Grupi i PD-së/ Procedohet Florenc Hoxha, ish-kreu i Policisë bashkiake u konfliktua me grushte në Vaqarr

Policia ka shoqëruar Florenc Hoxhën, një eksponent të njohur të PD-së, i cili aktualisht është angazhuar në të ashtuquajturit grupet për mbrojtjen e votës nga partia më e madhe e opozitës.

Ish-drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës Florenc Hoxha është proceduar penalisht nga Policia, për shkak se ka qenë pjesë e një konflikti me një shtetas tjetër në zonën e Vaqarrit në Tiranë, mesditën e djeshme.

Hoxha është konfliktuar me shtetasin Bledar Goga, i cili kishte një makinë me ushqime, dhe do ti shpërndante për banorët e zonës.

Sipas ish-zyrtarit të PD-së i cili është pjesë e fushatës së demokratëve, ushqimet po shpërndaheshin me qëllim blerjen e votave, dhe joshjen e qytetarëve, ndërkohë që socialistët pretendojnë se ato ishin për besimtarët myslimanë, në kuadër të muajit të Ramazanit.

Hoxha i ka bllokuar fillimisht rrugën me makinë shtetasit Goga, dhe më pas dyshohet se janë zënë me grushte me njëri-tjetrin. Pas ngjarjes Goga ka braktisur mjetin me ushqime, të cilat më pas sipas kandidatit për deputet Belind Këllici, u fshehën pranë komisariatit numër 6 në Tiranë.

Materialet u referuan në Prokurori, qofte për Hoxhën, ashtu edhe për pretendimet e PD për blerje votash.

Ndërkohë që mësohet se administratori i zonës së Vaqarrit, Gentian Myrta në një reagim në Facebook shkruan se Florenc Hoxha ndaloi një vakt iftar për Ramazan për shpërndarjen e ushqimeve. Këto pako me ushqime ishin të shoqatës Firdeus.

“100 banorë të lagjes Ibra, në Vaqarr, sot presin të çelin iftarin, falë dhe bujarisë së shoqatës Firdeus. Por dhuna e ushtruar nga Florenc Hoxha dhe “krushqit e tjerë të inatosur” të shpurës së Dhëndërrit Basha, ndaj djemve shërbëtorë, e ka ndaluar shpërndarjen e ushqimit. Marrëzia e Presidentit nuk ka fund. Si mundet t’u mohosh besimtareve bujarinë e Zotit? Apo edhe iftari duhet shpërndarë me dekret presidencial?”, shkruan Myrta.

Back to top button