Babëzia e ndërtimeve në plazhin e Durrësit

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, plazhi i Durrësit është kthyer në një lagje të stërmadhe me ndërtime gjithëfarësh, me një infrastrukturë rrugore problematike, ku mbizotëron “beteja” mes kalimtarëve dhe trafikut pa fund të automjeteve.

Nga Gëzim Kabashi

Në fillim të viteve 2000, drejtori i Departamentit të Urbanistikës në bashkinë e Durrësit e quajti “sukses të madh” vendimin që morri qeveria shqiptare për të njohur dhe legalizuar pallatet me lartësi deri në 7 kate, që po mbushnin plazhin më të madh të vendit.

Tashmë, vendimi pararendës i viteve 1990, që lejonte banesa vetëm deri në 3 kate ishte harruar, dhe lartësia e pallateve në plazhin e Durrësit arriti shumë shpejt në 10-11 kate.

Territori ku ishin argëtuar dhe ku mësuan të notonin dhjetra-mijë shqiptarë, të cilët e quanin vehten me fat edhe kur kalonin dy javët e lejes vjetore në baraka dërrase apo në çadra, u tjetërsua përfundimisht.

Gjithçka për shkak të babëzisë së ndërtimeve, të cilat pas plazhit tradicional, vijuan me të njejtin intensitet në zonën e Plepave dhe Shkëmbit të Kavajës.

Nga rruga kryesore, e cila u zgjerua dyfish, deti i pamatë aktualisht nuk duket nga asnjë qoshe.

Parkimi i veturës është shumë i vështirë, ndërsa sistemimi i një autobuzi për zbritjen e turistëve jo vetëm nga Kosova, quhet një mision i pamundur për shkak të mungesës së shesheve.

Sistemi i kanalizimeve u kushtëzua nga ngritja pa asnjë plan rregullator i banesave shumëkatëshe. Miliona euro u hodhën edhe për infrastrukturën rrugore, dhe për atë të ujësjellësit.

Denduria e hoteleve, moteleve dhe shtëpive private për pushuesit, nuk la asnjë mundësi për ngritjen e një cirku apo kinemaje, qoftë edhe verore, si ajo që ekzistonte deri në vitin 1990.

Parqet e lodrave për fëmijë mbetën gjithashtu një kujtim i së kaluarës.

Pas një viti të gjatë pandemie, që i penalizoi strukturat hoteliere, edhe familjet e lagjes, që jetojnë gjithë vitin me pagesat nga pushuesit kosovarë, nuk janë më aq të sigurtë për të ardhmen turistike të zonës.

Shumë prej banorëve të plazhit kanë filluar të dalin në rrugën “Pavarësia” me çelësat e shtëpive në dorë, duke kërkuar të joshin për pushime familjet kosovare.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, çmimet e dhomave në banesa janë ulur në minimumin e tyre historik, edhe për shkak të konkurencës së plazheve të Shëngjinit e Velipojës, por edhe atyre të Rivierës në jug të vendit.

Dhjetra apartamenteve të pashitura ende në pallatet në të dy anët e rrugës kryesore, u shtohen tabelat “Shitet” në plot ballkone të tjerë në pronësi.

30 vjet pas ndryshimeve që pësoi sistemi, e gjithë kjo hapësirë është kthyer në një lagje të stërmadhe me ndërtime gjithëfarësh, me një infrastrukturë rrugore problematike, ku mbizotëron “beteja” mes kalimtarëve dhe trafikut pa fund të automjeteve.

Duke saktësuar konturet e territorit që po marr në analizë, plazhi që administrohet nga bashkia e Durrësit nis pranë murit lindor të portit detar dhe vijon deri në murin ndarës të tij me plazhin e njohur si Blloku i udhëheqësve.

Bëhet fjalë për 3.4 kilometra plazh, vlerat shekullore të të cilit kanë degraduar nga viti në vit.

Tashmë që rëra ngjason më shumë me pluhurin pa ngjyrë; kur plazhet private me leje pa asnjë kriter nuk lejojnë lëvizjen normale të pushuesve drejt detit; kur plazhet publike mbijetojnë mediatikisht vetëm për disa ditë dhe kur mungesa e dusheve dhe pikave higjenike është kthyer në normalitet, nuk janë të pakët banorët që i rikthehen kujtimeve, gjithnjë e më të vagullta të tipit “Na ishte një herë plazhi”.

Katër vila të degraduara, që kanë shpëtuar nga shembja në stacionin “Apollonia” sjellin ndër mend vitet 1930 të shekullit të kaluar, kur një plan rregullues i qeverisë dhe bashkisë së Durrësit i hapi rrugë godinave të vogla, që mbijetuan për 80 vjet; pak më tej një rresht me baraka pupuliti që aktualisht janë zënë nga familjet e pastreha mund të kthehen në një muze të hapur që rikthen pushimet e familjeve shqiptare në periudhën e diktaturës.

100 vjet histori me ndryshime themelore nga një administrim në tjetrin nuk e mbajtën dot Plazhin e Durrësit në podiumin e më të madhit dhe më të frekuentuarit në shkallë vendi.

Tashmë ai i ngjan plazhit të lagjes më të madhe të qytetit bregdetar të Durrësit.

Back to top button