VIDEO/ Nuk ndalet Kamberi, ‘shpërthen’ ndaj Daçiçit dhe ia kthen shqip në Parlamentin e Serbisë: Na quani “šiptar”, po sikur ne t’ju quajmë “shkije”?

Përfaqësuesi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi dje ka mbajtur një fjalim në gjuhën shqipe përballë deputetëve të tjerë të këtij Kuvendi.

Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të kryeparlamentarit serb Ivica Daciç, Kamberi vazhdoi të ngrejë zërin shqip ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë në Beograd, që ka refuzuar ta shpallë fajtor ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Kamberi tha se me këtë veprim Gjykata e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”. “Sot është e një ditë e vecantë. Është ditë e parë pasi një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”. Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Për gjykatën e lartë nuk vlen më as vendimit i Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2018, e cila pati sanksionuar përdorimin e termit ““šiptar” si gjuhë urrejtje.  Nuk vlen as mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviç, që e ka cilësuar përdorimin e termit “šiptar” si nënçmues, fyes dhe shkelje  e Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit”, ka thënë ai.

Fjalimi i plotë i deputetit shqiptar Shaip Kamberi në parlamentin serb:

FJALIMI I PARË SHQIP NË PARLAMENTIN E SERBISË SË PASLUFTËS

Poštovani građani Republike Srbije,

Dame i gospodo narodni poslanici,

Gospodine Presedniče;

Dobar dan – Mirëdita

Sot është e një ditë e veçantë.

Është ditë e parë pasi që një Gjykatë e këtij shteti ka legalizuar termin ofendues “šiptari”.

Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Për gjykatën e lartë nuk vlen më as vendimit i Gjykatës së Apelit në fund të vitit 2018, e cila pati sanksionuar përdorimin e termit ““šiptar” si gjuhë urrejtje.

Nuk vlen as mendimi i Komisioneres për Mbrojtjen e Barazisë, Bërnakica Jankoviq, që e ka cilësuar përdorimin e termit “šiptar” si nënçmues, fyes dhe shkelje  e Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit.

Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviçit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiçit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese “šiptar” në vend të terminologjisë zyrtare dhe ligjore në Serbi: “albanac”.

Tashmë me vendim të gjykatës së këtij shteti, prej sot unë qenkam “šiptar” dhe jo Albanac.

Pra, një ditë është zgjuar nga gjumi Aleksandër Vulin dhe ka vendosur se kush jam unë dhe si cilësohet kombësia ime, e këtë e ka legalizuar gjykata e shtetit!

Njëjtë, si në Gjermaninë e fundviteve 30, kur ministri Hermann Goering vendoste se kush ishin dhe si cilësoheshin hebrenjtë dhe pastaj gjykatat e Gestaposë e legalizonte.

Duke e cilësuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar si të pabazuar, Gjykata i ka dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.

Zonja Merkel, z.Macron, z.Borrel, z.Lajcak, znj Vonder Leyen, a është kjo Serbia e juaj pro-evropiane?

Kjo nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviçit i cili vrau, dhunoi dhe dëboi shqiptarët duke i quajtur albanac.

Por, ja që nën heshtjen e botës demokratike, Serbia e Aleksandër Vuciqit po kthehet në kohën e Aleksandar Rankoviqit, që njihet si periudha e fundit e përdorimit zyrtar dhe publik të termit “šiptar”.

Të respektuar kolegë,

Vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd është edhe precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

Ai krijon standard legjitimues për gjuhë të urrejtjes ndaj minoriteteve jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor.

Si do të reagonte shoqëria serbe sikur homologu kosovar i Aleksander Vulinit do të zgjohej një ditë nga gjumi dhe do të vendoste se prej sot serbët quhen me termin pezhorativ “shkije” dhe këtë ta legalizonte gjykata në Prishtinë?

A këtë po e do Vulini dhe Vuciqi për serbët e Kosovës?

Jo, këtë urrejtje të ndërsjellë nuk do të mund ta nxitni për ta mbajtur pushtetin e juaj duke e luajtur patriotin në Serbi.

E ju vazhdoni të fyeni publikisht dhe ligjërisht minoritetet e shtetit tuaj. Kështu fyeni më shumë shtetin tuaj.

z.Vulin dhe z.Vucic, ju rikujtojë se shqiptarët janë quajtur edhe Arnaut nga Cubrilloviçi, por nuk janë nënshtruar.

Nuk ju nënshtrohemi as juve. Kot e keni!

Madje, pas vendimit të djeshëm të gjykatës, unë jam edhe më i bindur se Serbia e juaj e urrejtjes nuk do të fitojë.

Ballkani i paqes, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë nuk ka alternativë.

Prandaj, rënia juaj nuk ka alternativë!

Në këtë rast pyetja ime për kryeministren Brnabic është se a do të instalohet kjo gjuhë e urrejtjes si standard në qeverinë tuaj në komunikim me pakicat dhe sidomos me shqiptarët?

Back to top button