Projeksionet e Covid, dy skenarët e Universitetit të Seattle për Shqipërinë

Në fillim të muajit nëntor, numri i vdekjeve mund të shkojë nga 8 deri në 10 raste në ditë, por me projeksionet aktuale të rasteve të reja nuk do të arrijë asnjëherë kulmin e tyre, që u regjistrua në fillim të muajit mars me 21 të tilla.

Ky është projeksioni i Institutit të Shëndetësisë dhe Vlerësimit të Shifrave, pranë Universitetit të Seattle në Uashington. Projeksioni bazë i këtij instituti është hartuar mbi të dhënat zyrtare dhe duke marrë të mirëqenë se masat shtrënguese do të ashpërsohen në javët në vazhdim, duke përfshirë këtu edhe rikhimin e mbajtjes së maskës me detyrim në publik.

Në këtë projeksion, Instituti parashikon që vdekjet nga Covid të tejkalojnë një rast në ditë në fund të muajit gusht për të njohur më pas rritje dhe katërfishuar brenda dy javëve. Në fund të tetorit, projeksioni parashikon 8 deri në 9 vdekje ditore. Ky është skenari i ngritur mbi shifrat zyrtare.

Në skenarin tjetër, atë të vdekjeve që dyshohet se janë të shkaktuara nga Covid, por që nuk raportohen si të tilla nga autoritetet, Instituti i Universitetit të Seattle nxjerr shifra më të zymta. Sipas projeksionit në këtë skenar, numri i vdekjeve ditore nga Covid, ose të lidhura me Covid do të shkojë deri në 55 raste.

Sa u takon infeksioneve të reja, Instituti përllogarit edhe ata që mund të jenë pozitivë, por nuk janë testuar, duke shumëzuar shifrat zyrtare me 10, sipas praktikës së konfirmuar gjatë valëve të mëhershme edhe nga OBSH.

Në skenarin më të keq, Shqipëria mund të regjistrojë zyrtarisht 785 të infektuar në datën 1 tetor, ndërsa jozyrtarisht kjo shifër përllogaritet nga Instituti në 7 mijë e 850 të infektuar. Në projeksionin më të zbutur, Instituti parashikon që numri zyrtar i të infektuarve të mos kalojë 540 persona në ditë, ndërsa shumëzuar me 10, kjo shifër shkon në 5400 të infektuar ditorë.

Këto janë projeksionet e këtij Instituti, që në të shkuarën kanë qenë shumë larg shifrave zyrtare të autoriteteve shqiptare, si sa i takon numrit ditor të infektimeve, ashtu edhe sa i takon numrit ditor të vdekjeve.

Në fillim të shkurtit, Instituti parashikonte rreth 15 mijë të infektuar ditorë, ndërsa zyrtarisht numri i rasteve të reja të identifikuara nuk shkoi në asnjë rast 1500 vetë. Po ashtu edhe për vdekjet. Për marsin e këtij viti IHME parashikonte deri në 133 raste ditore, ndërsa kulmi ditor nuk shkoi më shumë se 21 raste në fillim të atij muaji./SI

Back to top button