Mbështetja e shkarkimit Ilir Metës është test dhe për Lulzim Bashën

Nga Mero Baze

Parlamenti ka filluar procedurën për shkarkimin e Ilir Meta nga detyra e presidentit, një institucion që kurrë nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale nga askush më parë. Ka ndodhur që kemi pasur president që i ka shpallur luftë popullit, ka ndodhur që kemi pasur president që e ka injoruar populli, por kurrë nuk kemi pasur president kaq banal, që të na poshtërojë si popull duke qenë i zgjedhur ynë.

Argumentet juridikë për shkarkimin e Ilir Metës janë me shumicë dhe janë renditur në kërkesën për shkarkim. Kjo është punë e Parlamentit. Nuk jam në gjendje tani të parashohim si do shkojë procedura dhe a do të mbërrijë Parlamenti, dhe pas tij Gjykata Kushtetuese, ta nxjerrin nga zyra pa i përfunduar afati.

Por kjo tani ka pak rëndësi. Ilir Meta nuk po shkarkohet se i duhet dikujt ai vend. Procedura për shkarkimin e Ilir Metës nuk ka kuptimin e një ndërmarrje politike për të hequr Ilir Metën dhe për të vënë një të vetin. Procedura për heqjen e Ilir Metës ka kuptim për të hequr turpin nga vetja dhe nga emri i Shqipërisë dhe për t’ia lënë atij që e ka.

Skandali publik i Ilir Metë me qëndrimin ndaj SHBA, aleatit strategjik të Shqipërisë, haluçinacionet e tij se SHBA do ta vriste me raketë në Malin me Gropa, përsiatjet e tij rreth aeroplanmbajtëseve ruse dhe koreane, si alternativë ndaj SHBA, dhe marrëzirat e tjera personale në adresë të ambasadores amerikane në Tiranë, janë të mjaftueshme që atë ta çosh, ose në pavionin nr. 5, ose në shtëpi, por gjithsesi të mos e lësh më në Presidencë.

Shqipëria nuk mund të distancohet zyrtarisht nga Ilir Meta, nëse shumica në pushtet nuk bën një gjest largimi për të. Ai pas një viti dhe ashtu është në shtëpi, se i mbaron mandati, por kjo nuk mjafton. Askush nuk është i dëshiruar për vendin e tij, por shqiptarët ndjehen të turpëruar nga çmendja e tij. Dhe procedura për shkarkimin e tij është procedurë për shkarkimin e turpit nga kurrizi i shqiptarëve dhe Shqipërisë, duke ja lënë atij që e ka prodhuar.

Do të ishte dinjitoze që opozita e Lulzim Bashës po ashtu t’i bashkohej kësaj iniciative moralisht. Ky nuk është një diversion për raportet mes tyre, se ato dhe kështu janë plot dyshime për njeri- tjetrin. Por sjellja e Ilir Metës , turpërimi publik që ai i bën postit të presidentit, është një ftese për qëndrim nga opozita.

Opozita shqiptare nuk mund ta injorojë këtë skandal dhe nuk mund të bëjë sikur nuk e ka parë se çfarë ka bërë presidenti. Sali Berisha së paku është treguar i ndershëm dhe i ka dal zot, duke thënë se ishte duke mbrojtur Kushtetutën (në Malin me Gropa).

Por heshtja e Lulzim Bashës, e njehëson atë me qëndrimin e Metës dhe Berishës, edhe pse diplomatëve u thotë gjëra të tjera në takime. Demokratet në bazë dhe mbështetësit e opozitës deri tani nuk kanë parë ndonjë distancim të partisë së tyre, partisë së parë pro-perëndimore në Shqipëri, të distancohet nga ideja e Ilir Metës se ne mund të zgjedhim mes SHBA e Rusisë, apo haluçinacioneve të tij se SHBA të vret me raketë në Malin me Gropa (për dreq aty po bëhet dhe stërvitje me raketa të vërteta në këto momente.)

Ndaj ka rëndësi që politika shqiptare të mbështesë shkarkimin e Ilir Metës si president, për t’i hequr turpin Shqipërisë, jo për t’i hequr rrogën Ilir Metës. Rrogën e ka marrë paradhënie për dy jetë ai.

Back to top button