Esat Pashë Toptani dhe Elena e Malit të Zi

Elena, e bija e Kral Nikollës së Malit të Zi, ka qenë Mbretëreshë e Italisë. Në oborrin e Kishës Ortodokse Ruse në San Remo të Italisë gjenden bustet e Elenës dhe Mbretit Vittorio Emanuele III.

Kral Nikolla quhej edhe “vjehrri i Europës”, sepse i kishte martuar vajzat nëpër disa shtëpi mbretërore europiane. Thuhet se ato bënë më shumë për shtetësinë e Malit të Zi se luftërat e malazezëve.

Gazeta austriake “Neue Freie Presse” e 18 shkurtit 1914 shkruante për një takim mes Mbretëreshës Elena dhe Esat Pashë Toptanit në Romë.

Esat Pasha në fakt ishte nisur drejt Gjermanisë me qëllim që bashkë me një delegacion shqiptarësh t’ia ofronte fronin shqiptar Princit Wilhelm zu Wied. Gjatë rrugës Esat Pasha u ndal në Romë.

Elena iu drejtua Esat Pashës me këto fjalë: “Jam e lumtur, zoti gjeneral, t’i shpreh mirëseardhjen mbrojtësit heroik të Shkodrës”.

Përgjigjja e Esat Pashës ishte lapidare sa i përket tonit diplomatik: “Zonjë, bëra ç’ishte e mundur t’i rezistoja me dinjitet Madhërisë së Tij, babait tuaj të lavdishëm dhe ushtarëve të tij trima”.

Për Mbretëreshën italiane me gjasë nuk ishte punë e lehtë ta lavdëronte Esat Pashën që kishte luftuar kundër trupave të babait të saj, i cili kishte rrethuar Shkodrën.

Sipas të gjitha gjasave as për Esat Pashën nuk ishte punë e kollajshme t’i bënte komplimente Kral Nikollës, forcat e të cilit kishin shkaktuar tmerr e mjerim në Shkodër.

Por kështu e kërkonte diplomacia: Elena tani ishte Mbretëreshë e Italisë dhe duhej të përfaqësonte interesat shtetërore të Romës.

Italia synonte ta ruante si partner të vetin Esat Pashën. Ky po ashtu kishte interes që të gëzonte përkrahjen e Italisë në betejat e tij për pushtet në Shqipëri.

Kështu ata e mbuluan njëri-tjetrin me komplimente, e sa ishin të sinqerta ato vetëm mund të merret me mend.(E.Robelli)

Back to top button