“Erdhëm se dëgjuam që këtu në Sarandë ekzistonte një…”/ Turistja nga Jeruzalemi magjepset nga sinagoga: Këtu janë rrënjët dhe historia jonë

Sinagoga ndodhet në qendër të Sarandës. Pushuesit shqiptarë ende nuk kanë kulturën e duhur që të vizitojnë site historike dhe kulturore. Ndërsa të huajt janë më të predispozuar për turizëm kulturor. Vizita e një çifti nga Kanadaja por që jetojnë prej 50 vitesh në Jeruzalem nuk është e rastësishme.

Xhej Rollings merret me produksion filmash. Ka realizuar dhjetra dokumentarë për shumë pjesë të Biblës. Historia e sinagogës në Sarandë i tërhoqi shumë ndaj erdhën për ta vizituar.

Ne kemi ardhur në Shqipëri për të mësuar më tepër. Ne jemi kanadezë, por jetojmë në Izrael prej 50 vjetësh.  Unë kam realizuar rreth 100 dokumentarë mbi këndvështrimet e ndryshme të Biblës.

Erdhëm në Shqipëri se dëgjuam që këtu në Sarandë ekzistonte një sinagogë, që datonte në shekullin e tretë apo të katërt të erës sonë. Mbërritëm këtu dy-tri ditë më parë dhe sot erdhëm të vizitonim këtë sinagogë. Na ka lënë shumë mbresa” tha Xhej Rollings.

Ndërsa bashkëshortja e tij ka origjinën nga Jeruzalemi. “Unë jam kanadeze, por me prejardhje nga Jeruzalemi. Ndihem e ngazëllyer që kam ardhur të shoh komunitetin hebre dhe sinagogën e dikurshme, në qytetin e mrekullueshëm të Sarandës.

Sigurisht që tani është një ngrehinë e braktisur. Por, përpos rrënojave e gurëve, këtu gjendet historia jonë. Kur shohim diçka të tillë, nuk mërzitemi aspak, përkundrazi gëzojmë, sepse të paktën është ruajtur. Këtu janë rrënjët tona.

Rrënjët janë gjithçka në jetë. Pemët janë shumë të bukura, por nuk kanë jetë pa rrënjët e tyre. Këtë ndjesi kemi ne hebrenjtë për rrënjët tona, i shohim si një trashëgimi të vyer” tha ajo.

Producenti dhe bashkëshortja e tij vlerësojnë dhe shqiptarët që strehuan hebrenjtë.

Historia e hebrenjve këtu ishte tragjike në fillesat e veta, pasi ishin shumë pak në kohën e Holokaustit. Ishin rreth 200 hebrenj në të gjithë Shqipërinë. Por një fakt interesant është se, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ata ishin shtuar, ishin bërë rreth 3 mijë hebrenj.

Për mua kjo është mjaft domethënëse, sepse Shqipëria është i vetmi vend në Evropë ku ka ndodhur diçka e tillë. Kjo do të thotë se kjo sinagogë, këto rrënoja, shërbejnë si simbol i domethënies që ka kjo copëz historie për këtë vend. Është një objekt i trashëgimisë historike, që duhet ruajtur. Madje, duhen vendosur edhe pllakata informuese për njerëz si ne që vijmë si turistë, që të mësojmë diçka më tepër. Do të ishte e mrekullueshme” tha ai.

Zoti i bekoftë njerëzit që erdhën dhe qëndruan, që ndërtuan jetën e tyre dhe i sollën begati qytetit. Përmes këtyre fjalëve kuptojmë se zyrtarë nga Jeruzalemi erdhën dhe iu përkushtuan kësaj toke. sot ne jemi të gëzuar. Na duket si “Dita e Falënderimeve” tha ajo.

Sinagoga u zbulua gjatë gërmimeve për ndërtimin e pallatit të Kulturës në Sarandë në një thellësi mbi 1 m. Më pas vijuan gërmime sistematike arkeologjike deri sa dolën në dritë rrënojat e këtij ndërtimi dhe dy mozaikë. Sinagoga ndodhet në anën perëndimore të qytetit./abcnews

Back to top button