Përpjekjet e Institutit të Gjuhësisë për mbrojtjen e kulturës arbëreshe

Më 22 shkurt 1973 drejtuesi i Institutit të Gjuhësisë e Letërsisë, profesor Androkli Kostallari, kishte hartuar një raport të hollësishëm rreth zhvillimeve të jetës kulturore e të trashëgimisë ndër arbëreshët e Italisë.

Në atë dokument propozohej se duheshin bërë disa ndërhyrje urgjente për të mbrojtur, studiuar dhe përvetësuar pasurinë gjuhësore e arkivore që ruhej ndër arbëreshët që jetonin në disa lokalitete të Italisë. Dokumenti prej 11 faqesh, dëshmon një pjesë të fushatës për të intensifikuar kontaktet dhe marrëdhëniet me këtë komunitet shqipfolës në Itali.

Pjesa e parë e vitit 1973, dominohet nga këto iniciativa dhe kulmon me një ekspeditë në terren, ku mblidhen të dhëna të hollësishme rreth zhvillimeve gjuhësore, letrare, kërkimeve shkencore e arkivore në 95 fshatrat e lokalitetet arbëreshe në Itali.

Në raport veç informacioneve të mbledhura mbi komunitetin arbëresh, vendet ku jetonin, ruajtjen e gjuhës dhe traditave, nevojave të tyre për informacion e literaturë nga Shqipëria, Kostallari veçon nevojën për të shtënë në dorë lëndën arkivore që ata ruanin, në arkivat personale dhe të bibliotekave në lokalitetet ku jetonin.

Pjesa e parë e dokumentit

PARASHTRESË MBI PËRMIRËSIMIN E PUNËS SONË ME ARBËRESHËT NË FUSHËN E SHKENCAVE ALBANOLOGJIKE

Sipas të dhënave të Vjetarit të Përgjithshëm të vitit 1961, tashti në Itali ka 95 fshatra e lokalitete me popullsi arbëresh. Prej tyre, 55 me një popullsi prej 135 811 banorësh e ruajnë të gjallë gjuhën shqipe, këngët, veshjet e zakonet shqiptare, ndërsa 40 me një popullsi prej 182 182 banorësh e kanë humbur gjuhën plotësisht ose pothuajse plotësisht, por ruajnë akoma mjaft elementë të vetëdijes kombëtare. Këto koloni arbëreshe ndodhen në Kalabri, në Sicili, në Molize etj., sidomos në provincat e Katanzaros, Tarantos, Potencës, Kampobasos, Foxhias, Palermos etj. Fshatra të veçuara ndodhen edhe në provincat e Avelinos e të Peskarës.

Në të kaluarën arbëreshët e Italisë kanë ruajtur me fanatizëm veçoritë e tyre dalluese kombëtare dhe kanë qenë aktivë edhe në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë. Por në shekullin tonë, e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, me procesin e shpejtë të italianizmit dhe me shtimin e emigrimit brenda e jashtë Italisë, rreziku i humbjes së individualitetit të tyre kombëtar është bërë shumë i madh.

Ky rrezik në ditët tona i ka shqetësuar shumë sidomos shtresat intelektuale të atjeshme, të cilat po bëjnë përpjekje të ndryshme për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, për ta përdorur atë në shkrim e për të përhapur gjuhën tonë letrare edhe ndër të rinjtë. Këto iniciativa të veçuara kohët e fundit kanë marrë një karakter më të organizuar, por ato janë në përgjithësi të dobëta e përfshijnë rrethe shoqërore jo shumë të gjera. Megjithatë ato shënojnë një fazë të një zgjimi të ri kombëtar tek arbëreshët, që, me sa duket, lidhet edhe me shkaqe të brendshme edhe me ndikimin e realizimeve të Republikës Popullore të Shqipërisë.

Kështu, sot, megjithëse kërkesat për ta futur shqipen zyrtarisht në shkollat fillore të fshatrave arbëreshe nuk kanë gjetur përkrahje në qarqet qeveritare, në një varg komunash nga famullitarët, mësuesit e nga intelektualë të tjerë ka filluar t’u mësohet fëmijëve arbëreshë shkrimi e leximi i shqipes.

Kleri arbëresh në këtë lëvizje gjuhësore-letrare e kulturore në përgjithësi mban një qëndrim pozitiv dhe është mjaft i lidhur me masat fshatare. Me iniciativën e personaliteteve më të njohura ose të grupeve të caktuara kanë filluar të ngrihen shoqata e rrethe të ndryshme kulturore si Shoqata e mësuesve shqiptarë të Italisë (AIADI me qendër në Lungro-Kozencë), Lidhja e Bashkësive italo-shqiptare (UCIA në S. Demetrio Korone), Shoqata kulturore italo-shqiptare (ACIA në Kastrovilari), Rrethi “A. Lupinaro” në Specano Albaneze, Rrethi “Gennaro Plaço” në Çivita, Rrethet kulturore në Frashineto e në Vakarico Albaneze, Rrethi kulturor-folkloristik në S. Demetrio Korone, Rrethi “Jeronim De Rada” në S. Kosmo Albaneze, Rrethi kulturor “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në S.

Kostantino Albaneze të Potencës, Rrethi kulturor në Kastrorexhino etj. Nga këto organizma kanë filluar të botohen organe të ndryshme, disa prej të cilave përmbajnë materiale me vlerë të mirë gjuhësore, shkencore e letrare. Këto organe gjallërojnë ndjenjat kombëtare të popullsisë së atjeshme arbëreshe, ngrenë lart cilësitë e larta të kombit shqiptar, përhapin njohuri për historinë e popullit tonë, për kulturën e traditat e tij të lashta, si edhe për sukseset e tij të sotme. Në faqet e tyre inkurajohen shkrimtarët e rinj arbëreshë, ndër të cilët kanë dalë edhe mjaft poetë me talent, si edhe studiuesit e gjuhës e të folklorit arbëresh.

Ndër këto organe mund të përmendim sidomos revistën “Zgjimi”, drejtuar prej vitesh nga avokati Albino Greko, “Vatra jonë”, drejtuar që nga 1967-ta nga prifti i S. Kostantino Albaneze (Potenca) Antonio Bellusci, “Gjuha jonë e bukur” me nëntitullin “Zëri i shqiptarëve të Molizes e të Kapitanatës” në Ururi (Kampobaso), “Gjella”, e përdyjavshme etniko-kulturore-gjuhësore që botohet në Ururi, “Arza”, revistë humoristike-satirike që botohet nga Rrethi “Jeronim De Rada”, “Gluha”, organ i shoqatës BAMKU në Katanxaro, “Zëri i Arbëreshëvet”, organ i ACIA në Kozenca dhe “Zjarri”, revistë kulturore e përmuajshme, që del në S. Demetrio Korone (Kalabri).

Revista “Zjarri” botohet nga një shoqatë të rinjsh formuar kohët e fundit që kërkon të ngjallë një lëvizje të përgjithshme laike për ruajtjen dhe zhvillimin e traditave kombëtare arbëreshe e sidomos të gjuhës shqipe. Kohët e fundit filloi të botohet edhe një organ i ri nga të rinj përparimtarë arbëreshë në Sicili. Në përgjithësi vihet re që tek arbëreshët ka një farë rigjallërimi të studimeve albanologjike. Ndër ta janë dalluar edhe studiues linguistë e folkloristë si G. Schirò (Romë), G. Ferrari (Bari), E. Giordano, V. Selvaggi, F. Solano, Luca Perrone, A. Bellusci e të tjerë.

Disa prej këtyre kanë marrë pjesë edhe në Konferencat tona të Studimeve Albanologjike dhe kur janë kthyer atje kanë shkruar e kanë folur mirë, me dashuri e respekt për vendin tonë e për arritjet tona të fushën e shkencave albanologjike. Këta studiues, të cilët, pavarësisht nga gjendja e tyre shoqërore, kanë një dashuri të sinqertë për atdheun e të parëve, kanë bërë edhe një varg botimesh të rëndësishme dhe marrin herë pas here iniciativa të dobishme. Ata përpiqen të mbajnë disa lidhje shkencore me ne, na dërgojnë edhe veprat e tyre, kërkojnë përkrahjen e vlerësimin tonë për punën e tyre.

Nga institucionet tona shkencore janë bërë përpjekje për t’i furnizuar me botimet tona albanologjike dhe për të botuar ndonjë punim të tyre të veçantë; kjo është pritur me mirënjohje prej tyre, pro ka qenë një ndihmë e pamjaftueshme dhe jo gjithnjë sistematike.

Veprimtaria jonë në këtë drejtim është penguar edhe nga një farë ngurrimi për t’i ndihmuar për shkak të disa kontakteve që për një arsye apo për një tjetër, ata detyrohen të kenë edhe me Koliqin e Valentinin. Kështu, megjithëse disave prej tyre (sidomos E. Giordanos, G. Ferrarit, G, Schiroit-junior etj.), u është dhënë prej nesh një ndihmë e ndjeshme, në përgjithësi, sipas udhëzimeve të organeve përkatëse, nga ana jonë kundrejt gjithë kësaj lëvizjeje kulturore-gjuhësore arbëreshe është mbajtur më shumë një qëndrim pasiv.

Duke u munguar mbështetja dhe ndihma jonë aktive e sistematike, forcat kulturore të atjeshme ose e kanë dobësuar veprimtarinë e tyre ose herë-herë janë lënë të tërhiqen edhe nga fashistët e tipit të Koliqit a të jezuitit Z. Valentini, duke kontribuar në veprimtarinë e institucioneve që drejtojnë ata, si “Instituti i studimeve shqiptare” pranë Universitetit të Romës dhe “Qendra ndërkombëtare e studimeve shqiptare” pranë Universitetit të Palermos, dhe në ndërmarrjet e këtyre institucioneve (sesione shkencore, vjetarë, botime etj.).

Krahas kësaj, duhet pasur parasysh edhe një aspekt tjetër. Ndër arbëreshët gjenden ende shumë dorëshkrime, dokumente, materiale e vepra të pabotuara me interes, ndonjëherë me rëndësi të dorës së parë për studimet albanologjike – për gjuhësinë, folklorin, etnografinë e historinë tonë, materiale këto që kanë pësuar humbje të shumta në këta 50 vjet e që mund të pësojnë edhe humbje të reja ose të bien në duar personash të padëshirueshëm.

Ne jemi shumë të interesuar t’i shtiem në dorë këto materiale, sidomos epistolarin e Kamardës, veprat e pabotuara të Marko La Pianës, materiale të ndryshme të De Radës dhe materiale të shumta të shpërndara në arkivat e bibliotekat komunale të atjeshme, që ne i dimë se ekzistojnë, por nuk i njohim akoma konkretisht. (Mjaft materiale të tilla mblodhi vite më parë në familje të ndryshme një italian me emrin Gangale që punon në Universitetin e Kopenhagës në Danimarkë, duke grumbulluar një arkiv të pasur materialesh e dorëshkrimesh).

Duhet thënë që edhe sot, për shkak të mungesës së kontakteve të drejtpërdrejta, ne e njohim pak gjendjen tek arbëreshët, forcat e tyre përparimtare, rrethet kulturore e shkencore të tyre, personalitetet e tyre kryesore të afirmuar dhe të rinjtë me perspektivë që po dalin në arenën e lëvizjes së sotme gjuhësore-kulturore të atjeshme.

Me përjashtim të dy vizitave të kufizuara që janë bërë tek arbëreshët nga studiuesit tanë përpara shumë vjetësh, atje nuk ka vajtur asnjë grup studiuesish nga albanologët tanë (sidomos nga gjuhëtarët, folkloristët e etnografët) për t’u njohur nga afër me gjithë zhvillimin e atjeshëm e për të formuar një ide të saktë mbi jetën dhe njerëzit. Shënojmë se këto vitet e fundit kanë filluar të venë rregullisht tek arbëreshët e Italisë grupe të gjera studiuesish e studentësh nga shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë.

Në këto kushte ne mendojmë se del nevoja e organizimit dhe e zhvillimit të një veprimtarie të gjerë e sistematike aktive në drejtime të ndryshme për të fuqizuar përpjekjet për ruajtjen e gjuhës amtare e për zhvillimin e kulturës kombëtare ndër arbëreshët e Italisë, për njohjen e tyre me veprimtarinë letrare, shkencore e kulturore tonën, për vendosjen e lidhjeve të ndryshme e të përhershme me ta, për shkëputjen e një pjese të inteligjencës së tyre nga bashkëpunimi dhe ndikimi prej elementëve armiq e reaksionarë. Këtu dalin edhe një sërë detyrash e punësh të ngutshme për t’u kryer qoftë në planin thjesht shkencor albanologjik, qoftë në planin kombëtar kulturor e politik.

Në këto rrethana ne mendojmë se hallka nga duhet të kapemi për të depërtuar tek arbëreshët pa i shqetësuar organet zyrtare italiane është në radhë të parë fusha e shkencave albanologjike e sidomos fusha e gjuhës, folklorit e etnografisë. Me qëllim që për të ardhmen të hartohet një plan pune sa më real e i saktë, me afat të gjatë dhe i shumanshëm, mendojmë se, si hap i parë, duhet të shkojë tek arbëreshët një grup studiuesish i përbërë të paktën prej dy gjuhëtarësh, një folkloristi e një etnografi për të njohur situatën konkrete drejtpërsëdrejti. Kjo në kushtet e sotme mund të realizohet pa ndonjë vështirësi të veçantë, duke marrë parasysh lidhjet tona miqësore me disa nga studiuesit kryesorë arbëreshë./ Shkrimi është botuar në Shqiptarja.com (print) në 30 janar 2016. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Back to top button