Në Shqipëri gjermanët blejnë bunkerë, italianët flamuj, belgët xhubleta… të tjerët…

Gjatë perimetrit të rrugëve rrotull Pazarit të  Ri  në Tiranë , hasesh “rëndom” me turistë të shumtë që para se të largohen nga Shqipëria, ndalojnë në dyqanet e suvenireve për të marrë me vete një copëz nga mistika, simboli e trashëgimia shqiptare.

Dielli i këtij fundgushti nuk ka kaluar ende mbi Pazar por dyqanet  e suvenireve që fill sapo hapin qepenat vizitohen nga turistët e huaj, tregojnë se brenda tyre dita ka filluar me kohë sëbashku me bisedat dhe interesin për të kaluarën shqiptare që zgjohet natyrshëm.

Aty ku gërshetohen këndshëm tezgjahe të ruajtuara ndër vite, enë prej bakri dhe balte, qilime të punuara me dorë, qeleshe, piktura e bunkierë në miniaturë , shitësit tregojnë se kërkesa për suvenire është rritur paralelisht me numrin e vizitorëve.

“Turistët e huaj tashmë ndër vite kanë krijuar thuajse të njëjtën linjë suveniresh që marrin me vete por jo pak herë ata konfuzohen çfarë të blejnë duke qenë se gjejnë këtu shumë sende interesante që lidhen me kulturën shqiptare.

Përgjithësisht, suveniri i parë që kërkojnë të blejnë janë  copëza të Tiranës ose vendeve të ndryshme të Shqipërisë që kanë vizituar dhe më pas interesohen shumë për punimet artizanale të punuara me dorë, duke nisur nga veshjet tradicionale, pjatat e ndryshme nga qeramika ose balta si dhe qeleshet.

Edhe këtë vit, shumë nga turistët e huaj që kanë ardhur në dyqan kanë qenë shumë të interesuar për motivet tek veshjet tona popullore dhe një masë e madhe e tyre ka blerë jo vetëm jelekë nga zona të ndryshme të Shqipërisë por edhe çanta dhe trasta të ndryshme që janë punuar me dorë.”-tregon për GazetaSI.al Alma, një shitëse e cila prej 10 vitesh shet në Pazarin e Ri.

Ajo tregon që turistët e huaj  të cilët blejnë më shumë suvenire janë francezët që kanë interes të dinë për të shkuarën historike dhe gjithmonë e pyesin Almën për traditat dhe për lidhjen e ngushtë të grave shqiptare me qendismën.

Përtej dyqani të Almës është një tjetër dyqan ku suveniret dallojnë që nga larg, përtej vitrinës së xhamit.

Shitësi tregoi për gazetën “SI” që në dyqanin e tij, suveniri më i kërkuar është bunkeri, simboli i 45 viteve izolim.

“Ai duket të jetë objekti që do t’ua kujtojë më mirë turistëve Shqipërinë. Ata shprehin shumë interes për periudhën e komunizmit. Ka disa vite që janë kërkuar në fakt por tani që guidat shqiptare po bëjnë shumë punë duke u dhënë informacione për diktaturën ose duke i dërguar tek Bunk’Art2 si atraksioni turistik në Tiranë, bunkerët në miniaturë kanë marrë akoma më shumë vëmendje.

Të gjithë turistët që e kanë vizituar atë dhe vijnë në dyqanin tim tregojnë që u ka lënë mbresa të thella dhe duke blerë bunkerin, do u kujtohet gjithmonë e kaluara e Shqipërisë që në sytë e tyre është sa e trishtë aq edhe interesante.

Ky suvenir nuk është  vetëm për bukuri ose për kujtim por në forma e madhësi të ndryshme janë dhe funksionale që mund të shërbejnë si mbajtëse për stilolapsa ose për ndonjë gjë tjetër të vogël.”

Ai  i thotë GazetaSI.al që turistët që janë më të tërhequr ndaj bunkerëve janë gjermanët dhe kjo lidhet me faktin se atje janë transmetuar disa dokumentarë të prodhuar për Shqipërinë me këtë fokus çka grish gjithmonë kureshtjen e tyre për këtë periudhë të vendit tonë.

Ndërsa italianët, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet, duket se kanë dobësi për simbolet tona kombëtare të tilla si flamuri, bluza me flamurin shqiptar apo objekte ku flamuri është vizatuar.

“Turistëve të huaj u lexohet endja dhe kënaqësia që në sy teksa marrin ndër duar objekte të ndryshme kulturore dhe nxiten të kërkojnë më shumë informacion nga e kaluara, se sa datojnë, se si janë punuar, cila është historia që qëndron pas tyre ndryshe nga emigrantët, që rrallë zgjedhin të kthejnë vështrimet nga dyqanet tona dhe pjesën më të madhe të suvenireve e kanë dhurata për miqtë e tyre.”-shtoi më tej ai.

Në dalje të dyqanit të tij të has syri një grup turistësh belg që me interes të madh po analizonin xhubletën shqiptare të punuar me filigram, më shumë se 4 mijë vjeçare.

“Duket e mrekullueshme. Çdo detaj i saj është punuar me aq kujdes sa të vjen të mos ia ndash sytë gjithë kohës. Ne po zihemi me njëri-tjetrin se kush do ta blejë.

Dua ta marr, ta vendos në një kornizë dhe ta var në mur tek dhoma ime.-tha njëra nga turistet për gazetën “SI”.

Megjithatë, shtoi ajo, këtu ka dhe shumë veshje të tjera të punuara me dore që ia vlen t’i blesh dhe të mësosh më tej për mënyrën se si janë punuar.

Falë artizanëve dhe koleksionistëve nga e gjithë Shqipëria, dyqanet janë kthyer në “shtëpinë” e përkohshme të mjaft krijimeve sa të reja artizanale aq edhe të vjetra, aty ku turistët drejtohen gjithmonë, për të marrë me vete një pjesë të identitetit kombëtar.

Back to top button