Aureola e zbehur e mësuesit

Nga Çapajev Gjokutaj

Sot është festa e mësuesit, thashë me vete dhe pastaj ndērmenda se shumica e mësuesve të mi s’janë më. Gjithsesi në kujtesë mbeten të gjallë, ndriçuar me respekt e dashuri.

Nostalgjia për të ikurën, për të dikurshmen ka pjesën e vet në këtë venerim, që gjithsesi në thelb ushqehet nga burime reale. Gjatë fëminisë sonë mësuesi ishte një nga modelet shoqërore më ndikuese, gjë që vështirë se ndodh sot.

Në shoqërinë tradicionale mësuesi ishte pjesë e elitave lokale. I shkolluar e i ditur, çmohej e respektohej nga bashkësia që, në një pjesë të konsiderueshme ishte me arsim bazik apo edhe analfabete.

Figura e mësuesit e vlerësuar nga gjithë bashkësia shtonte vlerat ndikuese mbi fëmijët e mbi të rriturit dhe synonte të bëhej model.

Modelet e shoqërisë së sotme duket se nuk janë më mësuesit, intelektualët, shkencëtarët etj. por politikanët dhe artistët. Kur thua artistët, nuk ke parasysh kompozitorët, piktorët, skulptorët, regjizorët por kryesisht aktorët dhe këngëtarët, mundësisht këngëtarët e tallavasë.

Është kjo një vendosje kokëposhtë e piramidës së vlerave, po ç’ti bësh, masmediat nuk bëjnë dot pa interes e pa klikime.

Figura e mësuesit, që do të bëhej model e do të rrezatonte tek fëmijët dhe më gjerë, rrezikohet edhe nga një cen tjetër i mediave, cen që përmblidhet në moton ‘lajm i mirë është lajmi i keq’.

Mësuesit, të shtyrë në periferinë e hapsirës mediatike nga politikanët, artistët e tallavasë etj., dalin në lajme dhe tërheqin vemendjen e publikut vetëm kur ndonjëri prej tyre kryen veprime skandaloze.

Rrjedhimisht mësuesi që shfaqet rëndom në mediat tona nuk është edukatori, qytetari që punon me pasion paçka se paguhet keq, por perversi që ngacmon seksualisht nxënëset, xhambazi që kërkon pare në këmbim të notës a të kurseve private etj. etj.

Duke krijuar e popullarizuar një model të tillë delikuent e përdhosës për mësuesin, sfumojmë punën fisnike të një armate të tërë, madje e godasim mësuesin në një vlerë thelbësore.

Mbase në vlerën më të rendësishme, rrezatimin moral. Personaliteti i mësuesit, thoshte një psikiatër i famshëm, vlen më shumë se sa dijet që ai jep.

Duke uruar festën e mësuesit, shpresoj gjithashtu që, gjithsa thashë më lart, të mos u sjellë ndër mënd ata të moshuarit vramuzë e qaramanë që mëngjes, drekë e darkë ankohen se kjo botë u prish.

Back to top button