“Tre herë më shumë turistë se në 2020”, INSTAT: 500 mijë shtetas nga Kosova erdhën në Shqipëri gjatë verës

Lëvizjet e shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë muajit Korrik flasin për një frymëmarrje të turizmit vendas pas vitit të vështirë të pandemisë.

Sipas Institutit të Statistikave numri i shtetasve të huaj që u futën në territorin shqiptar është 1.158.962 (afro 1.2 mln), rreth 3 herë më shumë se sa Korriku i 2020-ës.

Ndërsa krahasuar me 2019, që shënon një nga vitet më të mira sa i përket turizmit vendas, diferenca është vetëm me 1.5% ose vetëm 17 000 turistë më pak se sa korriku i 2 viteve më parë.

Pjesa më e madhe e pushuesve janë shtetas të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Kështu, gjatë muajit korrik, në Shqipëri hynë më shumë se 500 000 shtetas nga Kosova, madje duke e tejkaluar vitin 2019 me gati 16% me shume.

Me lehtësimin e masave kufizuese, bie në sy edhe levizja e shqiptarëve jashtë vendit.

Sipas Instat rreth 1.5 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj udhëtuan përtej kufijve, duke shënuar një rritje me 2,7 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërsa nga janari deri në korrik kanë lëvizur jashtë territorit rreth 2 milionë shqiptarë, 34% më shumë sesa 7 mujori i parë i 2020-ës.

Back to top button