“Babai im shqetësohej për idetë e mia”, rrëfimi ndryshe i Ramës për revistën italiane: Kur kolegët e mi shkojnë në pishinë dhe luajnë golf unë ‘shkarravis’

Në një intervistë për revistën italiane “Arte”, kryeministri Edi Rama ka treguar lidhjet e tij me artin, kombinimin me politikën dhe “konfliktin” që arti i kishte shkaktuar në familje.

“Unë kam lindur në një ambient ku arti ishte shumë i pranishëm. Kam pasur mosmarrëveshje të mëdha me babanë tim, por ai gjithmonë ka respektuar lirinë time. Ai shqetësohej për problemet që mund të më lindin mua për shkak të ideve të mia, por kurrë nuk e ka penguar lirinë time”, tha Rama.

Kryeministri ka ndarë me revistën italiane edhe përshtypjet e tij mbi lëvizjen antikomuniste që po lindte në Shqipëri në kohën kur ai jepte mësim në Akademinë e Arteve. “Para rënies së regjimit komunist isha i përfshirë në një lëvizje që po lindte brenda Akademisë së Arteve, një ndër grupet e para të asaj lëvizjes së madhe që hyri në konflikt me regjimin”, tregon Rama. “Ne kishim një nevojë absolute dhe të patjetërsueshme për liri dhe arti i kontrolluar nga shteti nuk i jepte hapësirë të menduarit të lirë. Që nga ai moment, jeta ime dhe interesat e mia artistike dhe kulturore janë ndërthurur në mënyrë të pandarë me politikën. Pas rënies së regjimit, unë u transferova në Paris për të jetuar në Qytetin e Artit, aty ku kishte atelie artistësh nga e gjithë bota dhe qëndrova atje për një kohë të gjatë. Pastaj ishin ngjarjet dhe situata që përcaktuan një fat ndryshe për mua”.

Rama e quajti lyerjen e fasadave të Tiranës në periudhën kur ishte kryebashkiak i kryeqytetit, si një “politikë me ngjyra”. “Ajo që bëra në fillim nuk ishte art. Ishte politikë me ngjyra. Nuk ishte një akt estetik, por një gjest politik për të zgjuar qytetin dhe një mënyrë për të krijuar një urë të re komunikimi midis njerëzve. Kjo nënkuptonte kthimin e respektit për hapësirën e përbashkët dhe një dialog të barabartë me autoritet drejtuese. Për shumë vite ne kemi jetuar në mungesë të një komunikimi midis njerëzve dhe autoritetit. Rrënojat e regjimit kishin lënë një boshllëk në të cilin të gjithë, për të mirë ose për të keq, ishin të shqetësuar vetëm për mbijetesën e tyre”.

I pyetur për vizatimet shumëngjyrëshe që bën në blloqet ku mban shënime gjatë takimeve, edhe zyrtare, Rama rrëfeu: “Çdo ditë, gjithmonë. Edhe gjatë takimeve zyrtare: dëgjoj, diskutoj dhe vizatoj. Ato janë vizatime të lehtë, bëhen vetë. Filloj në mëngjes dhe vazhdoj gjatë gjithë ditës. Janë vizatime “instinktive”, pothuajse një lloj shkrimi automatik surrealist, të cilat ndërkohë janë shndërruar edhe në skulptura qeramike. “Doodles” abstraktë në tre dimensione që i vizatoj në një kohë kur kolegët e mi politikanë zakonisht luajnë golf ose shkojnë në pishinë. Gjatë disa të shtunave dhe të dielave të qeta u jap formë atyre në atelienë e një shoku”.

Shkrimi i plotë

Rrëfimi: vitet e errëta të diktaturës komuniste, koha kur si kryetar bashkie i riktheu ngjyrat Tiranës, “shkarravitjet” e tij të famshme u ekspozuan në muze dhe në galeri ndërkombëtare.

Por kur e gjen kohën Edi Rama, për të vizatuar Doodles e tij, ato “shkarravitje” shumëngjyrëshe siç i quan ai vetë të grumbulluara në tryezën e kryeministrisë? Përgjigja e tij është e menjëhershme: “Çdo ditë, gjithmonë. Edhe gjatë takimeve zyrtare: dëgjoj, diskutoj dhe vizatoj. Janë vizatime që bëhen “vetë”.

“Filloj në mëngjes dhe vazhdojë për sa kohë qëndroj ulur në tryezën time. Vizatime “instinktive”, gati një lloj shkrimi automatik, shënime surrealiste, të cilat janë shndërruar edhe në skulptura qeramike.

«Shkarravitje tre dimensionale, gjë që e bëj kur normalisht kolegët e mi politikanë luajnë golf ose shkojnë në pishinë: U jap formë në atelien e një mikut tim ndonjë të shtunë ose të dielë. Me kalimin e kohës, “shkarravitjet” janë kthyer një marke e fabrikës së veprave të artistit, e cila është ndërthurur pa pushim me atë të politikanit, i cili vitet e fundit e ka ndryshuar rrënjësisht fytyrën e Shqipërisë”.

DHOMA E ÇUDIRAVE

Me të hyrë në zyrën e tij në Tiranë, vihet re një dhomë e “gjallë” e madhe dhe e ndritshme tërësisht e shtruar me qilima, një letër murale që ripropozon pafundësisht planet e tij, duket sikur je zhytur në një dhomë mrekullish, por në fakt është e vështirë të imagjinohet si vendi nga ku qeveriset kombi.

Mbi një tavolinë gjigande, nga e cila ai kryen takimet zyrtare, vërshojnë mbi të një sasi e paparë stilolapsash të të gjitha ngjyrave me të cilat Edi Rama dizenjon çdo fletë që i kalon në dorë; nga faqet e axhendës e deri tek te hartimet e dokumentave zyrtare. Kudo ku bie syri, madje edhe në një varëse të tejmbushur me kravata shumëngjyreshe të cilat janë destinuara për mysafirët më me fat, mund të perceptohet puna e pandërprerë e dorës dhe mendimeve të tij.

Të realizuara dhe të paraqitura mbi “vendin e pushtetit shtetëror”, këto shënime kanë të bëjnë me një lloj çlirimi psikologjik, ato janë një ditar i përpunimit abstrakt i angazhimeve të përditshme politike, dhe sigurisht nuk janë gjurmë, siç mund të duken në shikim të parë, të një ëndrre oneirike apo të një gjëndje psikedelike, e cila nuk i përket historisë artistike dhe politike.

JETA DHE FATI

Jeta dhe fati i tij fillon hershëm. Lindur në Tirana më 4 korrik 1964, Edi Rama vjen nga një familje artistësh, babai i tij ishte një nga skulptorët më të spikatur të realizmit socialist, vëllai i gjyshit të tij ishte, një piktor i rëndësishëm i shekullit të kaluar:

“Unë kam lindur në një hapësirë ku arti ishte shumë i pranishëm. Kisha ndryshime të mëdha me babanë tim, por ai gjithmonë e respektonte lirinë time.

Ai shqetësohej për problemet që mund të kisha me idetë e mia, por ai kurrë nuk e pengoi lirinë time”.

Pasi u diplomua në artet pamore në 1986, filloi si pedagog pranë Universitetit të Arteve në Tiranë: jemi në periudhën më të vështirë dhe më shqetësuese të regjimit komunist që kishte shkëputur Shqipërinë nga bota. Ndërsa në vendet e tjera të bllokut Sovjetik diçka filtronte nga jashtë, në Shqipëri heshtja artistike, dhe jo vetëm, ishte vdekjeprurëse e vetmja linjë për të ndjekur ishte ajo e imponuar nga regjimi.

“Në Beograd, Budapest ose Varshavë kishte një jetë krijuese “nëntokësore” që nuk ishte mbytur dhe disi tolerohej nga autoritetet, por këtu ajo ishte inekzistent. “Vuajtëm nga mungesa totale e informacionit dhe hapësirave kulturore. Në akademi, sa për të dhënë një shembull, historia e artit Courbet dhe librat e artit u ndalën. Çdo gjë që kishte të bënte me modernizmin ishte e ndaluar.

Mësuesit jepnin mësim pa treguar imazhet: nga Impresionistët dhe ajo që vazhdonte më tej ishte për ta një art i degjeneruar. Librat e artit ishin sekuestruar dhe një botim i veçantë i gazetës së Partisë Komuniste Shqiptare u botua në letër të ricikluar “.

Po përsëritej diçka që në shekullin e kaluar kishte ndodhur tragjikisht tashmë në një vend tjetër të Evropës, me libra dhe piktura të djegura në Gjermaninë naziste.

NJË NEVOJË PËR LIRI

Edi Rama fillon të thur një rrjetë rezistence kundërshtimi politik dhe artistik me studentët e tij, mes tyre Anri Sala me të cilin do të formojë një marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunimi intensiv të pandërprerë.

“Kur fillova të jepja mësim, para rënies së regjimit komunist, isha përfshirë në një lëvizje që po lindte brenda akademisë së arteve: ishte qeliza e parë e asaj lëvizjeje që hyri në konflikt me regjimin. Ne kishim një nevojë absolute dhe të patjetërsueshme për liri dhe arti zyrtar nuk i jepte hapësirë mendmit të lirë.

Që nga ai moment jeta ime dhe interesat e mia artistike dhe kulturore janë ndërthurur me politikën.

Pas rënies së regjimit u transferova në Paris në qytetin e artit, aty ku kishte atelie artistësh nga e gjithë bota, dhe qëndrova atje për një kohë të gjatë. Pastaj, zhvillimet përcaktuan fatin tim. Gjatë kthimit në Shqipëri për funeralin e tim eti, mu kërkua të isha Ministri i Kulturës i qeverisë së re. Në tetor 2000, unë u zgjodha kryetar i Bashkisë së Tiranës një punë emocionuese që në atë kohë e konsideroja si forma më e lartë e “artit konceptual”.

E kuptova që duhej të ndërtonim nga e para. Pas vitesh të gjata të tranzicionit të egër qyteti kishte humbur plotësisht, bëhej fjalë të kaloje nga kolektivizmi totalitar i regjimit të mëparshëm nga mungesa pasuese e një shteti, institucionesh dhe ligjshmërie në ndërtimin e një bote të lirë në të cilën të gjithë mund të merrnin pjesë në jetën politike dhe shoqërore.

Unë u zgjodha me një votim shumë të fortë popullor dhe si veprim simbolik, sëbashku me miqtë e mi artistë pikturuam rrugët dhe fasadat e ndërtesave të ndërtuara në epokën komuniste tashmë të shkatërruara nga degradimi: Doja të hapja sytë drejt një hapësire publike tani në braktisje totale dhe, në të njëjtën kohë, doja të filloja ndërtimin e një ure midis qytetarëve dhe autoriteteve komunale. Funksionoi shumë mirë”

SKULPTURA SHOQËRORE

Një rastësi e çuditshme: kur në 1986 Edi Rama filloi të jepte mësim në akademinë e Tiranës në 1986, Joseph Beuys vdiq në Gjermani. Të dy nuk ishin takuar kurrë më parë, por, duke menduar për të sot, nëse do të kishte ndodhur ndonjë takim ata me siguri do ta kishin pëlqyer njëri-tjetrin. Në një mënyrë, Rama e bëri konkret një koncept në teoritë e “shamanit” të madh gjerman skulptura sociale, e konsideruar nga Beuys si “forma më e bukur e artit”, praktikë që mban në të njëjtën kohë krijimtarinë e të gjithë individëve dhe politikën, e kuptuar si organizim i jetës së vetë individëve.

Beuys e kishte teorizuar me disiplinën dhe punimet e tij, Edi Rama po e kuptonte disi në rolin e tij si artist dhe politikan. “Ajo që bëra në fillim nuk ishte art. Ishte politikë me ngjyrat. Nuk ishte një akt estetik, por një gjest politik për të zgjuar qytetin dhe një mënyrë për të krijuar një strukturë të re komunikimi midis njerëzve. Kjo nënkuptonte kthimin e respektit për hapësirën e përbashkët dhe një dialog të barabartë me autoritetet. Për vite ne kemi jetuar në mungesë bashkëpunimi midis njerëzve dhe autoriteteve. Rrënojat e regjimit kishin lënë një boshllëk në të cilin të gjithë, për mirë ose për keq, ishin të shqetësuar vetëm për mbijetesë”.

QYTETI I TË GJITHA NGJYRAVE

Pas rënies së regjimit, projektet e rizhvillimit urbanistik dhe hapësirave publike që Rama vuri në lëvizje “shëruan” përçarjen midis qytetarëve dhe autoriteteteve shtetërore.

Ai përfshin disa artistë mes të cilëve Olafur Eliasson dhe “dishepullin” dhe mikun e tij Anri Sala – në transformimin e ndërtesave gri të epokës komuniste, duke gjallëruar të gjithë kryeqytetin me ngjyra, si për të nënvizuar hapjen e qeverisë së re për perspektiva të reja.

“Operacioni prodhoi efekte fantastike: “I ftova artistët të na e bënin dobësinë forcën tonë. Pasi u bëra kryeministër, kisha idenë të ndaja të njëjtën ndërtesë qeveritare me qytetarët. Kati përdhes u bë Qendra për Hapjen dhe Dialogun (COD), një hapësirë publike kushtuar artit, kulturës dhe debateve, ku shumë njerëz vijnë e shkojnë çdo ditë, ndërsa në katin e dytë janë “dhomat e pushtetit”.

“Unë mendoj se politika duhet të merret me artin dhe kulturën në një mënyrë delikate duke ndihmuar, por pa ndërhyrë. Marrëdhënia që ekzistonte më parë midis pushtetit politik dhe artit ka qenë shkatërruese. Me siguri arti u jep shumë njerëzve, por nuk mendoj se ka aq shumë për t’i dhënë politikës. Politika është arti i së mundshmes ndërsa arti është politika e së pamundurës. Në Shqipëri kemi jetuar një periudhë shumë të gjatë në të cilën politika dhe arti ishin e njëjta gjë dhe ishte e tmerrshme. Gjatë regjimit u tha që artistët ishin ushtarë të Partisë së Punës.

Arti ka një forcë të madhe për të hapur sytë tanë ndaj botëve të tjera përveç atyre që normalisht tregohen dhe drejtohen nga politika. Hapja e gjerë e këtyre dritareve të pafundme në botët e tjera ka bërë që në periudha të caktuara të historisë, arti të ketë qenë në gjendje të ndikojë në shoqëri, stil, mënyrën e të kuptuarit të vetes, mënyrën e të parit të marrëdhënieve njerëzore dhe me natyrën. Unë jam duke folur për një nivel ndryshe nga ai që përdoret zakonisht dhe drejtohet nga politika”

NGA SAMITET TEK GALERITË

Sot politikani dhe artisti nuk jetojnë veçmas në “shtëpi”: Edi Rama flet dhe dëgjohet nga të fuqishmit e Evropës dhe Lindjes, ndërsa veprat e tij si piktor dhe skulptor prezantohen në galeritë më prestigjioze dhe në ngjarjet kryesore të artit ndërkombëtar. Kur në 2016 ai u ftua nga pronari i galerisë Marian Goodman për të mbajtur ekspozitën e tij të parë solo në Shtetet e Bashkuara, ai ishte i bindur se ishte një shaka e orkestruar nga miqtë e tij artistë. Por ishte e gjitha e vërtetë. Midis një samiti politik dhe angazhimeve të përditshme të kreut të qeverisë, Edi Rama nuk ndalet kurrë së vizatuari dhe formësuari “shkarravitjet” e tij. E bëri këtë edhe në kohën që iu përkushtua takimit tonë.

Share this.

Back to top button