Fundjavën e zgjedhjeve, shqiptarët iu turrën kriptomonedhave

Fundjavën e fundit të muajit prill, kriptomonedha më e famshme në botë, Bitcoin dhe homologët e saj pësuan rritje të vrullshme ndonëse tregu gjatë fundjavës qëndron i mbyllur. Në një marrëdhënie simbiotike, sa më shumë njerëz të blenë një monedhë digjitale aq më shumë rritet ajo.

Për rreth 24 orë, Bitcoin kreu transaksione me vlerë 43.6 miliardë dollarë dhe vlera e saj u rrit me 10% pas një muaji jo shumë pozitiv.

Fundjava në Shqipëri ishte dinamike për shqiptarët. Pas 30 ditëve fushatë intensive nga partitë politike, për të qëndruar në “heshtje zgjedhore” ditën e së shtunës dhe për të “vendosur fatin e tyre me votë” siç thoshte Lyndon Johnson, ditën e së dielës.

Nuk ka një numër të saktë të përdoruesëve apo mbajtësve të kriptomonedhave nëpër botë, pasi çdo ditë shtohen e largohen qindra miliona vetë nga bota e valutës digjitale. Në hartën e përfshirjes ndodhet Europa, Shqipëria dhe sigurisht shqiptarët.

Në një platformë tjetër pak më lokale se sa Bitcoin apo kriptomonedhat e tjera, mund të shohim statistikisht përfshirjen e shqiptarëve në rrjetin e parave digjitale ditëve të fundit.

Në platformën e Albcoin, kriptomonedhës shqiptare, ka patur një rritje të shpejtë dhe në sasi të madhe vetëm gjatë fundjavës së kaluar kur Shqipëria po vendoste për qeverinë e re të 4 viteve të ardhshme.

Sipas statistikave, gjatë dy ditëve të 24 dhe 25 prillit, në kriptomonedhën shqiptare u kryen 1150 transaksione dhe vlera totale e monedhës në treg arriti në 640 mijë dollarë nga 500 mijë që ishte rreth një muaj më parë. Vlera e monedhës nga 0.50$ arriti në 0.71$, me një rritje prej 29.3%.

Përfaqësuesit e Albcoin që preferojnë të qëndrojnë anonimë, thanë për gazetën “SI” se ishte surprizë rritja e menjëhershme brenda pak orëve e monedhës ALBC dhe se vetë ata prisnin rënie si pasojë e ngjarjeve tjera në botën reale e jo në atë virtuale.

Për vetë ata mbetet e paqartë pse pikërisht këtë ditë, numri i klientëve dhe transaksioneve të kriptomonedhës shqiptare u trefishua.

“Ndoshta nga stresi dhe trazirat që po ndodhnin në Shqipëri. Devijimi nga politika dhe duke e përdorur botën e kriptomonedhave si një “alternativë” për të shpëtuar nga e gjithë situata”,-tha përfaqësuesi i ALBC për gazetën “SI”.

Duhet patur parasysh se Albcoin është një monedhë e re akoma nën një vlerë modeste, por me pretendimet për tu rritur. Gjithashtu, ajo është pjesë e 3 blockchain-eve më të mëdha në botë, përfshirë edhe Binance së fundmi, që rrit besueshmërinë e përdoruesve të saj.

Krijuesit e Albcoin, kanë vendosur të shpërblejnë çdo klient të ri me një monedhe ALBC falas.(SI)

Back to top button