Rritet borxhi i jashtëm i Shqipërisë, shkon në 8.8 miliardë euro

Borxhi i jashtëm i vendit është rritur ndjeshëm tremujorin e parë të vitit duke u shtuar me rreth 297 milionë euro në raport me fundin e vitit 2020.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i borxhit të jashtëm bruto arriti në fund të marsit në 8.8 miliardë euro, nga 8.5 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit të shkuar.

Sektori i qeverisë dominon edhe pjesën kryesore të borxhit, pasi rritja e tij edhe këtë tremujor ka ardhur kryesisht nga detyrimet e përgjithshme të ekzekutivit që në muajt janar-mars u zgjeruan me rreth 182 milionë euro më shumë se tremujori paraardhës, duke arritur në total në 4.2 miliardë euro, kryesisht në drejtim të shlyerjes së huave afatgjata.

Zgjerimi i borxhit të qeverisë lidhet kryesisht me kreditë e marra nga institucionet financiare ndërkombëtare për kapërcimin e situatës me pandeminë Covid-19. Me gjithë nivelin e lartë të borxhit, ekzekutivi është zotuar në kthimin e tij në trajektore rënëse për vitin 2021 e në vazhdim.

Ndërsa pjesa tjetër e mbetur e borxhit sipas bankës qendrore është e shpërndarë ndërmjet bankave, sektorëve të tjerë si dhe hua midis kompanive.

Tendencë në rritje të lehtë shfaqi edhe borxhi i Bankës së Shqipërisë si dhe stoku i borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në marrëdhënie investimi, ku ky i fundit u vlerësua në fund të marsit në 1.61 miliardë euro.

Me gjithë diversifikimin, struktura e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë dominohet kryesisht nga monedha europiane./Top Channel

Back to top button