Pushimet e Dua Lipa në Shqipëri, “trazojnë” median greke. I përmend hartën e ‘Shqipërisë së Madhe’

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa ka tërhequr vëmendjen edhe të mëdiave greke me postimin e saj të fundit në rrjetet sociale, ku duket duke shijuar disa momente nën ritmet e këngëve popullore shqiptare, teksa mbi kokë mban një gotë me raki.

Gazeta greke “Protothema“, në edicionin e saj online, thotë se Dua Lipa po kalon pushimet me familjen e saj në Jug të Shqipërisë, teksa ka veçuar edhe thënien e saj në postim, “Më thuaj që je shqiptare pa më thënë që je shqiptare”.

Por, media greke është kujdesur që në këtë shkrim, t’i kujtojë Dua Lipës edhe një postim që ka bërë në rrjetet sociale një vit më parë, ku publikoi hartën e ‘Shqipërisë së Madhe’.

“25-vjeçarja e cila shkaktoi një tronditje në mediat sociale me postimet e saj, ku ajo ëndërronte Shqipërinë e Madhe, po argëtohet nën ritmet e një kënge shqiptare”, shkruan Protothema, teksa ka vendosur edhe lajmin e publikuar po një vit më parë, ku shkruhej në median greke për gjestin e këngëtares shqiptare.

“Këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare “zbukuroi” faqet e saj në Instagram dhe Tëitter me flamurin e “Shqipërisë së Madhe”, që mbulon territoret serbe dhe greke, duke zbuluar qartë bindjet e saj të ashpra nacionaliste”, kujton gazeta greke.

Por këto reagime morën edhe përgjigjen e Dua Lipa e cila publikoi reagimin se postimi i saj me harten ‘autoktonus’ s’kishte si qëllim nxitjen e urrejtjes dhe është keqpërdorur nga njerëzit dhe grupet që duan të promovojnë përçarjen etnike. /m.j

  

Back to top button