjet Skënder Brataj

Kreu i urgjencës kombëtare Skënder Brataj ka lajmëruar se pas datës 20 janar do të vijë edhe pjesa tjetër e vaksinave, siç ishte premtuar nga Rama.

Përsa i përket vaksinave që janë bërë deri në këto momente, Brataj tha se të vaksinuarit nuk kanë pasur efekte anësore apo komplikacione.

“Për fatin e mirë, nuk kemi parë asnjë efekt anësor. Procesi vazhdon të jetë i rregullt, por një vaksinë e kontrolluar nga FDA dhe EMA sigurisht që i ka të gjitha garancitë, të gjitha rregullat. E vetmja gjë ka qenë koha, por vaksina zakonisht efektet anësore i jep në momentet e para dhe për këtë arsye qëndrojnë rreth 30minuta nën asistencën e ekipeve mjekësore. Por njerëzit duhet të kenë të qartë që nuk është virus i plotë, por pjesë e proteinave të virusit, pra nuk shkakton sëmundje, por prodhim të antitrupave”, tha Brataj.

Brataj u shpreh edhe për ata që e kanë kaluar koronavirusin, nëse duhet që ta bëjnë vaksinën.

“Për personat që kanë kaluar Covidin, kuptohet që imuniteti natyral është më i sigurt se i vaksinës nuk diskutohet, por nuk ka të dhëna sa zgjat imuniteti. Por edhe ata që e kanë kaluar si puna ime që në Mars është e këshillueshme që ta bëjnë. Unë se kam bërë sepse pres që të vijë radha e institucionit tim”, u shpreh Brataj.

Ai u pyet nga gazetarja e Fax News edhe për rastin e skandalit të sanitares Tire Alldrevishaj, në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Edhe midis nesh ka përfitues, që nga recetat e ilaçeve për të sëmurët që kanë ditën e dytë apo të tretë të temperaturës, i japin antibiotikë. Për fatin e keq, ka njerëz që përfitojnë. Fenomenet e spitalit për fatin e keq ekzistojnë dhe njerëzit janë bashkëpunëtorë në atë që ndodh dhe i shtyjmë njerëzit që të fitojnë bakshishin, por nuk është e denjë për shëndetësinë. Shpresoj të mos jetë një fenomen i përhapur. Ne e kemi të vështirë ti identifikojmë se është e padrejtë, por janë veprime të shëmtuara që nuk duhet të përsëriten për asnjë motiv për shëndetin e njerëzve në kohë pandemie”, tha Brataj për Fax News.

Back to top button