Bllokuan fluturimet nga ‘stresi financiar’/ Prokuroria nis hetimet për kontrollorët e trafikut ajror, ja për çfarë akuzohen

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet në lidhje me situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit ditën e sotme, ku janë pezulluar të gjitha fluturimet për shkak të grevës së kontrollorëve.

Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur.

Më herë u njoftua se është shoqëruar në polici një prej kontrollorëve, Muhni Mezini.

Stresi i kontrollorëve pas uljes së pagave

Kontrollorët e trafikut ajror të AlbControl kanë ndalur punën pas uljes së pagave nga 4400 dollarë në 2400 dollarë me argumentin se kanë stres, për pasojë sot janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti i Rinasit.

Edhe pse kontrollorët nuk pranojnë se është grevë, pasi kjo nuk lejohet bazuar në Kodin e Punës, duket se çdo gjë ka qenë e organizuar.

Sigurisht që negociimi i pagës është e drejtë e tyre, por braktisja e punës dhe lënia e mijëra qytetarëve rrugëve është shkelje flagrante e ligjit, që i ngarkon me përgjegjësi penale.

Të gjitha fluturimet përmes aeroportit të Rinasit janë anuluar deri ditën e nesërme në orën 10:00.

Back to top button