Vuçiqi i ankohet presidentit të Izraelit për njohjen e Kosovës: Na keni zhgënjyer

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është ankuar presidentit të Izraelit, Isar Herzog për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti hebre. Vuçiq tha se vendimi i Izraelit ishte zhgënjim për Serbinë.

Sipas deklaratës pas bisedës telefonike, përveç kësaj, Vuçiqi shprehu dëshirën që Serbia t’i përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe me udhëheqjen e re të Izraelit.

“Ne e konsiderojmë shumë të rëndësishme që Serbia dhe Izraeli, përmes bashkëpunimit, të kontribuojnë në zgjidhjen politike dhe paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve, konflikteve dhe çështjeve të hapura”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai pret që presidenti Herzog dhe Izraeli të vazhdojnë ta mbështesin dialogun Kosovë-Serbi.

Më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si historik.

Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë në Marrëveshjen e Washingtonit, e cila ishte nënshkruar në shtator të vitit 2020 nga atëherë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, atëherë kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu pati thënë përmes një letre se këto zhvillime mund të çojnë drejt një epoke të re, në të cilën mund të përfitojnë të dyja palët.

Back to top button