PD drejt protestave? Basha nis takimet në Durrës: Është e qartë si drita e diellit se nuk do t’i njohim zgjedhjet

Partia Demokratike nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 prillit. Ky është vendimi përfundimtar i shpallur nga kryedemokrati Lulzim Basha nga një takim të zhvilluar në Durrës. Madje ai ka deklaruar se “është e qartë si drita e diellit se ky rezultat i zgjedhjeve nuk do të njihet”.

Ai shtoi se kam marrë me mijëra mesazhe për të mos u dorëzuar dhe për të vazhduar betejen deri në fund.

“Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim.
Ne nuk e kërkuam pushtetin për veten tonë. Ne e dorëzuam pushtetin për t’u bërë njësh me qytetarët, bashkë me qytetarët, për të hapur një rrugë të re dhe një të ardhme më të mirë, dhe një të ardhme qytetare, normale, europiane për gjithë shqiptarët”, tha Basha.

PD duket se po jep sinjalet që të nisë protestat kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe ndaj dhe këto takime të Bashës shërbejnë për të mbajtur të zjarrtë zemërimin e mbështetësve të tyre.

FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË TAKIMIN ME STRUKTURAT NË DURRËS

Së pari, mirë se ju gjej! Dua ta nis me një falënderim nga zemra për punën vetëmohuese, për sakrificën e jashtëzakonshme, për betejën e paparë që keni zhvilluar gjatë këtyre javëve dhe muajve ju si drejtuesit e një ekipi të madh, bashkë me qindra mijëra qytetarë të qarkut të Durrësit dhe t’ju them nga zemra se mirënjohja ime është e pakufi për një sakrificë të cilën fjalën nuk e përshkruajnë dot, por që e di se ka qenë kyçi i ndezjes së frymës së ndryshimit anembanë Durrësit dhe anembanë Shqipërisë.

Ndaj, nga zemra faleminderit dhe mirënjohje gjithsecilit prej jush, të gjithë demokratëve dhe demokrateve të Durrësit, të gjithë mbështetësve tanë dhe të koalicionit tonë të cilët gjatë këtyre muajve sfide të pabarabartë dhanë shpirtin e tyre të pastër, dhanë gjithçka kishin dhe sakrifikuan gjithçka kishin në këtë betejë.

Vëllezër dhe motra, ne këtë betejë nuk e nisëm për veten tonë. Që në fillim të fushatës e kemi thënë dhe e kam thënë të qartë që kjo betejë nuk bëhej as për mua dhe as për Partinë Demokratike. Kjo betejë bëhej për shqiptarët, bëhej për Shqipërinë, kjo betejë bëhej për prindërit tanë, të cilët prej vitesh lëngonin, me pensione të mbetura në vendnumëro, me koston e jetës të rritur, kjo betejë bëhej për të rinjtë që duan të ikin, për t’i mbajtur këtu, kjo betejë bëhej për ndërmarrjet që mos të mbyllnin vendet e punës, për biznesin e vogël që mos të mbyllte qepenat për të sëmurët, për shëndetësinë, për arsimin, për vendin tonë, për familjet tona, për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Dhe ne morëm përsipër një mision. Një mision për ta drejtuar këtë vend pas 8 viteve lëngate, vjedhje, krimi dhe poshtërimi, drejt një të ardhme më të mirë. Ky ishte misioni ynë. Me këtë mision iu përveshëm fushatës derë më derë. Një fushatë qytetare, një fushatë europiane, me program, me ide, me zgjidhje, me ofertë konkrete, me pastërtinë e shpirtit të demokratëve që na ka karakterizuar prej ditëve të para të fillesave tona si një familje e madhe politike.

Shumëkush më ka thënë këto ditë se beteja i përngjiste 91-shit. Njësoj si në 1991 ne u futëm në këtë betejë të barabartë me qytetarët. Njësoj si ta por me peshën dhe përgjegjësinë mbi supe për të arritur diçka që vetëm ne mund ta udhëhiqnim; ndryshimin që të gjithë prisnin.
E dimë fare mirë dhe e dinim edhe atëherë se përballë do të kishim bandat. Bandat e Durrësit, bandat e Shijakut, bandat e Krujës dhe të Fushë Krujës të bëra njësh me pushtetin më të korruptuar dhe të inkriminuar që ka njohur Shqipëria në këto 30 vite të Edi Ramës. E dinim fare mirë se në muajt, madje në vitin pararendës, ky pushtet bëri gjithçka për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Ne u nisëm drejt një destinacioni që nuk na përkiste thjesht nesh. Nuk u nisëm për karriket e pushtetit, por u nisëm për të marrë të gjithë shqiptarët me vete drejt një ndryshimi real, të mundshëm dhe që do t’i shërbente çdo familje shqiptare. Do t’i shërbente pensionistëve që mezi mbajnë frymën gjallë. Do t’i shërbente të rinjve për të ëndërruar dhe për të bërë realitet ambiciet e tyre këtu në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë. Do t’i shërbente edhe atyre socialistëve që pasi u morën votën dhe ju premtuan legalizimet, u çuan fadromat në Durrës. Apo pasi i lanë të ndërtonin pa leje, ju çuan prapë fadromat dy ditë pas zgjedhjeve në Sarandë.

Ne kemi qenë të qartë dhe të sinqertë prej ditës së parë me shqiptarët. Kjo nuk ishte një betejë për ne, ishte një betejë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Përball nesh, si pothuajse asnjëherë më parë u vendosën të kombinuara aradhat e krimit të organizuar dhe gjithë makineria shtetërore. Nëse ne u futëm në betejë pothuajse në të njëjtat kushte si në 1991, kundër partisë-shtet, shtetit-parti kësaj radhe u vërsul mbi qytetarët shqiptarë edhe më keq se në vitin 1991. Njësoj madje në disa aspekte edhe më keq se në masakrën elektorale të vitit 2001.

Të gjithë e dimë, demokrat e socialiste, blerjen masive të votës të orkestruar nga Edi Rama me ndihmën e të pandehurve akoma të padënuar të dosjes 339 të Ergys Çyrbes dhe bandës së Jul Ballës, të Ilir Ndrazhit dhe bandës  së  Altin Hajrit dhe klanit kriminal Rrahja dhe klaneve të tjera kriminale në Durrës dhe po kështu anë e mbanë Shqipërisë. Jemi dëshmitarë, madje edhe mediat ndërkombëtare kanë publikuar sesi  keqpërdorën thesarin e shtetit, paratë tuaja duke i mbajtur në fije të perit për bukën e gojës dhe pastaj në çastin e fundit duke shpenzuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve  në kundërshtim flagrant me Kodin Zgjedhor, 89 herë më shumë para për të blerë votën e njerëzve të goditur dyfish nga varfëria dhe tërmeti dhe nga tradhëtia dhe braktisja e Edi Ramës.

Të gjithë jemi dëshmitarë sesi kërcënuan administratën publike sesi e përdorën atë, sesi punësuan në mënyrë të paligjshme dhe pastaj kanë filluar largimin nga puna, që nga Ardian Çela i OSHEE tek Benet Beci i KESH-it e Laert Duraj i Postës Shqiptare e dhjetëra e dhjetëra të tjerë dosjet e të cilave dergjen prej dy muajsh në SPAK dhe në Prokuroritë e vendit.

Kjo është gjendja e megjithatë një gjë qëndron: siç e dinë themeluesit dhe qëndrestarët mes nesh, siç e mësoi në këtë betejë rinia demokrate durrsake dhe rinia demokrate e të gjithë Shqipërisë demokratët nuk dorëzohen kurrë. Sepse njësoj si në 91-shin dhe në 2001-shin e në çdo betejë tjetër ne jemi e vetmja garanci, e vetmja digë që e ndan të mirën nga e keqja, dëshpërimin nga shpresa, errësirën totale nga mundësia e një fije drite.

Ne jemi jemi nisur për t’i çuar shqiptarët drejt një të ardhmeje më të mirë. 25  prilli është një masakër elektorale ku vullneti i  zgjedhësve u tjetërsua nga krimi i organizuar, shitblerja e votës dhe shkrirja e shtetit me partinë dhe shkrirja e partisë me shtetin.

Është e qartë si ky diell që shndrin që ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të  ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi.

Prej më shumë se një viti i kemi vënë në dispozicion institucioneve ndërkombëtare, institucioneve të drejtësisë së re, fakte konkrete mbi të gjithë dhunimet dhe krimet zgjedhore të Partisë Socialistë, të Edi Ramës, të kupolës drejtuese dhe faktorëve të krimit të organizuar. Mbi 180 kallëzime të tilla janë depozituar në SPAK dhe prokuroritë anë e mbanë vendit.

Kjo është një sfidë për drejtësinë e re, kjo është një sfidë për institucionet zgjedhore ku dje janë depozituar kërkesat për pavlefshmërinë në 9 qarqe dhe rivotimin në 9 qarqe. Është e njëjta KQZ dhe i njëjti KAS i cili me urdhër të Edi Ramës prishi fletën e votimit, pasi prishën Kushtetutën dhe pasi miratuan në mënyrë anti-Kushtetuese ndryshimet e 5 tetorit.

Por ne do të dokumentojmë deri në fund provat e masakrës elektorale dhe do ta vazhdojmë betejën tonë në çdo hapësirë me çdo mundësi, me të gjitha forcat dhe mjetet tona. Një gjë është e sigurt. Fundi i kësaj beteje është një dhe vetëm një, përmbysja e këtij regjimi dhe vazhdimi i betejës tonë për ta çuar Shqipërinë dhe shqiptarët drejt së ardhmes që meritojnë.
Shqipëria nuk është e regjimit Rama-Doshi, kjo është Shqipëria jonë, kjo është Shqipëria juaj e  qindra mijëra shqiptarëve që na ndoqën dhe na besuan me votën  e tyre. Mbi 680 mijë vota duke përfshirë edhe ato që pavleftësoi marifeti i fletës së votimit, janë votat e shqiptarëve të pastër të shqiptarëve që as nuk u shantazhuan as nuk u blenë, as nuk u frikësuan, as nuk u intimiduan, por ecën përpara për veten e tyre, për familjet e tyre, për të ardhmen e tyre por duke besuar tek forca, fuqia e Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë.
Çfarë do të bëjmë? Do t’i lëmë në mes të rrugës këta njerëz? Do tu themi që ne e bëmë tonën dhe kaq ishte? Për ata që thonë, që na bëjnë me faj, që na llogarisin si gabim, që nuk bëmë dhe ne aleancë me bandat, po ju them fare qartë. Për Partinë Demokratike, opsioni i bashkëpunimit me krimin është dhe do të jetë zero. Sepse pushteti i marrë me krimin pjell vetëm krim.
Ne nuk e kërkuam pushtetin për veten tonë. Ne e dorëzuam pushtetin për t’u bërë njësh me qytetarët, bashkë me qytetarët, për të hapur një rrugë të re dhe një të ardhme më të mirë, dhe një të ardhme qytetare, normale, europiane për gjithë shqiptarët.

Ndaj, kështu do të vazhdojmë sepse për ne pushteti nuk është një mjet për të akumuluar grupe kriminale dhe para, dhe pastaj për të vjedhur e blerë votat por është një mjet për të përmirësuar jetën e qytetarëve, ndaj e them dhe njëherë, pushteti i marrë me bandat, pjell vetëm krim.

Ne do ta fitojmë këtë betejë duke bërë pikërisht të kundërtën, duke bërë gjithçka që ata të përfundojnë aty ku e kanë vendin dhe duke bashkuar të gjithë shqiptarët deri në përfundimin e pashmangshëm të kësaj beteje që është ndryshimi që presin dhe dëshirojnë të gjithë.
Të dashur miq! Ne jemi një shtëpi e madhe. Gjithkush ka mendimet, kontributin, investimet, sakrificën, të mirat, të metat dhe gabimet e tij apo të saj.

Këtu pa diskutim, bëj pjesë edhe unë por një gjë na bashkon; vendosmëria për të vazhduar për t’i shërbyer këtij vendi dhe këtyre njerëzve. Një gjë është e qartë, që ju keni patur dhe keni përgjegjësinë dhe mundësinë për të vendosur kush ju përfaqëson dhe kush ju drejton. E keni patur në të kaluarën dhe do ta keni përsëri shumë shpejt por ndërsa ju them këtë, po ju them që nuk ka në shtëpinë tonë asnjë të tepërt. Mendimet, idetë konstruktive, kritikat konstruktive vetëm na ndihmojnë dhe ne duhet t’i mirëpresim.

Megjithatë, gjëja më e rëndësishme tani është të vazhdojmë betejën. Të vazhdojmë betejën, të cilën me 25 prill, Edi Rama, Rrajat Cyrbet, Ndraxhët, Doshët, Rakipët me shokë, menduan se e mbyllën.

Jo! Me 25 prill ata mbyllën vetëm një mundësi për ndryshimin që do të sillte vota plebishitare e shqiptarëve, të cilët duan një të ardhme më të mirë, por beteja do të vazhdojë. Shqiptarët do ta kenë një të ardhme më të mirë. Beteja jonë do të vazhdojë derisa kjo e ardhme më e mirë për shqiptarët, të bëhet realitet! Në çdo fushë, në çdo formë, në çdo mënyrë!

Ne jemi më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë! Ndërsa ju kapitenë të kësaj beteje, që përfaqësoni mijëra e mijëra të tjerë, që zgjuan shpresën, që shkundën nga plogështia një popull të tërë, mbajeni kokën lart siç e mbani sot, në çdo moment, deri në përfundimin me fitore të kësaj beteje!

Betejë që do ta bëjmë për të gjithë, për të rinjtë dhe për të rejat, për prindërit tanë, për gratë dhe për burrat e këtij vendi, për të moshuarit e këtij vendi, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, deri në rrëzimin e regjimit Rama-Doshi, deri në triumfin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj!

Dhe mos të harrojmë për asnjë çast fillimin e kësaj beteje, sakrificat tona! Dhe ju ftoj të mos harrojmë për asnjë çast, se ata që presin prej nesh nuk janë thjesht dhe vetëm demokratët, që dua t’i falënderoj nga zemra kudo ku ndodhen. Kam marrë me mijëra mesazhe prej tyre  për të mos u dorëzuar, për të vazhduar betejën dhe ju them sot, nuk dorëzohemi, do ta vazhdojmë deri në fitore! Si dhe i falënderoj ata qindra apo mijëra të tjerë që nuk kam patur mundësinë t’iu përgjigjem deri më sot.

Por beteja nuk po bëhet, siç ju kam thënë dhe në fillim të fushatës, për Partinë Demokratike, as thjesht për partitë e tjera të koalicionit tonë. Beteja po bëhet për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj nuk do të cedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi, pa përdorur, derisa ëndrra e shqiptarëve për ndryshim, ta bëjmë realitet, derisa Shqipëria të jetë e sigurt drejt të ardhmes më të mirë, për të cilën investoi fuqishëm me 25 prill, ëndërr të cilën kemi detyrimin ta bëjmë realitet, me gjithë forcën tonë të përbashkët. Ju falemnderit!

Back to top button