Kush e ka radhën pas Sali Berishës?

Dy deputetë të zgjedhur më 25 prill kanë dhënë dorëheqjen deri më tani.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi lajmëroi në mbledhjen e fundit të kongresit të PS-së se dorëhiqej nga politika në muajin Shtator.

I dyti që ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit është Tom Doshi.

Ky i fundit i shpallur “non grata” nga SHBA, menjëherë pas zgjedhjeve njoftoi se nuk do të ishte në Kuvendin e shtatorit, por do të vijojë të jetë në politikë me drejtimin e PSD-së.

Deputetit të tretë të cilit qartazi po i kërkohet dorëheqja është lideri historik i PD-së, Sali Berisha.

Deklarata e ambasadores amerikane Yuri Kim pas takimit të fundit me Lulzim Bashën ishte mëse e qartë në këtë drejtim. Ajo i dha kohë kryetarit të PD-së që gjatë muajit Gusht të reflektonte para se të futej në muajin shtator në Kuvend.

Përpos qëndrimeve të ditura, ajo që bëri përshtypje në një editorial të fundit të ambasadores amerikane, Yuri Kim, ishte kërkesa e saj drejtuar jo vetëm Bashës, por edhe Ramës dhe udhëheqësve të tjerë politike në vend që të rishikonin edhe njëherë listat e deputeteve para se të mblidhej Kuvendi i ri.

“Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, shkruan Yuri Kim.

Instituti për Studime Politike që është marrë gjatë me CV-në e secilit prej deputetëve të zgjedhur, në një raport të tij, thotë se, disa të tjerë janë nën presion për dorëheqje për shkak të rekordeve personale, të papajtueshme me standardet e dekriminalizimit apo të integritetit në politikë. Si ISP ashtu edhe aktorë të tjerë të shoqërisë civile (kryesisht edhe për shkak të informacioneve të shtuara që marrin jo zyrtarisht nga ndërkombëtarët) kanë kërkuar nga partitë të pastrojnë listat e tyre nga individë me rekorde kriminale

Kërkesa e ambasadores amerikane kësaj here nuk ishte vetëm për Bashën dhe pyetjes se drejtpërdrejte që i është drejtuar se çfarë duhet të bëjë me Berishën (pas këmbënguljes së këtij të fundit se nuk ka ndermend të lërë mandatin), por edhe për Ramën apo drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Ndaj dhe shumëkush mund të pyesë? Se kush e ka radhën pas Sali Berishës?

(Gazeta SI)

Back to top button