“A mund të zgjohet Basha në 3 të natës nëse bie ndonjë fatkeqësi”/ Rama ironizon kreun demokrat

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për procesin e rindërtimit, duke thënë se asnjë nga familjet që humbi banesën, nuk ka ndenjur në qiell të hapur

Mirëpo, përjashtim bëjnë 500 familjet, tha ai që e kanë zgjedhur vetë këtë gjë se nuk shkëputen dot nga toka. Ai tha se ky proces nuk ka të bëjë aspak me procesin e zgjedhjeve, e duke theksuar se procesi i rindërtimit po ecën me një ritëm optimal.

Gjatë fjalës së mbajtur, ai ka ironizuar edhe kreun demokrat Lulzim Basha, duke theksuar se nëse PS nuk do të fitojë në 25 prill, atëherë procesi i rindërtimit do të ndalet aty.

“Kur njerëzit ishin në rrugë dhe ne ishim ditë-natë me ta për të bërë sistemimin e parë, a ka njeri që mendon që nëse ajo fatkeqësi bie në tre të natës mund ta gjejë apo ta zgjojë Lulzim Bashën, a ka njeri që mendon se Basha ka fuqi që të lërë gjumin dhe të shfaqet jo vetëm për të dalë në TV por për të qenë aty deri kur familja e fundit të strehohet?

A ka njeri që ky proces mund të shkojë përpara dhe të ketë sukses nëse në 25 prill, filli i këtij procesi këputet dhe nëse fatet e vendit bien në duart e atyre që janë të njohur për shkatërrimet që kanë bërë.

Është shumë e lehtë të ndërtojmë një ekran ku figurat e tyre bashkëngjiten në harmoni me shkatërrime, me situata rrënimi të vazhdueshëm, ndërkohë që nëse pyesim veten, çfarë garancie kanë dhënë, për t’iu besuar ecurinë deri në fund të këtij procesi transformimi, ku ne po dalim më të fort, ku çdo familje e goditur po del më e fortë, është e pamundur”, tha Rama.

Back to top button