Gara botërore e vaksinimeve/ Ja shtetet që udhëheqin, befason Serbia, Shqipëria renditet krah Algjerisë dhe Kolumbisë

Sipas një raporti të publikuar në Financial Times, të paktën 208,317,348 doza të vaksinave të koronavirusit janë administruar në të gjithë botën, nga të dhënat e përpunuara për 104 shtete.

Sipas raportit janë 230 vende kandidatë për vaksina, ndërsa ka vende që kanë në përdorim deri në shtatë vaksina. Israeli është shteti që prin klasifikimin botëror të vaksinimeve, me mbi 7.4 milionë doza të injektuara tashmë. Më shumë se një e treta e popullsisë së Izraelit ka marrë të paktën një dozë vaksine.

Në fakt, referuar shifrave të vaksinimit për 100 banorë, renditjen e udhëheq Gjibraltari, me 87 vaksinime për 100 banorë, por me vetëm 29 mijë doza në total.

Në dhjetë vendet e para, bëjnë pjesë kryesisht ishuj të vegjël. Në vendin e 12 renditet Britania e Madhe me 18.2 milionë doza të bëra në total.

Në vendin e 16 renditet SHBA me 62.5 milionë vaksina të bëra, për të vazhduar me Kilin, Porto Rikon, Serbinë, Maltën, Danimarkën, Turqinë, Poloninë, Zvicrën, Rumaninë, Norvegjia, Sllovenia, Lituania, Portugalia, Greqia, Gjermania, Italia, Belgjika, Austria, Franca.

Si renditet Shqipëria

Sipas raportit të Financial Times, Shqipëria renditet e 13 nga fundi, krah Algjerisë, Bolivisë, Kolumbisë, Ekuadorit dhe Pakistanit. Deri më 19 shkurt, Shqipëria sipas raportit të FT ka bërë 4200 vaksina.

Përhapja e vaksinave në ekonomitë e përparuara është kryesisht më e madhe se ato në ekonomitë në zhvillim. Zyrtarët në Organizatën Botërore të Shëndetësisë kanë paralajmëruar se bota është në prag të “dështimit katastrofik moral” ndërsa vendet e varfra mbeten prapa. /Gazeta SHQIP

Back to top button