Do jetë kjo vjeshta e fundit jashtë qelisë për “gangsterët” politikë shqiptarë?!

Nga Jakin Marena

Ka një besim të shtuar tek qytetarët se drejtësia e re në Shqipëri do të arrijë të mundë fenomenin e pandëshkueshmërisë në vend!

Ky besim mbështetet kryesisht në angazhimin e fortë amerikan dhe europian për zhbërjen e drejtësisë së vjetër dhe ngritjen dalëngadalë të drejtësisë së re, e cila po formatohet dhe po institucionalizohet ditë pas dite.

Madje ka nisur të japë dhe rezultatet e para, me hapjen e disa çështjeve të rëndësishme, apo dhe me interesimin për dosjet e vjetra dhe të rënda të krimit. Pra po përparon me të mirat dhe të këqijat e veta, duke ngritur shpresën e shqiptarëve, se do të ketë drejtësi në këtë vend.

Ne besojmë në drejtësinë e re, sidomos tek mbështetja e SHBA dhe BE për t’i dhënë fund fenomentit të korrupsionit të lartë politik në Shqipëri.

Pavarësisht se i njohim të gjithë aktorët e Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale, duke ndarë të njejtin mendim me qytetarët se, ishin më të mirët e mundshëm në radhët e një drejtësie të zhytur në batakun 30 vjeçar të njehsimit me politikën dhe korrupsionin, ne besojmë tek kjo drejtësi.

Ndonëse herë herë kur shohim çështjet që merren nën hetim apo për të cilat jepet vendim, na duket sikur gjithçka shoqërohet nën tingujt e këngës së vjetër popullore shqiptare “Rreth e rreth bahçes i rashë, vajzën unë s’e pashë”!

Pasi nuk mund të shpjegohet ndryshe “kërcitja e dhëmbëve” për abuzimin që konsiston në një arkë me peshk, dhënë për një zyrtar nga një familje që e kultivonte këtë kulturë, dhe të pushohej çështja për ish ministra dhe kryeministra si në rastin e Gërdecit, ku u ‘poqën’ 26 njerëz për së gjalli mes tyre dhe fëmijë, si dhe 300 të tjerë që nuk arritën “pjekjen” e plotë. Dhe gjithë kjo tragjedi erdhi për shkak të korrupsionit të lartë shtetëror, ku i gjithë shteti u vu në shërbim të pasurimit të familjes kryeministrore të asaj kohe.

Por ka radhë në të gjitha çështjet thuhet rëndom! Ndaj ka dhe besim se do t’ju shkohet në fund të gjitha dosjeve, e nuk do të ketë fshehje pas teknicialiteteve juridike për të shpëtuar “gangsterët” politikë të korrupsionit shqiptar nga burgu.

Shqiptarët kanë pritshmëri të lartë nga kjo drejtësi e re, duke shpresuar se zyrtarët e lartë që kanë bërë korrupsion në këtë vend, kanë masakruar shqiptarët duke i detyruar të marrin rrugët e botës pasi vendi i tyre u kthye në vend të pajetueshëm, do të shkojnë para drejtësisë e do japin llogari.

Aq shumë janë të ngarkuar me pritshmëri shqiptarët, sa do të nisnin të besonin tamam te drejtësia e re, vetëm në rast se do të shkonin për të dhënë llogari për zullumet e tyre “peshqit e mëdhenj”, të cilët me rroga shteti kanë biznese, vila në bregdet, pallate në Tiranë dhe bëjnë jetë luksoze.

Dhe dosjet i kanë thuajse gati në tavolinë, të servirura dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë, por dhe të ato që kanë qenë të “mbuluara” nga pluhuri i harresës që në kohë të Adriatik Llallës dhe “kamikazëve” të tjerë të politikës në radhët e drejtësisë, të cilët sot janë të përjashtuar nga sistemi për mosjustifikim të pasurisë dhe për korrupsion.

Ndërsa një pjesë e këtyre njerëzve të drejtësisë, bëhet fjalë për ish kryeprokurorin e vendit dhe për ish kreun e Gjykatës Kushtetuese, janë nën hetim penal për shkelje ligji e korrupsion.

SHBA e shpalli “non grata” Sali Berishën, mes të tjerave dhe për korrupsion të lartë dhe minim të demokracisë në vend. Kaq tha DASH, nuk ka pse sqaron më tepër për drejtësinë shqiptare, e cila aty i ka dosjet që nga afera 230 milionë euro të “Rrugës së Kombit”, shpërthimit të Gërdecit, aferës CEZ-DIA me vlerë afër 500 milionë euro, vrasjen e 4 demonstruesve më 21 janar 2011 dhe plot afera të tjera më të vogla.

Nuk themi ta dënojnë pa një hetim tërësor dhe të thelluar Sali Berishën dhe familjen e tij, por të paktën të marrin guximin dhe të hetojnë këto afera, të guxojnë ta thërrasin njëherë për ta pyetur ish kryeministrin. Pastaj le të gjendet ndonjë Lazër Sollak gjyqtar dhe ta lirojë nga akuzat, por të hetohet njëherë.

Po kështu dhe të hetohen pasuritë e familjarëve të tij. Nuk është pasuruar askush në Kosovë me rrogën e UNMIK, harrojeni, përpos “pasurimit” të Lulzim Bashës dhe Argita Berishës. Të ishte ndryshe përfaqësuesit e këtij institucioni ndërkombëtar nuk do punësonin asnjë shqiptar, madje asnjë jashtë organizatës së tyre dhe do t’i merrnin paratë për vete. Nuk do i nxirrnin nga sistemi!

Ndaj drejtësia e re duhet ta vijojë me kokat e korrupsionit në Shqipëri, pa urdhërin e të cilëve nuk ka lëvizur asnjë lek nga arka e shtetit. Të hetojnë dhe rrogtarin President bashkë me familjen e tij. Të gjithë e dinë sa kushton një vizitë private jashtë vendit, sidomos në SHBA, një javë qëndrim në Amerikë. S’të mban njeri si mik në banesë atje, është një fenomen i tejkaluar në Shqipëri e jo më në Amerikë. Dhe as me të ngrëna e të pira!

Sa kushton blerja e mirëmbajtja e një vile në Gjirin e Lalzit, pallateve në Tiranë, shkollimi i fëmijëve në Londër, e kështu me radhë, shuma të papërballueshme për dy rrogtarë shteti, të cilët gjithë gjithë sëbashku mund të marrin 3500 euro në muaj! Zyrtarisht themi. As biznes nuk kanë deklaruar. Të hetohen dhe katër vilat e kreut të PD dhe pasuria e tij. Të fillojë nga këtu!

Ndaj duhet të hetohet, sepse korrupsioni nuk ka “brirë” dhe askush nuk e ka të shkruar në ballë se “jam i korruptuar”. Këto janë simptomat e korrupsionit, këtu duhet të nisë drejtësia.

Po kështu dhe për ish ministrat dhe ministra e zyrtarët e shtetit shqiptar, që “lëvrijnë” me makina luksoze në këtë vend, bëjnë pushime në zonat më të shtrenjta të botës, kanë vila në bregdet dhe në mal, ku fëmijët dhe gratë e tyre e tyre shpenzojnë pa hesap dhe nuk lodhen ta fshehin jetën luksoze që bëjnë, të “dhuruar” nga prindërit e bashkëshortët e tyre rrogtarë.

Drejtësia e re për këtë qëllim është ngritur, gjurmimin e korrupsionit dhe “peshkimin” e të korruptuarve të çfarëdo niveli qofshin, dhe në vrimë të miut po të futen. Ka dhe hetim me “kryesisht”, të mos presin ta kapin korrupsionin me “qerre”. Thjeshtë duhet vullnet dhe guxim.

Prokurorët dhe gjyqtarët specialë janë të mirëmbështetur nga qytetarët shqiptarë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, janë vërtetë të mirëpaguar nga shteti shqiptar deri në detajin më të fundit, sipas ligjit kuptohet. Kanë kushtet e mjaftueshme për të punuar pa presion. Ndaj duhet të shkëputen njëherë e mirë nga mentaliteti i pritshmërisë, dhe shmangies së përballjes me “peshat e rënda” të korrupsionit në Shqipëri, por dhe nga ideja e të qenit “zar” i dikujt.

Kjo vjeshtë duhet të jetë e fundit për të gjithë këta “gangsterë” politikë që kanë luajtur me paratë dhe fatet e shqiptarëve për 30 vite me radhë. Të cilët ndonëse i kanë transferuar paratë e tyre nëpër parajsat fiskale, kanë lënë gjurmë dhe organet ligjzbatuese duhet t’i zbardhin.

Shqiptarët presin, partnerët ndërkombëtarë presin, që pas kësaj vjeshte, aktorët e korrupsionit të nivelit të lartë në Shqipëri të përballen me drejtësinë.

Pa pyetur çfarë thotë politika lart e poshtë, pa u ndikuar nga mburoja politike për askënd. Ka ardhur koha që pritshmëria e shqiptarëve ndaj drejtësisë të shpërblehet. Ndryshe do të kthehet në anekdotë gjithçka është bërë deri më tani, shqiptarët do të largohen për të gjetur një ambient ku të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë, për të jetuar dhe rritur fëmijët e tyre.

Ose sëpaku për të mos u përballur me njerëz të cilët terë jetën e tyre kanë pasur të ardhura zyrtare më pak se mesatarja e popullsisë, ndërkohë që të “nxjerrin sytë” me vilat, pallatet, jahtet, makinat luksoze dhe shkollimin e nivelit të epërm për nga shpenzimet të fëmijëve, duke vënë në pozitë të vështirë njerëzit e ndershëm para familjarëve të tyre, si i paqenë dhe të paaftë për të bërë pasuri dhe krijuar kushte për një jetë normale.

Ka ardhur koha që shprehja “bir k***e”, të mos përdoret më në sensin pozitiv për të treguar se sa i zoti është një individ që vjedh, vret, abuzon me paratë e shtetit në Shqipëri, por të përdoret në kuptimin real të fjalës për të treguar sa negativ është! Ka ardhur koha që drejtësia të jetë drejtësi!

Back to top button