Kur Enver Hoxha mbante fjalim në “fushatë elektorale”, para zgjedhësve të zonës së tij në Tiranë: Ju premtoj rritja pagash, rrugë e investime

Nga Dashnor Kaloçi

“Kudo po ndërtohet me ritme te shpejta. Me dhjetëra mijëra shtëpi krejt të reja kanë ndërtuar kooperativistët, ata kanë meremetuar dhe kanë zbukuruar të vjetrat, e kudo me shumicë po ndërtojnë te reja, ndërtojnë shkolla, shtëpi kulture, klube, çerdhe e kopshte, po ndërtojnë jetën e kulturuar ne fshatin tonë socialist. S’ka qendër pune ku te mos ndërtohen shtëpi banimi, s’ka qytet te madh ose te vogël, ku te mos ndërtohen shkolla, klube, spitale, çerdhe, kinema, teatro, stadiume. Ky ritëm ndërtimi çdo vit po shtohet. Qëllimi i Partisë dhe i Qeverisë është që qendrat e rretheve të bëhen qytete të socializmit ku punonjësit të kenë apartamentet e tyre, të kenë vendet e dëfrimit e të çlodhjes, të kenë shkollat, konviktet, kinematë e teatrot, t’i kenë rrugët të asfaltuara, parqet e sistemuara, që të pushojnë në mënyrë të kulturuar. Kush shikon tani Durrësin, Fierin, Lushnjën, Korçën, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën, Elbasanin, Peshkopinë, për të mos i përmendur te gjitha, çdo gjë te ato ka ndryshuar aq sa nuk i njeh, janë zbukuruar”.

Kështu u shpreh mes të tjerash Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, në fjalën e tij të mbajtur para zgjedhësve të zonës elektorale 179 në Tiranë, ku ai kandidonte për deputet në Kuvendin Popullor, ku pasi bëri një ekzpoze të arritjeve të mëdha në fusha të ndryshme të ekonomisë që kishte bërë deri në atë kohë Republika Popullore e Shqipërisë nën udhëheqjen e PPSH-së, u ndal dhe bëri premtime të shumta, për rritje rrogash për punëtorët, ndërtime rrugësh dhe investime në infrastrukturë, rritjen e mirqënies së popullit, etj., etj. Për më shumë rreth fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale 179 në Tiranë më 30 maj të vitit 1962, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al e publikon për herë të parë, (me disa shkurtime), duke filluar nga numri i sotëm.

Fjala e Enver Hoxhës para zgjedhësve të zonës elektorale Nr. 179, e mbajtur më 30 maj 1962

Të dashur shokë dhe shoqe, para së gjithash, më lejoni t’ju falenderoj nga zemra për besimin që treguat dhe për nderin e madh që më bëtë, duke më propozuar si kandidat për deputet në Kuvendin Popullor. Unë e çmoj këtë si një shprehje të besimit e të dashurisë së pakufishme që ju, zgjedhësit e zonës elektorale numër 179, ashtu si i tërë populli ynë, keni për Partinë e Punës të Shqipërisë, organizatoren dhe udhëheqësen e sprovuar të të gjitha fitoreve të popullit tonë në luftën për çlirimin e atdheut përgjithmonë nga robëria e fashistëve dhe e feudo borgjezisë për vendosjen e pushtetit popullor dhe ndërtimin e socializmit. Ju siguroj, të dashur shokë, se nuk do të kursej forcat e mia për ta merituar plotësisht besimin tuaj, dhe jetën time do t’ia kushtoj deri në fund punës dhe shërbimit me besnikëri për popullin dhe Partinë që me rritën.

Zgjedhjet për Kuvendin Popullor janë një ngjarje shumë e rëndësishme politike në jetën e vendit. Më 3 qershor populli ynë do të zgjedhë përfaqësuesit e tij në organin më të lartë të pushtetit tonë shtetëror. Këto zgjedhje do të jenë edhe një herë një shprehje e lartë e unitetit të pathyeshëm të popullit tonë rreth Partisë së tij të lavdishme dhe pushtetit popullor, e bashkimit të tij në Frontin Demokratik, të udhëhequr nga Partia. Duke votuar te gjithë pa përjashtim për kandidatët e Frontit Demokratik, populli ynë do të votojë për ndërtimin e plotë të socializmit, për lirinë dhe për pavarësinë e atdheut tonë, për begatinë e lulëzimin e tij, për politikën e paqes e të miqësisë midis popujve, për vijën e drejtë marksiste-leniniste Partisë. E drejta e qytetarëve të vendit tonë për të zgjedhur lirisht përfaqësuesit e vet ne organet e pushtetit, që nga me të ulëtat e deri te më të lartat, që nga këshillat e fshatrave e deri në Kuvendin Popullor, dëshmon për karakterin thellësisht demokratik të rendit tonë shoqëror e shtetëror. Sistemi ynë i zgjedhjeve është nga me demokratikët në botë.

E drejta e votimit të përgjithshëm, të barabartë, të drejtpërdrejtë e të fshehtë nuk është një e drejtë formale, siç ndodh në botën kapitaliste, por një e drejtë reale, e cila zbatohet rigorozisht në jetë pa kurrfarë kufizimesh. Në vendin tonë nuk ka tani klasa shfrytëzuese në fuqi që ta kërcënojnë, ta gënjejnë e ta shfrytëzojnë; në pushtet është vetë populli, prandaj nuk ka se kush të bëjë presion mbi popullin dhe të marrë nëpër këmbë vullnetin e zgjedhësve. Pushteti ynë është pushtet me të vërtetë popullor. Te ne në fuqi janë vetë masat e gjera punonjëse, në klasën punëtore në krye. Mjetet e prodhimit, fabrikat, kombinatet, centralet elektrike, minierat etj. janë në duart e popullit dhe punojnë e prodhojnë vetëm për popullin; gjithë veprimtaria e harmonizuar e shtetit zhvillohet në interesin e për të mirën e popullit. Pikërisht këtu qëndron karakteri demokratik i rendit tonë shoqëror e shtetëror.

Këtu qëndron edhe dallimi rrënjësor i demokracisë sonë socialiste nga e ashtuquajtura demokraci borgjeze, e cila është një diktaturë e egër e pakicës shfrytëzuese kundër shumicës dërrmuese popullit, ku shteti, ashtu si edhe mjetet kryesore të prodhimit, janë në duart e kapitalistëve e të çifligarëve dhe ku gjithë politika dhe veprimtaria e shtetit u shërben interesave të këtyre klasave. Në vendet kapitaliste ekzistojnë kufizime të shumta, si rezultat i të cilave miliona zgjedhës, në një mënyrë ose në një tjetër, përjashtohen nga pjesëmarrja në votime. Mbi zgjedhësit ushtrohet presion i gjithanshëm, zgjedhjet zhvillohen në kushtet e terrorit, mashtrimit, korruptimit, falsifikimit e të makinacioneve të shumëllojshme. Borgjezia imperialiste, për të ruajtur sundimin e saj, është hedhur sot në një sulm të përgjithshëm edhe kundër atyre lirive e të drejtave të cunguara që punonjësit kanë fituar me luftë në vendet e kapitalit.

Çdo ditë e me tepër në këto vende forcohen aparatet burokratike ushtarako-policore, përherë e më shumë rriten tendencat për kufizimin e të drejtave të organeve të zgjedhura dhe shtimin e kompetencave të organeve ekzekutive për fashistizimin e jetës së vendit. Bile edhe në rastet kur punonjësit dhe shtresat përparimtare të popullit arrijnë me vështirësi të mëdha të sigurojnë ndonjë fitore në zgjedhjet, borgjezia reaksionare, e mbështetur sidomos nga qarqet ushtarake, i likuidon pa ngurrim rezultatet e zgjedhjeve. E për çfarë demokracie mund të bëhet fjalë në këto kushte, kur sundojnë shfrytëzimi e shtypja më e egër e shumicës së njerëzve nga një grusht kapitalistësh, të cilët kanë në duart e tyre pushtetin? Atje ka “liri dhe demokraci” për kapitalistët, te ne ka liri dhe demokraci të vërtetë për mbar popullin.

Këtu e ka burimin entuziazmi i madh i papërshkrueshëm i masave te gjera te popullit ne ndërtimin e socializmit ne vendin tone, këtu e ka burimin besnikëria e madhe që tregon populli ndaj Partisë dhe pushtetit të tij popullor, duke përqafuar dhe duke zbatuar me entuziazëm vijën e drejtë që është përcaktuar nga Partia për ndërtimin e plotë të socializmit në vendin tonë. Zgjedhjet për Kuvendin Popullor te ne zhvillohen në një atmosferë gëzimi e feste dhe besimi të patundur për ardhshmen, në një atmosferë pune të frytshme e me rezultate të mëdha që kënaqin të madh e të vogël, në fabrika e në arat e lulëzuara, erdhe e në shkolla, që i kënaqin zemrën dhe e bëjnë krenar ushtarin, kufitarin, punonjësin e armës së sigurimit, që vigjilojnë si shqiponja mali ditë e natë, që atdheu ynë të jetë i paprekshëm, që populli të jetë i gëzuar dhe të punojë e të krijojë në paqe, që fitoret e tij të mos guxojë dot t’ia prekë armiku, qoftë ky i jashtëm apo i brendshëm.

Të dashur shokë,

Zgjedhjet e reja të 3 qershorit do ta forcojnë edhe me shumë pushtetin tonë popullor, demokracinë tonë socialiste, që është fitorja më e madhe e historisë, e arritur nga populli ynë nën udhëheqjen e Partisë. Partia jonë e Punës e ka konsideruar dhe e konsideron pushtetin tonë popullor si armën më të rëndësishme në duart e punonjësve për ndërtimin me sukses të socializmit dhe për mbrojtjen e lirisë e të pavarësisë së atdheut tonë socialist. Marksizëm-leninizmi na mëson dhe eksperienca jonë 18-vjeçare ka treguar se, kur populli ka në dorë pushtetin, atëherë ai është i pathyeshëm dhe në gjendje të bëjë mrekullira. Prandaj Partia i ha dhënë kurdoherë një rëndësi të madhe forcimit të gjithanshëm të pushtetit. Ajo ka hedhur dhe hedh poshtë me vendosmëri predikimet e revizionistëve jugosllavë për dobësimin dhe për likuidimin e shtetit socialist të diktaturës së proletariatit, qysh në kohën e tanishme. Të tilla predikime janë vetëm në dobi të imperialistëve dhe të elementëve të ndryshëm reaksionarë, të cilët nuk i kanë pushuar kurrë orvatjet për minimin dhe përmbysjen e rendit socialist në vendet tona.

Sigurisht, këtu nuk është vendi për të bërë teorinë e shuarjes se shtetit, por teoritë që predikojnë dhe vënë në zbatim revizionistët modernë në lidhje me këtë problem kapital, s’kanë asgjë të ngjashme me atë që na mësojnë Marksi, Engëlsi, Lenini dhe Stalini. Revizionistët modernë falsifikojnë dhe gënjejnë kur thonë se gjoja, me masat që marrin, ata zgjerojnë demokracinë. Përkundrazi “zgjerimi i demokracisë” do të thotë për ta shtypja e egër e marksistë-leninistëve, besnikë e të palëkundëshëm, shtimi i aparateve shtypëse policore dhe ushtarake, korruptimi i rinisë dhe pregatitja e saj për vepra të këqija, krijimi i një shtrese të tërë elementësh të korruptuar si mbështetje të klikave revizioniste, për të degjeneruar pushtetin e partinë, për ta çuar vendin në një kaos ekonomik e politik, për ta vënë nën vartësinë direkte të grupeve të gjera të të privilegjuarve të aristokratizuar dhe, më në fund, nën vartësinë direkte dhe nën kontrollin direkt të monopoleve kapitaliste. Pasqyra e të gjitha këtyre të këqijave të degjenerimit revizionist është Jugosllavia titiste, degjenerim në ideologji, degjenerim në politikë, degjenerim në ekonomi, degjenerim në jetën shoqërore dhe kulturore.

Ky është kursi i revizionizmit modern, që në agoninë e imperializmit ka ngritur krye dhe godet muret e çelikta të marksizëm-leninizmit, kërkon të hyjë brenda në çdo vend socialist, kërkon të integrohet me dredhi, me gënjeshtra, me “rrugë paqësore”. Por revizionizmin modern, mashën e imperializmit, agjenturën e tij, nën çdo maskë që do të fshihet, e pret vdekja e sigurt. Marksizëm-leninizmi do të triumfojë mbi çdo armik, siç ka fituar kurdoherë. Në Kongresin e saj të 4-t Partia theksoi se zhvillimi i shtetit tonë do të bëhet kryesisht në drejtim të forcimit e të zgjerimit të mëtejshëm të demokracisë sonë socialiste. Në kushtet e sotme, kur janë bërë ndryshime të mëdha në strukturën social-ekonomike të vendit, kur, pasi ndërtuam bazën ekonomike të socializmit, kemi hyrë në një etapë të re, në atë të ndërtimit të plotë të socializmit dhe kur është ngritur niveli arsimor-kulturor dhe ndërgjegja socialiste e punonjësve, kërkohet dhe është e mundur një pjesëmarrje akoma më e gjerë e me aktive e masave në tërë veprimtarinë shtetërore e shoqërore për zgjidhjen e detyrave të mëdha të ndërtimit të plotë të socializmit.

Për këtë qëllim Partia ngre me forcë që të rritet përgjegjësia, roli dhe kompetencat e organeve të pushtetit shtetëror, e këshillave popullore të të gjitha instancave dhe të perfeksionohet gjithnjë e më shumë aparati shtetëror, të lidhet sa më ngushtë me bazën dhe me masat dhe të luftohet pa mëshirë çfarëdo shfaqje e burokratizmit, duke forcuar disiplinën në punë në të gjitha hallkat e aparatit shtetëror. Forcimi i pushtetit popullor dhe zgjerimi i demokracisë socialiste janë të lidhura ngushtë me respektimin rigoroz të ligjshmërisë socialiste. Ligjet tona socialiste shprehin vullnetin e popullit, mbrojnë interesat e tij, prandaj ato janë të shenjta e të paprekshme. Respektimi rigoroz i ligjeve tona nga çdo qytetar dhe nga të gjitha organet e pushtetit tonë popullor është një detyrë e lartë, për zbatimin e së cilës duhet zhvilluar një punë e gjerë edukative dhe duhet ushtruar një kontroll i rreptë nga populli, nga organizatat e Partisë, nga organizatat e masave dhe nga organet përkatëse të shtetit.

Si rezultat i ndryshimeve te mëdha që janë bërë ne strukturën social-ekonomike të vendit tone, është forcuar dhe është zgjeruar më tej baza shoqërore e pushtetit tonë popullor, e demokracisë sonë socialiste. Tani te ne nuk ka më klasa shfrytëzuese e shfrytëzim të njeriut prej njeriut. Shoqëria jonë përbëhet tani nga dy klasa mike në aleancë vëllazërore me njëra-tjetrën, nga klasa punëtore dhe nga fshatarësia kooperativiste, si dhe nga shtresa e inteligjencës sonë socialiste, e dalë nga gjiri i popullit, e brumosur me ideologjinë marksiste-leniniste, e cila të gjitha dijet dhe aftësitë e veta i ka vënë në shërbim të popullit e te çështjes se socializmit. Klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste janë sot dy klasa te reja, që ndryshojnë si dita me natën me te kaluarën. Ato jo vetëm janë klasa ne fuqi dhe kanë në duart e tyre drejtimin dhe mjetet e prodhimit, por kanë bërë përparime te mëdha edhe në ngritjen e ndërgjegjes së tyre socialiste, të nivelit arsimor, kulturor e teknik. Mbi bazën e këtyre ndryshimeve dhe te punës së gjithanshme të Partisë ka lindur uniteti i çeliktë moralo-politik i shoqërisë sonë socialiste, të cilin duhet ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta forcojmë dita-ditës.

Në unitetin e popullit tonë, në bashkimin e tij monolit e të pathyeshëm rreth Partisë së Punës, qëndron burimi i te gjitha sukseseve e fitoreve tona, qëndron garancia e ecjes sonë te pandalshme përpara, drejt fitores së plotë te socializmit, dhe me vonë të komunizmit. Armiqtë tanë janë përpjekur gjithmonë të futin pyka për ta përçarë e për ta minuar unitetin tonë, bashkimin e popullit tonë rreth Partisë së tij të Punës. Por ata kurdoherë kanë dështuar e do te dështojnë me turp. Uniteti ynë është i pathyeshëm, ai ka kaluar nëpër prova të mëdha historike, ai është kalitur në luftë me vështirësitë e pengesat që janë përpjekur të na krijojnë armiqtë. Ky unitet është i pathyeshëm, sepse mbështetet në interesat dhe në qëllimet e përbashkëta të popullit e te Partisë sonë, në bindjen e thellë të masave tona punonjëse, në drejtësinë e vijës së Partisë e të udhëheqjes së saj, në drejtësinë e çështjes për të cilin lufton e punon Partia jonë. Uniteti i çeliktë i popullit tonë, bashkimi i tij monolit rreth Partisë, si dhe gjithë rendi ynë shoqëror e shtetëror socialist, mbi të cilin është ngritur ky unitet, hedhin poshtë shpifjet e propagandës reaksionare borgjeze dhe te revizionistëve modernë, që i mbajnë ison asaj, se gjoja ne Shqipëri nuk ka demokraci, se gjoja te ne mbretëron “regjimi i terrorit”, shkelja e ligjshmërisë socialiste” e te tjera përralla si këto.

Por ne i kuptojmë pse i bëjnë këta armiq të vendit tonë këto shpifje, ata me gënjeshtra duan të mbulojnë krimet dhe terrorin që ushtrojnë në vendin e tyre kundër njerëzve të ndershëm që kundërshtojnë me vendosmëri degjenerimin e fitoreve të popullit, që i kushtuan këtij aq gjak e djersë, të fshehin terrorin që ata ushtrojnë në vendin e tyre ndaj patrioteve që kërkojnë t’i thonë ndal kursit drejt greminës ku sundimtarët e çojnë atdheun e tyre. Ata çirren për të fshehur shkeljet flagrante të ligjshmërisë së tyre në kurriz të mijëra mijëra qytetarëve të pafajshëm, që vuajnë në burgje, në kampe internimi dhe tortura. Armiqtë e vendit tonë ëndërrojnë me sy hapur dhe predikojnë qe ne, siç bëjnë ata në vendin e tyre, nën maskën gjoja te “demokracisë”, t’u hapim derën krimeve, vjedhjeve, korruptimit dhe degjenerimit, t’u hapim dyert e atdheut tonë të shenjtë bandave të spiunazhit dhe të diversionit të huaj. Ata kërkojnë që ne të mos zhvillojmë dhe të mos kalitim virtytet e larta të popullit tonë, si patriotizmin e zjarrtë, burrërinë, ndershmërinë dhe besën tradicionale të shqiptarëve, që të mos kalitim dashurinë e shqiptarëve për njëri-tjetrin, solidaritetin në mes tyre, që të mos forcojmë dashurinë në familje, dashurinë për punën, që të mos e rritim dhe të mos edukojmë rininë tonë të lavdishme me traditat dhe me virtytet e larta të popullit tonë, të mos rritim të pastër, të mos e mbajmë larg nga ndyrësitë dekadente të moralit të degjeneruar borgjez, që të mos edukojmë me ndershmërinë, kulturën socialiste, guximin, besnikërinë dhe frymën internacionaliste.

Por më kot e kanë, qentë që lehin nuk na kafshojnë dot. Ata demaskohen në të dyja tablotë, qoftë në atë ndërkombëtare, qoftë në atë kombëtare. Armiqtë mendojnë se, duke lehur nga radiot e tyre jashtë, do ta kthejnë dhe do ta gënjejnë popullin tonë kundër Partisë dhe pushtetit popullor. Por e kundërta ngjet, sa me ndyrë flasin ata nga radiot, aq më tepër egërsohet populli ynë kundër tyre dhe aq me shumë e forcon ai unitetin, dashurinë dhe besnikërinë ndaj Partisë së tij të shtrenjtë. Dhe kjo s’është as e rastit, as thjesht sentimentale, por është fort e bazuar. Kjo është pjella logjike e vijës kurdoherë të drejtë të Partisë. Vija e drejt e Partisë sonë marksiste-leniniste shkelen me vepra në të katër anët e Shqipërisë dhe frytet e saj i gëzon i gjithë populli. Politika e drejtë dhe njerëzore e Partisë dhe e pushtetit tonë, drejtësia e thellë dhe zbatimi i drejtë dhe edukues i ligjeve tona, kanë bërë që edhe shumë nga ata që kanë pasë bërë faje ndaj popullit, qofshin këto politike ose shoqërore, tani janë më të kthjellët, fajet u janë bërë mësim, ata kanë ardhur në rrugë të drejtë, në rrugën e ndershmërisë politiko-morale, kanë rilindur dhe tani punojnë e prodhojnë.

Ata u binden, duke par drejtësinë e Partisë, drejtesinë e popullit, forcën e tij të madhe krijuese; ata panë që Partia nuk i neveriti djemtë dhe bijat e tyre, por u dha dorën, i rriti, i edukoi, i mësoi të duan popullin, të punojnë për mirëqenien e popullit. Tetëmbedhjetë vjet në regjimin popullor edhe të verbërit iu hapën sytë përpara mrekullive që u bënë në një kohë kaq të shkurtër. Çdo qytetar dhe qytetare e Shqipërisë u lidh, si çeliku me çimenton, me atdheun, me Partinë, me pushtetin, me hallet dhe më të mirat, me brengat e me gëzimet, u mbrujtën njerëzit, u kalitën në punë e në luftë, u arrit ky unitet i pa shëmbullt që ekziston te ne. Për Shqipërinë tonë të dashur, të vaditur me gjak dhe të lulëzuar me punë e djersë, për Partinë tonë, zemrën e atdheut, është grusht i gjithë populli. Këtë e tregon jeta, këtë e treguan votimet për Kuvendin Popullor katër vjet më parë, këtë do ta tregojnë votimet e tanishme unanime, zë i vetëm i të gjithë popullit, për Shqipërinë tonë të re, të popullit, socialiste, të pavdekshme në shekuj. T’u tregojmë armiqve grushtin, të bëjmë pluhur e hi çdo tentative të tyre kundër vendit tonë. Bashkimin e çeliktë të popullit tonë rreth Partisë ata e quajnë “shovinizëm”, “nacionalizëm”, mungesë demokracie.

Por neve aq na bën, tymi të shkojë drejt. Ç’kuptojnë këta njerëz me “demokraci”? Mos duan vallë ata që, me pretekstin e “demokratizimit”, në të dobësojmë pushtetin popullor, diktaturën e proletariatit dhe të ndodhë ashtu si në Jugosllavi, si mund të ndodhë kudo në qoftë se u lihet fushë e lirë veprimi teorive oportuniste që përhapin sot revizionistët modernë? Mos duan vallë që ne të jemi syleshë ndaj armiqve imperialistë e agjentëve të tyre, që ne të mos luftojmë kundër armiqve e tradhtarëve të popullit, por t’i rehabilitojmë edhe ata që i ka dënuar populli e t’i quajmë “njerëz të mire” e “patriotë”? Jo, ne nuk harrojmë për asnjë moment se në bot ekziston imperializmi, për të cilin nuk kemi pasur, nuk kemi e nuk do të kemi asnjë iluzion se ai e ka ndryshuar natyrën e tij. Vendi ynë është i rrethuar gjeografikisht nga shtete kapitaliste dhe nga revizionistët jugosllavë, prandaj ne do ta mbajmë gjithmonë lart vigjilencën revolucionare për të mbrojtur lirinë e pavarësinë tonë kombëtare, fitoret historike të popullit tonë, çështjen e socializmit në brigjet e Adriatikut tonë të kaltër. Për të gjitha këto ne do ta forcojmë pareshtur pushtetin popullor, këtë armë të mprehtë të popullit në fuqi.

Back to top button