Aeroportit të Kukësit “i del pronari”, Meta: E kam bërë unë kur isha kryeministër

Nga Vlora presidenti Ilir Meta ka ironizuar projektet e qeverisë për aeroportet në vend.

Përpara gazetarëve kreu i shtetit tha se aeroportin e Kukësit e ka bërë ai kur shërbente si kryeministër.

“Aeroportin e Kukësit e kam bërë unë kur isha kryeministër, dhuratë nga Emiratet Arabe.  Erdhi një i papërgjegjshëm pas meje, natyrisht jo zoti Majko, por një tjetër dhe i hoqi emrin. Ata u mërzitën dhe nuk kanë hapur as ambasadë sot. Se i fusin këta një bojë dhe një tender është çështje tjetër,” tha presidenti.

Gjithashtu, Meta apeloi edhe njëherë për zgjidhje të situatës me kontrollorët, të cilët janë futur në grevë duke pezulluar kështu të gjitha fluturimet në aeroportin e Rinasit. Ai bëri thirrje për diagol, por ironizoi sërish qeverinë për aeroportin e Vlorës.

“Ky tension është artificial. Ftoj kryeministrin Edi Rama, ministren Belinda Balluku, kontrollorët, përfaqësues të NATO-s, ftoj përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe, përfaqësues të Bashkimit Europian, të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duhet të bëjmë dialog. Që të mos cënojmë sigurinë kombëtare dhe të të gjithë qytetarëve që përdorin aeroportin e Rinasit, se këtë të Vlorës nuk e gjeta hapur, e ula avionin në Orikum.“, tha Meta.

Back to top button