“Këngëtari serb në Korçë”, reagon Bashkia: Festa e Birrës s’ka lidhje me politikën, ai ka bërë koncert në vitin 2006 në Shqipëri…

Këngëtari serb Goran Bregoviç është i ftuar në Festën e Birrës në Korçë, ku do të këndojë përpara publikut atë natë.

Mirëpo, ky lajm nuk është pritur aspak mirë nga shqiptarët e Kosovës, të cilët e kanë konsideruar Goran Bregovic si një nga artistët që ka frymëzuar masakrat e serbëve kundër Kosovës.

Në një deklaratë për mediet, bashkia e Korçës ka deklaruar se këngëtarët propozohen nga një kompani që merret po ashtu me organizimin e festës, por aprovimi apo jo i tyre, i takon Bashkisë.

Larisa Katundi nga zyra për media e bashkisë Korçë ka sqaruar publikun se ende nuk është aprovuar ardhja e këngëtarit serb në Festën e Birrës.

Bashkia është organizatorja e festës së birrës, pjesa e kontraktimit të këngëtarëve është një marrëveshje që kemi me një kompani e cila na sugjeron se cilët këngëtarë mund të marrim. Patjetër, aprovimi kalon nga Bashkia, por këngëtarët propozohen, pra pjesa e organizimit të shoë-it, propozohet nga një kompani e kontraktuar. Ne faktikisht akoma nuk e kemi promovuar dhe nuk kemi nxjerrë materiale promocionale sa i takon kësaj pike. Nuk e kemi aprovuar akoma. Varet prej nesh”, ka deklaruar Larisa Katundi, nga zyra për media e Bashkisë së Korçës.

Ajo u shpreh se kjo çështje po trajtohet më shumë politikisht sesa nga ana artistike, pasi sipas saj, Festa e Birrës nuk ka lidhje me politikën dhe s’ka lidhje me respektimin e politikave,

I kam lexuar portalet dhe e di që në fakt është kontestuar dhe është diskutuar shumë kjo pjesë. Por nuk është hera e parë që ai vjen, sepse ai ka bërë dhe një koncert në vitin 2006 në Tiranë, kështu që nuk është hera e parë që ai po vjen në Shqipëri, dhe jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën ka qenë. E di që është kontestuar kjo, e di që është diskutuar, por besoj se trajtohet më shumë politikisht sesa artistikisht, në fund të fundit Festa e Birrës është një festë që nuk ka lidhje me politikën, është art dhe nuk është se ka lidhje me respektimin e politikave”, ka thënë Katundi.

Back to top button