Francesco Crispi, një arbëresh ndër “arkitektët” e bashkimit të Italisë

Nga Eridion Gjetja*

Kur flasim për rilindjen tonë nuk mund të mos kemi para sysh punën e lëvdueshme të komunitetit arbëresh të Italisë. Intelektual të kalibrit të Dhimitër Kamardës, Zef Sqiroit, Jeronim De Radës e të tjërë, ia kushtuan jëtën dhe veprën e tyre dheut të të parëve. Kontributi për të mbajtur gjallë gjuhën amëtare si dhe përfshirja në zgjidhjen e problemit të alfabetit i vesh këto personazhe me një petk heroizmi patriotik, që me të drejtë iu dedikohet. Por krahas rolit që luajtën arbëreshët në lëvizjen që nxorri në dritë kombin Shqiptar, disa prej tyre i gjejmë të impenjuar në “vijë të parë” në proçesin e shtet-formimit të Italisë.

Ndër ta më i njohuri është, me siguri, Francesco Crispi. Jeta e të cilit qe e mbushur me aventura dhe që e çoi të mbante plot katër herë postin e kryeministrit të Italisë së bashkuar. I lindur në Ribera të Agrigentos, në Siçili, në 1818-ën, Crispi kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën pranë seminarit italo-shqiptar të Palermos nën kujdesin e peshkopit Giuseppe Crispi, me të cilin kishte lidhje familjare. I apasionuar pas historisë dhe klasicitetit vendos të vazhdojë studimet e larta për drejtësi. Duke filluar nga 1845-a transferohet në Napoli ku ushtron profesionin e avokatit. Interesi dhe pasioni për politikën nuk mund të linin indiferent një intelektual si ai. Përfshirja në lëvizjen revolucionare Siçiliane të 1848-tës, lidhjet me ambientet liberale dhe republikane si dhe themelimi i gazetës “L’Apostolato” e futën në telashe.

U largua në ezil në Piemont nga ku u dëbua pas pjesëmarrjes në lëvizjet e Milanos të 1853-shit. Nga Malta ku ndodhej, përveç vijimit të aktivitetit editorial, mbajti kontakte të vazhdueshme me Giuseppe Mazzinin dhe atdhetarë të tjerë. Por as në ishullin e vogël mesdhetar nuk do gjente qetësi. Autoritetet Malteze e detyrojnë të largohet përsëri. Londra u bë destinacioni i radhës i këtij personazhi dinamik dhe aspak të zakonshëm. Në 1859-tën u kthye në Siçili ku do përgatiste terrenin për sbarkimin e një mijë patriotëve nën komandën e legjendarit Giuseppe Garibaldi. Të shumtë janë ata që kanë parë në figurën e Francesco Crispi-t trurin politik të atij sbarkimi, të konsideruar si një ndër momentet kyçe të proçesit që çoi më pas në unifikimin e Italisë.

Aktiviteti i tij politik vazhdoi me intensitet edhe pas bashkimit të realizuar në 1861-in. Vitet e para në parlament reflektojnë më së miri karakterin e personazhit. Pikërisht në këtë fazë do konsumohej metamorfoza e tij politike që, brenda katër viteve, do ta çonte nga pozicionet liberalo- republikane drejt monarkisë. Crispi shikonte tek Vittorio Emanuele i II një element stabiliteti dhe përforcimi të identitetit kombëtar. Kritik kundrejt pozicioneve të djathta, rilindasi italo-shqiptar do arrinte për herë të parë në krye të qeverisë në 1887-tën, pasi kishte mbuluar për disa kohë postin e kryetarit të dhomës së parlamentit dhe atë të ministrit të brendshëm. Ideator i një shteti të fortë edhe pse neofit, Crispi profesonte domosdoshmërinë e realizimit të një programi kolonial ambicioz gjë që do ta ulte Mbretërinë italiane në tavolinën e të mëdhenjëve. Mungesa e stabilitet politik, siç është e imagjinueshme për një fazë historike si ajo, bëri që Crispi të humbiste postin e kryeministrit, por një politikan i thekur si ai nuk mund të dorëzohej lehtë.

Ç’do herë u kthye dhe imponoi vullnetin e tij politik gjatë ushtrimit të detyrës duke mos kursyer në disa raste edhe metoda autoritare. Pikërisht akuzat për autoritarizëm, dështimi i politikave kolonialiste si dhe akuzat për bigami qenë ndër faktorët që, në një farë mënyre, e ridimensionuan figurën e Francesco Crispit. Përtej polemikave personazhi i tij mbetet një ndër gurët e themelit mbi të cilat u ndërtua italia. Një strukturë solide, ashtu siç e pohon edhe vetë historia, realizimi i të së cilës pati një “arkitekt” me rrënjë shqiptare.

*Studiues, Itali

Back to top button